BUJAR NISHANI

Ishte e pamundur ta takoje këtë javë Presidentin Bujar Nishani. Madje ai, jo vetëm që nuk rezervon asnjë takim me gazetarë, por edhe ka vendosur një “heshtje shtypi”. Ç’ka ndodhur kështu me Presidentin tonë të nderuar?! Pse nuk po flet? Dhe, ka patur plot gjëra për të cilat ai mund të prononcohej: Mund të deklaronte diçka për aksionin e policisë në Lazarat, apo për marrjen e statusit të vendit kandidat. Por jo, asnjë reagim. Dhe, të mendosh që ky President është prononcuar edhe për hallet e një grupi artistësh të Operas, për aeroplanin e drogës që iu thye rrota në Divjakë e për grevën e të përndjekurve politikë, ndërkohë që, për çudi, këto ditë po hesht. Pse vallë? Çfarë ka ndodhur me Presidentin tonë të nderuar?!

 

STEFAN FYLE

Deshëm të takonim këtë javë edhe komisionerin europian për zgjerimin e BE-së, Stefan Fyle. Korrespondenti ynë në Bruksel u përpoq, por zoti Fyle ishte në atdheun e tij, në Çeki. Deshëm ta pyesnim nëse janë të vërteta ato që shkruan gazetat këtë javë, se votën çeke për marrjen e statusit si vend kadidat ne “e blemë” duke i paguar CEZ-it çek plot 95 milionë euro dhe për këtë, ndërmjetësi ishte ai. Madje, ai erdhi para ca ditësh në Tiranë vetëm për këtë punë… Nëse është e vërtetë kjo, atëhere qënkemi gëzuar dhe e paskemi uruar kot njëri-tjetrin, se statusin e paskemi blerë shtrenjtë. Vetvetiu, na vjen ndërmend një pyetje për zotin Fyle: Kur statusin e blemë 95 milionë euro, po anëtarësimi në BE, sa kushton vallë?

 

SHKELQIM CANI

Ministrin tonë të Financave deshëm ta pyesnim pak për problemin e 95 milionë eurove që shteti ynë do t’i paguajë CEZ-it çek. Këtë javë, ai deklaroi se ato para nuk do të dalin nga buxheti i shtetit, por nga CEZ-i. Po ku do t’i gjejë CEZ-i ato para? Dihet se ai, kohët e fundit, ka qenë me humbje dhe nuk besoj se do të jetë shumë më mirë tani. Do të rrisë tarifat e energjisë elektrike, apo do të marrë kredi për të paguar borxhet? Në të dyja rastet, jemi ne, qytetarët, që do të paguajmë…

Edhe një pyetje tjetër do t’i bënim zotit Cani, edhe pse nuk ka të bëjë shumë me të, por me paraardhësit e tij: Nëse CEZ ka aftësinë të nxjerrë në 5 vjet 95 milionë euro, atëhere, si u shit ai pesë vite më parë vetëm 103 milionë euro?! A jep dot zoti Cani një shpjegim për këtë?

 

LULZIM BASHA

Nuk takuam dot këtë javë as kryetarin e PD-së, Lulzim Basha. Asnjë dalje në media, asnjë deklaratë në shtyp. Pse kështu? Mos është e vërtetë ajo që thonë “gojët e këqia”, që Doktor Berisha është bërë pishman për zgjedhjen e tij në krye të PD-së, sepse ai nuk është aq luftarak e aq i egër sa duhet me opozitën dhe se Doktori ka vendosur të marrë vetë në dorë frenat e PD-së, edhe zyrtarisht?! Mbase. Paraqitja e tij për të dytën herë brenda një jave në konferencë shtypi në zyrat qendrore të PD-së, të shtyn të mendosh që kjo është e vërtetë. Lulzim Basha, pak nga pak, po pushon së qeni edhe “de jure” kryetar i PD-së. Por, a do të jetë dakord ai me këtë? Le të shpresojmë që javët e ardhshme do të kemi një përgjigje nga zoti Basha. Përgjigje me fjalë ose… me vepra…

 

BERND BORSHARDT 

Shumë shqiptarëve, emri Bernd Borshardt, nuk u kujton asgjë, por po t’ju kujtojmë se ai është shefi i misionit Eulex (Misioni i Europës së Bashkuar për Pushtetin e Ligjit), atëhere ndryshon puna. Kemi dëgjuar vetëm lajme të mira për këtë mision, mbi punën që ka bërë ai për vendosjen e ligjit e dënimin e korrupsionit në Kosovë. Lajmi i fundit ishte ai i riarrestimit djalit të Ibrahim Rugovës, akuzuar për korrupsion, menjëherë pasi Gjykata e Apelit e nxori atë nga burgu. EULEX nuk priti, por e arrestoi përsëri, në derën e burgut. Pra, ndryshe nga Shqipëria ku gjykata nxjerr nga burgu çdo fajtor, në Kosovë, Eulex-i i merr ata dhe i fut prapë në burg. Ja, për këtë deshëm ta intervistonim zotin Bernd, të na thoshte ca sekrete të organizimit të Eulexit, që të kishim edhe ne këtu një të tillë. Mbase ai do ta shpëtonte këtë vend nga korrupsioni dhe hajdutëria…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *