EDI RAMA

Këtë javë që u mbushën plot 300 ditë nga fillimi i qeverisjes, deshëm të takojmë zotin Edi Rama, kryeministrin tonë, por nuk mundëm. Me zotin Rama deshëm të zhvillojmë një intervistë pikërisht për këto 300 ditë, për arritjet e qeverisë së tij, për ato që ka bërë dhe për ato që duhej të bënte dhe që nuk i ka bërë. Do të deshëm ta pyesnim sidomos për një merak te vjetër të tij, që në kohën kur ishte kryetar i bashkisë në Tiranë, për fasadat. Se na duket që gjatë këtyre 300 ditëve të para të qeverisë së tij ai ka bërë vetëm fasada. Ja, deshëm ta pyesnim atë, a ka qënë ndonjëherë ai në spitalin e QSUT për shembull? Aty është rregulluar vetëm fasada, lulishtja, ndërsa brenda është si më parë, i njëjti qelbësirllëk e korrupsion. A e di ai se sa veta janë punësuar gjatë këtyre 300 ditëve, se mbi 90 për qind e të punësuarve të rinj, veç atyre që punojnë në administrata janë në call center? A e di ai që veç fasonëve nuk është hapur pothuajse asnjë aktivitet i ri prodhues? Apo atij i mjaftojnë vetëm fasadat e zyrave të punës që, të themi të drejtën, shkelqejne? A e di ai se pas fasadës së bukur të plazheve të sistemuara e me biblioteka në Golem, fshihen liqee të tërë me ujra të zeza që derdhen ngadalë-ngadalë ne det? Gjatë këtyre 300 ditëve vërtet janë prerë dy kanalet kryesore të ujrave të zeza, por nuk është bërë asgjë për kanalizimet e mijra pallateve e lokaleve në atë zonë që janë të gjitha me gropa septike? A e di ai se…? Mund të vazhdonim gjatë me këto pyetje dhe mbas tyre një lutje do donim t’i bënim zotit Rama: Të lutemi, lëri fasadat, formën dhe merru pak me përmbajtjen, 600 ditët e ardhshme, që ne, populli, të rrojmë të paktën 300 ditë të lumtura…

 

BLEDI ÇuçI

Deshëm të intervistonim këtë javë edhe ministrin e Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi. Deshëm ta pyesnim për reformën territoriale e cila këtë javë u diskutua në Kuvend. Si shpjegohen ndryshimet që ju bënë projektit këtë javë? Në projektin e qeverisë ishin 47 zona territoriale, ndërkohë që pasi u fut edhe një parti në diskutime, u shtuan menjëherë edhe 14, u bene 61! Si ndodhi kjo? Po sikur të futet edhe PD-ja dhe të kërkojë edhe 24 të tjera ç’do të ndodhë? Apo “shyqyr të vijë se do e bëjmë edhe me 100 zona”… Kështu do të bëhen kursimet që ka premtuar Qeveria, duke shtuar ujë e shtuar miell?!

 

MILENA HARITO

Me Milena Hariton, ministre për Inovacionin dhe Administratën Publike deshëm të bënim këtë javë një intervistë për emërimet e reja të Qeverisë. Dhe donim t’i bënim vetëm një pyetje: Pse po emërohen drejtorë kaq shumë njerëz të dënuar? A kontrollohen biografitë e njerëzve para se të emërohen? Mos zgjidhen pasi partia ka “detyrime” ndaj këtyre njerëzve? Apo zgjidhen me qëllim njerëz të tillë ? Mos vallë të kesh qenë i dënuar ështe kusht që të zgjidhesh drejtor, apo… edhe deputet sot?

 

SALI BERISHA

Shumë lexues na u shkuajtën këtë javë duke na kërkuar një intervistë me zotin Sali berisha në lidhje me vrasjen e Azem Hajdarit, sepse intervista nga burgu e Jaho Mulosmanit, të dënuar për vrasjes e Azemit bëri shumë punë. Por nuk mund ta takonim këtë javë edhe pse bëmë gati shumë pyetje për zotin Berisha. Sepse edhe ne ajo intervistë na lindi shumë pyetje për të: Eshtë e vërtetë se zoti Berisha i ka premtuar Fatmir Haklajt 200 milionë dollarë në shkëmbim të heshtjes?  Eshtë e vërtete kjo? Nëse jo, pse nuk e përgënjeshtron zoti Berisha këtë thënie? Ku do t’i gjente zoti Berisha 200 milionë dollarë? Se 200 milionë karamele është vështirë të gjesh e jo më 200 milionë dollarë? Pse kishte frikë zoti Berisha nga Haklajt? Eshtë e vërtetë se zoti Berisha e nxorri nga jashtë nga PD-ja Azemin? Kë po prisnin ata gjithë ditën ditën para PD-se? Mos kishin ndonjë problem me Berishën? Eshtë e vërtetë se ai e ka dhe nuk e dorëzon celularin e të ndjerit Azem?

 

ARANIT Çela

Me siguri lexuesit e rinj nuk e njhin këtë emër, ndërsa të vjetrit, po. Ka qenë kryetari i Gjykatës së Lartë të kohës së komunizmit për 34 vjet rresht. Me të deshëm të bisedojmë pak për korrupsionin në gjykata. Si ja bënin në atë kohë që korrupsioni ka qënë zero, që vendimi i gjykatësit ishte i padiskutueshëm e që ligjet zbatoheshin në mënyrë perfekte?!… “Eh, edhe ju të “Intervistës”, mund të thotë dikush, pse shembull nga diktatura do të marrim ne?!”. Pse jo? Pse të mos e kopjojmë diktaturën për gjërat e mira që ka patur? Në fund të fundit edhe demokracia diktaturë është, diktaturë e ligjit…

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *