– Doktor Evi, unë që po ju shkruaj jam një vajzë që kam dalë me një problem në mitër, kam mish të huaj, s’ka shumë kohë që më paska dalë. Jam shumë e shqetësuar dhe nuk di si të veproj. A shërohet kjo gjë dhe si veprohet?
Dr. Evi Dani, seksolog-androlog: – E nderuar vajzë, nuk duhet të shqetësoheni, sepse ju e keni kapur që në fillim problemin që keni dhe, po ta ndiqni siç duhet, me konsulta dhe mjekimin që do t’ju caktojë mjeku që do t’ju ndjekë, gjithë problemi zgjidhet pa pasoja. Fibrimioma është një nga patologjitë tumorale të uterusit, por për fat të mirë, ai është me natyrë beninje. Vjen në mënyrë të pakuptueshme dhe nuk mund të përcaktohet me saktësi shkaktari si në të gjitha sëmundjet tumorale. Me futjen në praktikë të ekografive, u konstatua që shumë femra kishin fibrimiomë, pa e ditur dhe pa pasur pasoja për këtë patologji. Sidoqoftë, pavarësisht natyrës që ka, unë ju këshilloj urgjentisht një konsultë me gjinekologun. Duhet të jeni gjithnjë nën vëzhgimin e tij. Këto që ju thashë, duhet të bëhen patjetër sepse janë të domosdoshme. Mos e nënvleftësoni!