– Jam R. Menkollari, emigrant në Itali, me banim në Parma. Jam 65 vjeç dhe në Itali, kam punuar me sigurime shoqërore të regjistruara në INPS, gjithsej 6 vjet, nga viti 2006 deri në vitin 2013. Aktualisht, nuk jam në marrëdhënie pune. Në Shqipëri kam punuar në kooperativën bujqësore, gjithsej 10 vjet dhe kam paguar kontribute si bujk privat, prej vitit 1994 deri në vitin 2005. Dua të më informoni se çfarë mund të përfitoj nga sigurimet shoqërore në Itali dhe në Shqipëri? Kur mund të më jepen këto përfitime, në rast se përfitoj?
Naim Balluku, Zv. President, përfaqësues i degës INAS për Shqipërinë: – I nderuar letërshkrues, bazuar në Reformën “Monti”, në fushën e sigurimeve shoqërore, për t’u përfshirë në kushte pensioni është e nevojshme që qyetari të ketë jo më pak se 20 vite punë me kontribute. Por është dhënë një mundësi për të siguruarit pas periudhës 1.1.1996, të cilët mund të përfitojnë pension edhe me 5 vite kontribute. Për këtë kategori të siguruarish, nuk ruhet mosha e daljes në pension sipas kërkesave të përcaktuara sipas kësaj reforme, që është 66 vjeç për burrat, por përfitimi i këtij pensioni do të jepet në moshën 70 vjeç. Pra, përderisa ju keni një vjetërsi kontributive prej 6 vitesh, jeni në kushte pensioni, por këtë do ta përfitoni kur të plotësoni moshën 70 vjeç.
– Përsa i përket pensionit që mund të përfitoni në Shqipëri, sqarojmë sa më poshtë: Bazuar në nenin 31 të Ligjit nr. 7703 datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, personat e siguruar kanë të drejtë për pension pleqërie të plotë në moshën 65 vjeç burrat dhe 60 vjeçe gratë, pasi të kenë plotësuar 35 vite sigurim. Sipas deklarimit që bëni në kërkesën tuaj, nuk plotësoni një vjetërsi kontributive prej të paktën 35 vitesh për të përfituar pension të plotë, por plotësoni kushtet për pension të pjesshëm. Bazuar në nenin 34 të ligjit të cituar më lart, personi i siguruar për një kohë më pak se 35 vjet dhe më shumë se 15 vjet sigurimi, ka të drejtë të përfitojë pension të pjesshëm, kur të arrijë burri moshën 65 vjeç dhe gruaja, moshen 60 vjeçe. Pensioni i pjesshëm caktohet si pjesë e pensionit të plotë. Ky pension llogaritet duke shumëzuar pensionin e plotë me vitet e sigurimit dhe duke bërë pjesëtimin me 35. Duke qenë se ju keni një vjetërsi kontributi prej rreth 20 vitesh, kur të plotësoni moshën 65 vjeç, do të përfitoni pension të pjesshëm. Sipas deklarimit, keni 10 vite në kooperativë bujqësore dhe rreth 10 vite, si i vetëpunësuar në bujqësi. Sigurimi si i vetëpunësuar në bujqësi, konsiderohet i njëjtë me të siguruarit si të vetëpunësuarit në qytet. Pra, ju do të përfitoni një pension të ndërmjetëm, të llogaritur 10 vite si punonjës i ish-kooperativës bujqësore dhe pjesa tjetër, si i vetëpunësuar, i njëjtë si në qytet. E drejta për këtë pension do të lindë ditën që do të plotësoni moshën 65 vjeç. Ju falënderoj për besimin.