Ke takuar një djalë simpatik, që mendon se është dhuratë e qiellit. Për momentin ai është i përkryer për ty… Pastaj ai fillon të hapet (sepse edhe ti i pëlqen) dhe thotë diçka që të bën të mos ndjehesh rehat, ose që të duket e çuditshme. Ja ku u ngritën disa barrikada të padukshme mes teje dhe atij. Gjatë gjithë pjesës tjetër të takimit ti do të mendosh “Pse e tha diçka të tillë?”. Në fund të takimit, ai ka mbetur i hutuar dhe ti gjithashtu. Kështu, do të pyesësh veten se pse tre ditë pas takimit, ai akoma nuk të ka marrë në telefon…
Mos u tremb!
Ne gratë, jemi të zonjat për të predikuar “standardet e mira”, për shembull: të jesh i sjellshëm, të mos e gjykosh tjetrin para kohe, të jesh i mirë dhe i vëmendshëm. Megjithatë, nuk jemi të afta për t’i vënë në praktikë kur vjen puna te takimet dashurore. Kur fjala “takim” hyn në mendjen tonë, ngrihen disa barrikada dhe paragjykime… të këqija. Pse ndodh kjo? Sepse kemi frikë mos na lëndojnë përsëri. Lëndimi emocional është shumë më i keq se ai fizik, ndaj vetëm për shkak të kësaj frike, ne nuk do të hezitonim aspak të hiqnim dorë nga një njohje vërtet interesante…
Megjithëse na duket shumë normale të praktikohemi për një intervistë pune, të stërvitemi për një maratonë dhe të bëjmë joga për të përmirësuar elasticitetin tonë, na duket e pamendueshme të bëjmë praktikë për takimet. Ne mendojmë se “I duhuri” do të shfaqet në mënyrë magjike kur t’i vijë koha. Detaje të tilla të “vogla”, si fakti që edhe ne duhet të jemi emocionalisht dhe fizikisht “të gatshme” kur “Ai” të shfaqet, nuk na shkojnë fare nëpër mend. Fakti që ke ngritur pengesa tregon se ti ke bllokuar një mundësi që me rastin e parë të panikut. Çfarë të bësh për të shtuar shanset e partnerit të mundshëm? Po, ashtu si në një stërvitje fizike, duhet të vazhdosh të praktikosh takimet. Ja, disa këshilla për t’u ndjekur:
– Kur je gati të takosh një djalë që ia vlen, bëji vend atij në jetën tënde. Megjithëse ti je ende duke e kërkuar, koha që supozohet të kaloni së bashku në një të ardhme jo shumë të largët, duhet t’u dedikohet ekskluzivisht aktiviteteve që do të zhvilloni së bashku. Pra, bëhu gati t’i dedikosh atij kohën e duhur. Nëse për momentin nuk njeh ndonjë partner potencial, atëherë kushtoji kohë përgatitjes së takimit dhe karakteristikave që kërkon te një burrë. Pasi ta kesh bërë këtë, do të jesh më e gatshme për takime të reja.
– Mos gjyko vetëm me një takim. Shumë grave u duken takimet një eksperiencë e dhimbshme. Disa e përballojnë këtë me trimëri. E vërteta është se çdokush mund të lëndohet pak gjatë procesit të kërkimit dhe për këtë, duhet të jesh e përgatitur.
– Puno me veten për të pasur më shumë vetëbesim, jo arrogancë. Ekziston një vijë e hollë mes këtyre të dyjave. Ti mund të jesh e sjellshme, e qetë dhe me besim në vetvete. Disa djem, kur përpiqen të të bëjnë përshtypje, duken agresivë. Kjo ndodh ngaqë atyre u mungon besimi në vetvete. Sigurohu të mos bësh të njëjtin gabim.
– Kur vjen puna te takimet, gratë shpesh bazohen tek intuita. Si rezultat, ndodh shpesh që ato që kanë pak besim në vetvete, të bien në kurthin e një djali që di të “shesë” veten. Gratë shpesh mendojnë se ekziston një lloj tërheqjeje kimike, ndërkohë që ato thjesht impresionohen nga aftësia e djalit për të shkëlqyer. Zhgënjimi vjen vetëm më vonë. Kështu pra, nëse një djalë të duket interesant dhe të bën të qeshësh, por nuk ndjen afërsi, ose diçka tjetër ndaj tij, jepi atij edhe një ose dy shanse të tjera. Edhe djemtë krijojnë barrierat e tyre në takimin e parë, prandaj është e vështirë të krijohet afërsia që në fillim.
– Vazhdo takimet, në internet, jashtë tij… Ti do të takosh shumë njerëz të rinj, të cilët mund të bëhen miqtë e tu, ose ata mund të të prezantojnë dikë që është i duhuri për ty. Dhe, nëse një shoqe të ka thënë se e ka kuptuar që në takimin e parë se ai ishte “I duhuri” për të, ajo ndoshta nuk do që ti të mësosh se sa bretkë ka puthur para atij takimi me “princin”…