Së shpejti, fillon në Brazil Kupa e Botës 2014 në futboll, e cila do të zhvillohet në disa prej qyteteve kryesore të këtij vendi. Me këtë rast, ju prezantojmë qytetin mitik të futbollit dhe të Marakanasë, Rio de Zhaneiron. Ky shkrim u shërben atyre që do të kenë fatin të shkojnë në Brazil për të parë ndeshjet, por edhe neve, që do t’i shohim ato nëpërmjet ekranit…

 

1. Disa shifra

Qyteti i Rio de Zhaneiros u themelua në vitin 1656, ndodhet në juglindje të vendit dhe ka një popullsi prej 6,3 milionë banorësh (sipas regjistrimit të vitit 2010). Sipërfaqja e tij është 1260 km2.

 

2. Pak histori

Qyteti u zbulua në janar të vitit 1502, kur eksploratori portugez, Gaspar de Lemos mbërriti në gjirin Guanabara, në qytetin mbresëlënës juglindor të Rio de Zhaneiros, i cili u themelua në mënyrë zyrtare në 1 mars 1565 nga ushtaraku portugez Estacio de Sa. Iu vu emri Rio de Zhaneiro (Lumi i Janarit) sepse Lemosi, në fillim mendoi se gjiri ishte një lumë. Rio u bë shumë i rëndësishëm për Brazilin për nxjerrjen e arit, të gurëve të çmuar dhe pasurive të tjera në shekullin e XVII, pas zbulimeve minerale në qytetin e afërt, Minas Gerais. Si në shumë qytete të tjerë bregdetare, edhe në Rio, në shekullin e XIX, u bë një përzierje racash dhe kulturash që ndikuan në jetën e tij, përfshi këtu edhe kulturën e skllevërve afrikanë që kalonin nga ky port. Rio ka qenë kryeqytet i vendit nga viti 1764-1960, kur u zëvendësua nga qyteti i rinovuar i Brazilias, por edhe më shumë rëndësi pati roli i tij si kryeqytet i Brazilit të shpallur i pavarur, më 1825.

 

3. Rio, sot

Në ditët e sotme, Cidade Maravilhosa (Qyteti i Mrekullueshëm) përbën një atraksion për turistët e gjithë botës dhe është sinonim i zbavitjeve dhe kënaqësive, për shkak të karnavaleve të tij të famshme. Çdo shkurt, që prej vitit 1723, festimet e karnavaleve janë më të mëdhatë në botë dhe mbi 5 milionë vizitorë grumbullohen në qytet për t’i shijuar nga afër. Shumica prej tyre, vijnë nga cepi tjetër i botës dhe shkrihen me 2 milionë të tjerë që sfilojnë në rrugë, gjatë kohës së karnavaleve.

 

4. Mali Pao de Acucar

Rio është i njohur edhe për bukuritë e tij natyrore dhe shkëmbi Pao de Acucar është një nga pikat e tij më të njohura. Shkëmbi ka një lartësi prej 396 metrash dhe u quajt kështu ngaqë emri i tij në gjuhën portugeze do të thotë bukë sheqeri, sepse ka të njëjtën formë me të. Vizitorët mund të shkojnë atje me teleferik dhe të shijojnë pamjen panoramike gjatë ngjitjes, ose të ngjiten me këmbë.

 

5. Copacabana

Plazhi më i njohur dhe i famshëm i Rios është Copacabana, në Jug të qytetit. Katër kilometra me rërë të mbushur plot me plazhistë, atletët që bëjnë sport, por edhe jeta e natës, e bëjnë Copacabanën të dëgjuar në të gjithë botën. Momenti i saj më i mirë është nata e 31 dhjetorit, kur më shumë se 2 milionë njerëz grumbullohen me shampanjë në dorë, për të pritur vitin e ri.

 

6. Statuja e Krishtit Shëlbyes

Ikona më emblematike jo vetëm e Rios, por e gjithë Brazilit, është statuja e Krishtit Shëlbyes. Statuja u përfundua në vitin 1931 dhe ka një lartësi prej 30 metrash. Jezusi e sheh qytetin nga lartësia e 700 metrave të malit Corcovado, afër qendrës. Statuja u ndërtua me porosi të katolikëve brazilianë dhe krahët e tij të hapur, simbolizojnë paqen. Sot, afro 300 mijë turistë, e vizitojnë atë çdo vit.

 

7. Vendndodhja

Gjeografikisht, Rio gjendet në një nga vendet më mbresëlënëse të botës. Nga njëra anë Atlantiku, nga tjetra, pylli Tijuca, pylli urban tropikal më i madh në botë dhe shtëpi e qindra bimëve dhe llojeve të rralla të kafshëve. Kufiri i qytetit përbëhet nga vargmalet Serra do Mar, që bëjnë pjesë në pasuritë natyrore të UNESCO-s. Qyteti ndahet në 4 zona gjeografike, çdonjëra prej të cilave ka karakteristikat e veta. Jugu është i pasur dhe i sigurtë për turistët. Qendra është e njohur për ndërtesat e veta historike, megjithatë, Rio është i njohur edhe për favelat apo lagjet e varfra, ku lulëzon krimi dhe që ndodhen në kufi të qytetit.

 

8. Klima

Rio ka klimë tropikale, të nxehtë dhe të thatë në verë, me shira të shumta në dimër, ndërkohë që temperatura mesatare vjetore është 23 °C.

 

9. Futbolli në Rio

Rio është një qendër e madhe e futbollit brazilian, qytet ku ndodhen 4 nga skuadrat më të rëndësishme në vend: Vasko de Gama, Botafogo, Fluminense dhe Flamengo. Që të katra luajnë në kategorinë e parë, ndërkohë që më e njohura dhe më e suksesshmja është Flamengo (e njohur edhe si Mengao), që e ka fituar kompionatin 5 herë dhe ka më shumë se 30 milionë fansa. Nga ky qytet kanë dalë shumë lojtarë mitikë brazilianë si Ziko, Zharzinjo, Ronaldo dhe Romario. Në Rio gjendet gjithashtu edhe një nga stadiumet më të famshme në botë, Marakanaja mitike. Stadiumi u ndërtua për Kupën e Botës të vitit 1950 në Brazil (në foto) dhe në të u zhvillua ndeshja finale, ku Brazili u mund nga Uruguaji, me rezultatin 2-1. Ajo u rinovua për kupën e Botës 2014 dhe brazilianët shpresojnë që kësaj radhe, t’i sjellë më shumë fat skuadrës së tyre kombëtare.

 

10. E dinit që…

…përveç kupës së Botës, në Brazil do të zhvillohen edhe Lojërat Olimpike të vitit 2016?

– Në vitin 2009, Rio u zgjodh qyteti ku do të zhvillohen Lojërat Olimpike, duke mundur Madridin, Tokion dhe Çikagon.

– Gjatë Lojërave Olimpike, shumica e garave do të bëhen në stadiumet e zonës Barra da Tijuca, në jugperëndim të qytetit.

– Në Marakana do të bëhet ceremonia e hapjes dhe ndeshja finale e futbollit, ndërkohë që garat e tjera do të bëhen në stadiumin olimpik Zhoao Havelanzh, me kapacitet 46 931 spektatorë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *