Dafina Dauti është nga ato këngëtare që zgjedh të vijë te publiku atëherë kur duhet, edhe pse ai e kërkon vazhdimisht. Është atraktive, elegante dhe paksa çapkëne në skenë, ndërsa mjaft e thjeshtë në jetën e përditshme. E njohur në botën e muzikës shqiptare me hitin e saj “Karamele”, në bashkëpunim me Jetonin, ajo u rrit me frymën e artit. Keni kohë që nuk e keni parë me një klip? Kjo do të ndodhë së shpejti! Ndërkohë, ajo u është përkushtuar koncerteve në Diasporë sepse muzika, që dikur e kishte pasion, tashmë është profesioni i saj… Por, ka edhe diçka tjetër ndryshe te Dafina; një sinqeritet që rrallë e gjen ndër personazhet e ekranit. Duke e lexuar këtë intervistë, do të më jepni të drejtë për këtë…
Fabjola Kuburi: – Dafina, ku ke qenë? E di që publikun e ka marrë malli për ty?
Dafina Dauti: – Përshëndetje, si jeni përsëri?! Faktikisht, kam pushuar disa muaj më parë, por që me fillimin e 2015-s e deri tani, kam dhënë rreth 15 koncerte në Diasporë, kryesisht në Zvicër e Gjermani. Por, jo vetëm kaq…
– Pse, çfarë të reje ka tjetër?
– Jam duke përgatitur projektin e ri, diçka krejt ndryshe nga ajo që kam sjellë deri tani për publikun. Për muzikën dhe tekstin është përkujdesur një ndër kompanitë më të fuqishme, “Massive Production”, që ka në krye Nurteel&Granit Gashin, ndërsa për videoklipin tashmë kam zgjedhur kompaninë “XLProvideolux”, autore e shumë klipeve të fundit që kanë pasur një sukses të jashtëzakonshëm.
– Këngëtaret sot kujdesen shumë për veten. Çfarë do të thotë sipas teje, kujdes për veten?
– Unë kam qenë dhe jam e mendimit se një njeri që nuk kujdeset për veten, nuk është njeri dhe kjo vlen veçanërisht për këngëtaret, që duhet të jenë të kuruar në detaje.
– Ty, personalisht, në fillimet e tua, a t’i ka hapur bukuria dyert për të ecur përpara?
– S’mund të them jo, madje ajo ka qenë një nga armët e forta.
– Të kënduarit, për ty, është pasion apo profesion?
– Janë të dyja nga pak. Në fillim ishte më shumë pasion, por tani është kthyer në profesion.
– Ke konkurruar ndonjëherë në ndonjë kompeticion dhe nuk ke fituar asnjë çmim, madje as nuk je nominuar?
– Faktikisht, aty ku kam konkurruar, në fund jam shpërblyer me ndonjë çmim, edhe pse nuk kam marrë pjesë në shumë kompeticione.
– Si do ndiheshe nëse njerëzit në rrugë nuk do të të njihnin? Si do të reagoje?
– Do ishte absolutisht normale, sepse jo të gjithë njerëzit duhet të na njohin. Nuk do reagoja në asnjë lloj mënyre sepse më duket normale.
– Me sinqeritet dua të më thuash: Çfarë të pëlqen dhe çfarë jo tek ata që janë pjesë e muzikës shqiptare?
– Sinqerisht të them, edhe pse nuk njihem si kritikuese e madhe e kolegëve të mi, të mirë janë të gjithë. (Qesh)
– Para disa ditësh është postuar një lajm për kujdesin që ke treguar ndaj një fanseje…
– Kur një personazh publik takon një fanse apo fans të flaktë, bëhet tepër emocional dhe as nuk di si të sillesh në ato momente. Gjithsesi, është një ndjesi e bukur dhe kënaqësi e madhe, kur di që ke njerëz që të pëlqejnë kaq shumë.
– Çfarë rrugësh mendon se të janë hapur në muzikë?
– Nuk kam diçka të veçantë për të shtuar këtu, por di të them që është bukur të krijosh emrin tënd në botën e muzikës.
– Si ndjehesh mes këngëtareve të tjera?
– Ndjehem mirë dhe me shumë prej tyre kam raporte korrekte.
– Me cilën je më e afërt?
– Me Arbnore Ademajn, që nuk është këngëtare, por moderatore te Super Sporti dhe ish-Miss Kosova. Po ashtu, me shumë të tjera nga shoubizzi.
– Ke bërë ndonjë gabim që nuk ia fal dot vetes?
– Çdo njeri gabon në këtë jetë! Edhe unë, si të tjerët, kam bërë gabime që nuk ia fal vetes, por në fund të fundit, kjo është jeta!
– Cila është pjesa e trupit që të pëlqen më shumë te vetja?
– Unë falënderoj Zotin që jam kështu si më ka falë dhe jam e kënaqur me veten. Nuk bëj dallim te pjesët e trupit.
– Domethënë, as që nuk të pëlqen nuk ke?
– Jo, nuk kam ndonjë mospëlqim.
– Pyetjes se nëse ka apo jo zili mes këngëtareve, të gjitha i përgjigjen “jo”. Edhe ti do të më gënjesh apo do të më tregosh të vërtetën?
– Është shumë e vërtetë që ka zili mes këngëtarëve, por secili duhet të dijë të mbajë raporte të mira me gjithësecilin. Nuk kemi nevojë për armiq, por për miq!
– Çfarë nuk do të harrosh asnjëherë nga ndonjë koncert që ke bërë?
– Kohët e fundit në një koncert në Mynih, në Gjermani, jam rrëzuar në skenë dhe ka qenë hera e parë që më ka ndodhur diçka e tillë. Nuk do ta harroj për shumë kohë, ndoshta asnjëherë. (Qesh)
– Ndonjëherë takat e larta janë një problem shumë i madh…
– Po pra… ky ishte problemi i vetëm që kam pas…
– Si duhet të sillet një këngëtare në skenë që ta bëjë për vete publikun?
– Më beso që është shumë e vështirë, sepse publiku nuk është gjithmonë i njëjtë dhe gjithmonë duhet patur kujdes me gjithçka brenda shfaqjes tënde.
– Cili është lajmi më i bukur që ke marrë kohët e fundit?
– Lajmet e bukura janë ato që më japin edukatoret e vajzës sime, kur më thonë që është e shkathët dhe e sjellshme. Më gëzon pa masë.
– Veshja e përditshme e një këngëtareje…
– Unë jam tip sportiv gjatë ditës, por në mbrëmje pak më klasike apo edhe pak ekstravagante, varet nga ambienti ku do shkoj. Sipas vendit, bëhet edhe kuvendi, apo jo?
– Profesioni tjetër i një Dafinës…
– Kam studiuar për Edukatë Fizike dhe profesioni tjetër, ndonjëherë kur të mos këndoj më, ndoshta do jetë mësuese.
– Kam dëshirë të të pyes… Shumë këngëtare kanë pozuar nudo në këmbim të një shifre të majme parash. Ti, do të pozoje nudo ose topless, karshi një pagese të madhe?
– Shiko si është puna… Nëse unë diçka dua ta bëj, nuk e bëj për para, por sepse unë dua dhe të betohem që për këtë pyetje nuk di se çfarë komenti të bëj.
– Si thua Dafina, ta mbyllim këtu këtë intervistë?
– Jo pa të falënderuar ty dhe këtë gazetë, që është një nga tri gazetat më të mira shqiptare. Ju uroj punë të mbarë dhe gjithë të mirat. Me respekt, Dafina Dauti!