Xhaxhai po jepte shpirt
– Kam parë në ëndërr xhaxhain tim që po jepte shpirt. Ishte një ëndërr shumë e trishtueshme, saqë nga tmerri që provoja, nuk qaja dot, edhe pse doja të nxirrja zërin. Jam shumë e lidhur pas xhaxhait, se babain nuk e kam.
– Së pari, ëndrra tregon lidhjen tuaj të fortë me xhaxhain dhe frikën se mos e humbisni. Nuk keni pse të shqetësoheni sepse ai vetë ka jetë të gjatë. Nëse keni frikë se e humbisni nga ana shpirtërore, për shkak të një situate apo veprimi që mund të keni bërë, atë situatë mund ta rregulloni vetëm ju. Ëndrra tregon se ju po fshihni diçka që ju ka ndodhur ose që keni bërë. Duke patur frikë se mos e marrin vesh të tjerët, po përpiqeni me shpirt që ta mbani për vete. Sidomos nga xhaxhai ruheni shumë, ama kjo gjë duket sikur po ju lëndon juve më shumë. Ndoshta duhet ta bisedoni me dikë, jo me xhaxhain, por me nje shoqe apo shok tek i cili keni besim. Çfarëdo të jetë, keni nevojë ta ndani me dikë dhe të përballeni me çdo lloj gjykimi. Më mirë të çliroheni një herë e mirë sesa të ndjeni sikur po mbyteni.
Mora dy plumba
– Isha në një park dhe një shoku im më tha: “Pse nuk shkojmë në gjueti?”. Ndërkohë që ishim duke folur, unë sikur mora dy plumba, një në kraharor dhe një tjetër, pas shpine. Më dërguan në spital, ku më bënë operacion dhe unë e shikoja gjithçka me vetëdije. U thoja doktorave: “Ju lutem, mos i tregoni familjes sime sepse do të shqetësohen shumë”. Ashtu, u zgjova. Pres një përgjigje. Faleminderit.
– Plumbat tregojnë se do të përballeni me një situatë ose një person. Ndiheni pak të shfrytëzuar ose të viktimizuar nga situata ose personi që keni më afër apo me të cilin keni debatuar kohët e fundit. Plumbat janë durimi që keni ju ndaj çdo gjëje. Keni marrë plagë, lëndoheni dhe përsëri duroni. Spitali tregon që ka ardhur koha të shëroni plagët tuaja dhe ta ndani çdo shqetësim me familjen. Nuk keni pse të fshiheni dhe ta mbani çdo gjë për veten tuaj, ndryshe do të lëndoheni akoma më shumë dhe do të ndiheni të vetmuar. Do ishte më mirë të kërkonit mbështetjen e familjes ose të ndonjë personi që e konsideroni shumë familjar në jetën tuaj. Ju uroj shëndet!
Merimangë e madhe
– Një natë pashë në ëndërr një merimangë shumë të madhe në dhomën time. Doja ta mbysja, por më vinte shumë keq sepse ajo lëvizte, por nuk më bënte gjë. Thjeshtë e kisha shumë bezdi dhe thoja me vete: “Kjo nuk është shtëpia ime, nuk duhet të jem këtu”. Jam në pritje të një shpjegimi. Bona.
– Merimangat përgjithësisht përfaqësojnë intrigat, ngatërresën, kontrollin, por edhe krijimtarinë ndonjëherë, gjithmonë në varësi të ëndrrës. Në rastin tuaj, ëndrra tregon se si ndiheni ju në vendin ku jetoni. Ju duket vend me intriga dhe me shumë ngatërresa. Edhe pse është shtëpia juaj, nuk e ndjeni të tillë. Fakti që nuk e vrisni merimangën në ëndërr tregon se pavarësisht dëshirës që keni për të dalë nga ai ambient, përsëri nuk e gjeni forcën brenda vetes që të dilni. Gjithë ankthi juaj do të marrë fund kur të bëheni më e guximshme. Ju uroj guxim!
I dashuri dhe zjarri
– Kam parë në ëndërr sikur shkova të merrja motrën në një qytet shumë të largët dhe u kthyem më këmbë për një kohë shumë të shkurtër. Më pas, vajtëm të flinim te shtëpia e të dashurit tim. Kur u zgjova në mëngjes, sikur isha me shokun e ngushtë. Aty ishin shumë burra e njëri prej tyre, donte të më vriste. Ai më plagosi me thikë, por ndërhyri i dashuri im dhe unë shpëtova. Më pas ra zjarr. Ne u përpoqëm të largoheshim drejt shtëpisë së tij dhe i shpëtuam zjarrit.
– Ëndrra juaj tregon se keni nevojë të rigjeneroheni plotësisht si person, sepse ndiheni pak të ngarkuar psikologjikisht. Motra jeni po ju, në situata të ndryshme. Shtëpia e të dashurit tregon nevojën për më shumë mbështetje dhe ngrohtësi. Shoku i ngushtë përfaqëson përsëri një aspekt tuajin në jetë. Plagosja është rigjenerimi juaj, që do të ndodhë shumë shpejt. Edhe mbrojtja e të dashurit është përgjegjësia e tij ndaj jush të cilën, në njëfarë mënyre, ia impononi ju më shumë, por gjithsesi, ai është pozitiv ndaj jush.