Fationi është një nga ata këngëtarë që nëse e dëgjon të këndojë live, nuk mund ta harrosh. Ai rrjedh nga një familje muzikantësh, muzikën e ka në gen që nga gjyshi, babai, vëllai dhe deri te nipi, që është një ndër balerinët më të mirë të “Lincoln Center” në Nju Jork të SHBA-së. Ai ka një projekt shumë të bukur në dorë, me të cilin do prezantohet në publik. Është një klip i titulluar “Don a s’don ti”, ku ka bashkëpunuar me emra të suksesshëm në krijimtarinë muzikore. Neve nuk na mbetet gjë tjetër, vetëm t’i urojmë suksese Fationit dhe ju ftojmë të lexoni në vazhdim intervistën që kemi realizuar me të!
Fabjola Kuburi: – Fation, përshëndetje dhe mirë se rdhe në faqet e gazetës sonë!
Fation Hoxha: – Mirë se ju gjej juve dhe lexuesit e gazetës suaj!
– Fation, për ata që të njohin dhe për ata që nuk të njohin, si i hyre botës së muzikës?
– Unë jam një këngëtar tirons i vjetër, me një dashuri dhe pasion të madh për këngën popullore shqiptare. Këndoj live sepse ashtu e ndiej këngën edhe më afër. Kam vite që këndoj muzikë, kam kënduar në Shqipëri por edhe jashtë saj, gjithmonë live. Tani jam angazhuar që të realizoj sa më shumë klipe.
– E mban mend kur ke kënduar për herë të parë dhe cilën këngë ke kënduar?
– Kam qenë shumë i vogël dhe kam kënduar në një gëzim familjar. Ishte një e kënduar spontane sepse askush nuk kishte planifikuar asgjë.
– Si u ndjeve?
– Kam ndjerë emocione të jashtëzakonshme, edhe pse kam qenë shumë i lirshëm. Në fakt, tani kam më shumë emocione, gjithsesi. (Buzëqesh)
– Çfarë vendi zë kënga në jetën tënde?
– Zë një vend shumë të madh, për të mos thënë vendin kryesor, sepse në vend të parë qëndron familja.
– Përveç muzikës, merresh me diçka tjetër?
– Po, unë kam një kompani timen për dhënien me qira të makinave për nuse, një biznes të cilit i kushtoj goxha kohë.
– Kënga, është pasion apo profesion për ty?
– Para disa vitesh ishte pasion, ndërsa tani, edhe profesion.
– A shikon edhe anën financiare në të kënduarit live?
– Po, realisht shikohet si biznes, sepse fitohet, por për mua ka qenë pasion i hershëm, ëndërr e kthyer në realitet.
– Kush i ka thënë Fationit që di të këndojë?
– Nuk është se ka qenë dikush në veçanti, sepse unë rrjedh nga një familje që e ka muzikën në gen, që nga gjyshi, babai, vëllai dhe po ashtu kam një nip që është balerin në SHBA, në “Lincoln Center” në Nju Jork. Kjo tregon që muzikën e kam të lindur dhe trashëguar brez pas brezi.
– Me cilën nga këngët e tua ndihesh më i lidhur?
– Unë kam kënduar dhe këndoj shumë këngë, por ajo me të cilën jam shumë i lidhur është kënga “Don a s’don ti”, këngë e cila është edhe projekti im i fundit, ku kam bashkëpunuar me emra të talentuar në krijimtarinë muzikore si Alfred Almadhi, Mario Leka dhe Adi Malaj.
– Pse ke përzgjedhur pikërisht këta emra për bashkëpunim?
– E para, sepse kemi miqësi prej vitesh dhe e dyta, se në punojmë bashkë nëpër evente të ndryshme dhe gëzime familjare ku na ftojnë.
– Ke plane për ndonjë bashkëpunim?
– Faktikisht, bashkëpunimet janë në trend, kanë rezultuar goxha të suksesshme dhe mendoj se në të ardhmen do konkretizoj ndonjë të tillë. Ende nuk mund të them se me kë do jetë bashkëpunimi por me emra të suksesshëm, sigurisht!
– Cilat janë shtyllat e tua mbështetëse?
– Familja ime është shtylla e vetme që më ka qëndruar gjithmonë afër dhe nuk jam ndier asnjëherë vetëm.
– A ka ende këngëtarë profesionistë, duke qenë se tashmë gjithçka po materializohet?
– Ka mbetur, por me kokrra. (Buzëqesh)
– Të pëlqejnë ndryshimet?
– Më pëlqejnë dhe nuk i kam frikë. Jam optimist si person dhe mendoj gjithmonë se gjërat do ecin mbarë.
– Me rrjetet sociale je i lidhur?
– Të them të vërtetën, nuk jam shumë i lidhur, por duke qenë se dashje padashje janë bërë pjesë e jetës dhe e punës, i ndjek edhe unë.
– Vetëm Facebook-un përdor?
– Po, vetëm Facebook-un. Duket më praktik, edhe pse unë nuk e përdor shumë.
– Je i lodhur nga puna natën?
– Kam shumë vite që këndoj natën dhe të them të drejtën, më mungon gjumi i natës. Por, kush e do muzikën dhe ka talentin e të kënduarit live, duhet edhe t’i përkushtohet dhe të bëjë njëfarë sakrifice për muzikën.