– A shkaktojnë dhimbje vizitat te gjinekologu?

– Mos kini frikë nga vizitat te gjinekologu! Janë të shumta gratë që hezitojnë të shkojnë tek gjinekologu, por më pas e kuptojnë se frika e tyre ka qenë e kotë.

– Si duhet të përgatitesh për vizitën?

– Për të mos harruar asgjë, duhet të përgatiteni që më parë dhe t’i thoni doktorit se çfarë ju shqetëson. Shënoni në një bllok datat dhe kohëzgjatjen e menstruacioneve. Kështu, ai do ta ketë më të lehtë për të vlerësuar rregullsinë e tyre. Nëse keni ndjekur trajtime hormonale, mundohuni të kujtoheni përse, nëse kanë qenë efikase dhe nëse trupi juaj ka reaguar pa probleme. Nëse keni përdorur pilula të ndryshme, kujtohuni pse i keni ndryshuar.

– Pse duhet krijuar një dosje gjinekologjike?

– Është mirë të keni një dosje me analizat që keni bërë, ilaçet që keni përdorur, nëse keni bërë ndonjë operacion, të dhënat e tij, etj. Në analiza futen ato laboratorike (analiza gjaku, sekrecionesh, biopsi), si edhe eko të mitrës apo gjoksit, të cilat nuk duhet të harroni t’i merrni me vete sa herë të shkoni te mjeku. Nëse zbulohet ndonjë anomali, si për shembull gjatë mamografisë, është mirë të krahasohen me ato të vitit të kaluar.

– Si të lësh takim?

– Lini takim pak ditë më parë, sidomos nëse doktori juaj është shumë i zënë. Kjo do t’ju lejojë të zgjidhni më mirë ditën dhe orarin që ju leverdis. Evitoni sigurisht periudhën kur mendoni se do të keni menstruacionet, mos bëni larje vaginale, as mos përdorni ovula, sepse do të ndryshonte analizën e sekrecioneve, nëse do të ishte e nevojshme të bëhej.

– Si bëhet konsulta?

– Së pari, doktori do t’ju pyesë për arsyen që ju ka shtyrë të vizitoheni. Folini atij hapur dhe pa u ndjerë në siklet. Ai mund t’ju bëjë pyetje në lidhje me precedentët tuaj, mënyrën tuaj të jetesës dhe problemet që keni. Precedentët familjarë: Disa sëmundje, si diabeti, anomalitë yndyrore, ose sëmundjet e enëve të gjakut, mund të jenë të trashëgueshme. Po kështu, nëse në familjen tuaj dikush ka vuajtur nga kanceri i gjoksit, mundësitë për ju nga ana statistikore janë më të larta, prandaj duhet pasur edhe kujdes më i madh. Gjithashtu, rol të rëndësishëm luajnë edhe precedentët tuaj mjekësorë. Tregojini doktorit sëmundjet nga të cilat keni vuajtur dhe për të cilat jeni trajtuar. Për shembull, nëse vuani nga hipertensioni, nuk mund të merrni pilulën kontraceptive. Mënyra e jetesës dhe e të ushqyerit, gjithashtu, nuk duhet neglizhuar:  Pini duhan? Bëni fizkulturë? Hani shëndetshëm?

– Cilët janë precedentët tuaj gjinekologjikë?

– Ato janë rregullsia e cikleve tuaja, si edhe karakteristikat e tyre (sasia, kohëzgjatja, dhimbjet që i shoqërojnë, problemet paramenstruale, etj). Keni gjakrrjedhje jashtë kohës së ciklit? Cila është metoda kontraceptive që përdorni tani dhe më parë? Si ka reaguar trupi ndaj tyre? Duhet t’i tregoni mjekut edhe operacionet gjinekologjike që keni bërë dhe arsyen e tyre.

– Cilët janë precedentët obstetrikë?

– Keni fëmijë dhe si i keni lindur? Dihet tashmë se lindjet e vështira (fëmijë të mëdhenj, lindje me forceps, çarje e mitrës) mund të luajnë një rol në dëmtimin e organeve gjenitale ose në mosmbajtjen e urinës.

– Cili është aktiviteti juaj seksual?

– Keni marrëdhënie seksuale të rregullta? Nëse doni, mund t’i thoni mjekut problemet tuaja në marrëdhëniet seksuale, si dhimbje gjatë raportit, thatësi vaginale, mungesë dëshire, etj. Nëse nuk doni t’i flisni mjekut për probleme që i gjykoni private dhe nuk ndërhyjnë në motivin e vizitës, mjeku do të respektojë rezervimin tuaj.

– Mund ti thoni gjithçka mjekut?

– Mjeku duhet të respektojë sekretin profesional dhe duhet të mbajë për vete ato që ju i keni thënë. Ju nuk duhet ta shihni kurrë si një gjykatës, por si një aleat, sidoqoftë jeta juaj private. Ai duhet të qëndrojë neutral dhe të mos mbajë fjalime moralizuese.

– Si bëhet ekzaminimi gjinekologjik?

– E përsërisim edhe një herë, ai nuk shkakton dhimbje dhe nuk duhet të zgjasë më shumë se disa minuta. Zakonisht, bëhet në një dhomë veç zyrës, ose i ndarë nga ajo me një perde. Fillon me një ekzaminim të gjendjes së përgjithshme, ku mjeku vlerëson morfologjinë tuaj, gjatësinë, peshën, tensionin arterial dhe gjendjen e enëve të gjakut. Pastaj, ju uleni në tavolinën e mjekut, me këmbët e hapura dhe të vëna në një lloj shale. Mjeku inspekton shpejt zonën tuaj vulvare, nga e cila mund të dallohet me lehtësi nëse keni ndonjë mykozë (infeksion mykotik që ndodh shpesh te gratë), pasi vulva paraqitet e kuqe dhe e enjtur. Më pas, ai vazhdon ekzaminimin me anën e spekulumit.

– Çfarë është spekulumi dhe për çfarë shërben ai?

– Spekulumi është i domosdoshëm për ekzaminimin gjinekologjik, sepse lejon të shihet qafa e mitrës. Është një instrument në formën e sqepit të patës, që zotëron dy valvula të ngjitura. Ekzistojnë disa madhësi të ndryshme, të përshtatshme për anatominë tuaj, bile edhe një për penisin. Spekulumi vendoset me delikatesë në vaginë, duke hapur buzët e mëdha e të vogla, për të mos ju shkaktuar dhimbje. Ai futet i mbyllur, por pastaj hapet me anën e një vide, duke hapur kështu paretet e vaginës për të parë më qartë qafën e mitrës. Spekulumi mund të jetë metalik (dhe sterilizohet pas çdo përdorimi), ose plastik dhe njëpërdorimësh. Falë tij, mjeku mund të gjykojë gjendjen e qafës së mitrës për ndonjë enjtje (cervicit), ose ekzistencën e sekrecioneve anormale. Ai mund të bëjë marrjen e sekrecioneve me anë të një shkopi të hollë e të gjatë, që ka në majë pak pambuk. Në përgjithësi, këto marrje nuk shkaktojnë dhimbje, megjithëse disa herë shkaktojnë ndjesi bezdie. Spekulumi pastaj mbyllet dhe hiqet ngadalë.

– Si praktikohet prekja vaginale?

– Pas vizitës me spekulum, mjeku do të praktikojë prekjen vaginale; ai do të fusë një ose dy gishta në vaginë, pasi të ketë veshur një dorezë plastike. Kjo prekje, e shoqëruar me atë të dorës tjetër, në fund të barkut, bën të mundur të dallohet madhësia e mitrës, pozicioni, ndjeshmëria, lëvizshmëria, bile edhe gjendja e vezoreve. Ekzaminimi mbaron me vizitën dhe palpimin e gjoksit. Zakonisht, e gjithë kjo procedurë nuk zgjat më shumë se pesë minuta.

– Cila është higjiena e një kabineti gjinekologjik?

– Higjiena duhet të jetë shumë strikte. Dorezat dhe gjithë instrumentet duhet të jenë ose njëpërdorimëshe, ose të sterilizuara (spekulumi). Letra që mbulon krevatin e vizitës duhet ndërruar pas çdo përdorimi, ndërsa mjeku i lan duart me sapun ose alkool, para dhe pas çdo vizite.

– Kur përfundon vizita?

– Ndërkohë që ju visheni, mjeku kthehet në zyrën e tij, përgatit recetën dhe shkruan analizat shtesë që duhet të bëni. Më pas, ai do t’ju bëjë të ditur konstatimet e tij, diagnozën dhe propozimet e trajtimit. Ai ka edhe rol parandalues, informues, edukues. Nëse nuk kuptoni diçka dhe jeni e shqetësuar, mos hezitoni t’i bëni pyetje; ai do t’ju japë gjithë shpjegimet e duhura. Kështu, vizita do të kthehet në dialog. Ju duhet të dilni nga kabineti, e informuar dhe e siguruar. Kjo është e rëndësishme, sepse ka lidhje me trupin dhe shëndetin tuaj.      

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *