– Një person që mjekohet me tegretol, a mund të mjekohet njëkohësisht edhe me kortikosteroid nëse vuan edhe nga reumatizma? Faleminderit.
– Për këtë gjë duhet të konsultoheni me mjekun që ju ka dhënë tegretolin, sepse dihet që të dyja ilaçet, si ajo që thamë më sipër, si kortikosteroidi, janë barna të forta dhe mund të kenë efekte dëmtuese në stomak. Dihet që ilaçet për reumatizmën janë përgjithësisht shumë të rënda për stomakun, prandaj këshillohuni me mjekun që ju ka sugjeruar ta merrni këtë ilaç.
– Jam Mirela. Dua të di, çfarë i shkakton damarët në këmbë dhe si mund t’i parandaloj?
– Damarët ose venat shkaktohen nga faktorë të ndryshëm: mund të jetë e trashëguar, nga qëndrimi i gjatë në këmbë i cili rrit presionin në venat e këmbëve, por edhe nga kryqëzimi i këmbëve si dhe te gratë shtatzëna. Damarët formohen nga qarkullimi jo i mirë i gjakut, pra, janë një sinjal jo i mirë. Trajtimi i tyre bëhet duke filluar nga vetë ju dhe gjer te mjeku i cili i trajton në rrugë mjekësore. Për të shmangur formimin e damarëve, do t’ju këshillonim ecje të vazhdueshme gjatë ditës gjer në 30 minuta me këpucë të rehatshme dhe me taka gjer në 3-4 cm. Përdorni shkallët në vend të ashensorit, mos qëndroni ulur për një kohë të gjatë, praktikoni aktivitete fizike, gjatë natës flini me këmbët pak më lart se trupi, duke vendosur një jastëk poshtë tyre. Freskojini në fund të ditës këmbët me ujë të vakët dhe me kremra freskues, duke i masazhuar lehtë. Mos mbani veshje shumë të ngushta, evitoni ushqimet e thata dhe përdorni sa më shumë perime e fruta.