Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

U pendova se zbatova këshillat e mjekut

Të dashur lexues, historia ime do t’ju habisë pak, por unë po e shkruaj me qëllim që askush të mos veprojë si unë e të mos bëjë gabime fatale, vetëm se është mësuar të besojë te të gjithë e sidomos te doktorët. Këtu nuk po them se nuk duhet t’u besojmë, por kur bëhet fjalë për shumë mjekime të cilat të bëjnë më keq, dihet se nuk duhen përdorur. Unë që po shkruaj këtë histori jam një nënë e cila zbatoi me përpikmëri ato që i thanë mjekët dhe nuk munda të kuptoj se nuk duhet bërë gjithçka që thuhet.
Vajza ime u sëmur në moshën 5 vjeçare. Atëherë nuk kisha fëmijë tjetër, kështu që gjithçka kisha ishte për atë vajzë. Në kopësht i kishte rënë të fikët. Menjëherë lashë punën dhe shkova tek kopshti. Kur arrita unë, vajza ishte mirë, vetëm pak si e zbehtë.
– Mos ndoshta s’ka ngrënë? – i thashë edukatores.
– Në fakt, nuk kishte shumë oreks, prandaj e ushqeva vetë më dorën time – tha edukatorja. E besova sepse ishte një njeri i mirë e gjithmonë ishte kujdesur për vajzën.
E mora vajzën në shtëpi atë ditë e kur shkova në shtëpi dhe, pasi u ngrit nga gjumi i drekës, i ra edhe një herë të fikët. U tremba se mos ndoshta kishte ndonjë gjë të keqe dhe e çova menjëherë në spital. Ata më adresuan te mjeku psikiatër. Unë refuzova të shkoja, sepse e dija që vajza ime nuk kishte problem psikike. Vetë doktori që e vizitoi më tha:
– Vetëm bëj kontroll dhe asgjë të keqe nuk ka. Duhet të jesh e sigurt që nuk ka ndonjë gjë shqetësuese dhe të rrish e qetë.
Nga këto fjalë të mjekut unë e çova vajzën te psikiatri. Ai më tha menjëherë se vajza nuk kishte probleme psikike të mirëfillta, por duhet të merrte një mjekim për qetësim. Në fakt, vajzës sime, tani që e mendoj me mendje të kthjellët, i duhej vetëm pak besim te vetja.
E kështu filloi një jetë plot me vizita e mjekime te doktorë të ndryshëm. Në fillim vajza nuk kishte ndonjë shenjë e cila sillte shqetësime, vetëm se filloi të shëndoshej pak. Pas nja dy vjetësh nisën çrregullimet e para. Ishte gati në përfundim të klasës së parë kur më telefonoi mësuesja.
– Anjeza nuk ndihet mirë. Të lutem, eja menjëherë.
– Po çfarë ka? – e pyeta e trupi po më dridhej.
– Ka një gjendje që nuk e kuptoj shumë mirë, por të lutem shumë të vish sa më shpejt.
Shkova menjëherë, madje pronarja nuk ishte aty e unë nuk mora parasysh asgjë, por lashë punën e shkova. E gjeta vajzën në një gjendje shumë të rëndë. Ajo nuk më njihte dhe për më tepër, kishte një fytyrë të ndryshme nga ajo e vetja. Dukej se ishte në një botë tjetër e nuk e dinte se kush ishte nëna e saj. Erdhi edhe burri e të dy e morëm dhe e shtruam në spital. Aty doktorët nuk e kuptonin se çfarë kishte vajza. Ata bënë konsulta dhe më thanë se dyshonin për epilepsi, mirëpo jo të gjitha shenjat e epilepsisë i shfaqeshin asaj. Shikoja në pavion ku ishte shtruar vajza ime e më dukej se ajo ndryshonte nga ata të sëmurë. Nuk është se nuk doja ta pranoja, por edhe pse nuk marr vesh nga mjekësia, kisha një parandjenjë se diçka nuk ishte e ngjashme me të sëmurët e tjerë. Këtë ia thoja shpesh doktorit të vajzës, por ai më thoshte se nuk mund ta kuptoja mjekësinë. Mua m’u fiksua kjo gjë dhe kërkova ta nxirrja vajzën nga spitali. Më duhej të firmosja se po e nxirrja kundër këshillave të mjekëve, por e kisha ndarë mendjen.
E mora vajzën në shtëpi dhe ditët e para nuk ishte mirë, por më pas i ndalova dhe ilaçet e për çudi, ajo filloi të përmirësohej. Tani, jo se u bë shumë mirë, por ishte ndryshe nga ato ditë kur merrte mjekimin. Për shumë vite i dhashë vetëm ndonjëherë ndonjë mjekim të lehtë e Zoti më bëri edhe me një djalë, i cili ishte mirë nga shëndeti. Për 10 vjet, familja jonë ishte pothuaj kështu siç e përshkrova më lart.
Anjeza, nganjëherë rrallë kishte nevojë për ndonjë qetësues, por asgjë më e rëndë. Kur Anjeza ishte 17 vjeçe, më ndodhi ajo që kishte ndodhur para shumë vitesh. Ajo ishte në gjimnaz dhe mësuesja kujdestare më mori në telefon.
– Anjeza nuk ndihet mirë! Ju lutem, ejani shpejt!
Kisha vite që nuk merrja një telefonatë të tillë. Vrapova menjëherë dhe e gjeta Anjezën si para 10 viteve. Ajo ishte në klasë bashkë me mësuesen dhe nja dy shoqe. Ndryshe nga para shumë vitesh, në fytyrën e saj ishte shtuar edhe një trishtim tjetër, trishtim ky që do të sillte edhe një gjendje tjetër të re për zemrushen time. Atë ditë e mora mjekun në shtëpi për ta vizituar dhe ai më tha se duhej ta shtroja në spital. E mendova se si isha ndjerë unë kur ajo ishte e vogël e ndodhej në atë spital, por tani që ajo ishte e madhe, do ta përjetonte shumë keq këtë shtrim, andaj vendosa të mos e zbatoj këshillën e mjekut, por mora në shtëpi mjekimet që ajo do t’i bënte në spital. Pasdite ishte mirë dhe kur ajo ndjehej se mund të fliste me mua, më pyeti:
– Më kanë parë të gjithë shokët kur u sëmura?
– Po ç’rëndësi ka kjo, zemra ime? Pse duhet të shqetësohemi për të tjerët? Ne jemi njerëz dhe të gjithë njerëzve u ndodhin gjëra të tilla.
– Mami, të lutem, m’u përgjigj. A kishte shumë shokë afër meje kur erdhe ti?
– Jo, zemër, ishin vetëm dy shoqet e tua të ngushta dhe mësuesja.
– Po cila orë ishte?
– Mesi i orës së dytë.
– Po shokët e tjerë?
– Nuk e di – i thashë – isha e hutuar e nuk i dhashë rëndësi kësaj gjëje.
– Ah, si do t’ia bëj tani? – tha ajo e sytë iu mbushën me lot.
Edhe pse e dija cili ishte problemi që e shqetësonte aq shumë, e pyeta:
– Pse, zemër? Ç’të shqetëson?
– Asgjë, jo. – tha kështu me një ton që nuk e kishte përdorur kurrë me mua e më ktheu shpinën. Atë natë ishte shumë mirë e të nesërmen shkova ta zgjoja për në shkollë.
– Nuk do të shkoj… – më tha.
– Pse, zemër? Nuk ndjehesh mirë? Të thërras doktorin?
– Jo, jam mirë, por nuk dua të shkoj në shkollë.
Nuk e ngacmova më tepër. Pasi ika unë në punë, kishin ardhur dy shoqet e saj ta takonin, por ajo nuk ua kishte hapur derën. U shqetësova për këtë fakt sepse e dija se pse e kishte bërë ajo këtë gjë. Kaloi java dhe unë nuk e ngacmova që të shkonte në shkollë, mirëpo kur filloi java tjetër, e mora me vete dhe i thashë:
– Pse nuk do të shkosh në shkollë?
– Si më pyet, mami? Si do të shkoj unë në shkollë e gjithë shkolla të tallen me mua? Të gjithë më kanë parë atë ditë e këtë e kanë komentuar e do ta komentojnë gjatë.
– Po si do të bësh? S’do të shkosh më në shkollë? Kështu u bëre edhe e vogël dhe e kalove. Ke 10 vjet që nuk je sëmurur.
– Mama, unë e kam vendosur e nuk do të ndërroj mendje. Merr raport a çfarë të duash bëj. Unë nuk kthehem më në shkollë.
E ndoshta kishte të drejtë. Për të marrë raport të gjatë duhej që ajo medeomos të shtrohej në spital. Unë nuk doja, por ajo deshi vetë. Donte që të mos kthehej më në atë shkollë e pranoi të shtrohej, por nuk e dinte se kjo do të ishte shumë e rëndë për të. Ditët e para ishte pak si e përhumbur nga qetësuesit, por ditën e tretë u bë shumë keq. E kapi një krizë që nuk e kishte kapur asnjëherë më parë. Ajo kishte bluar në mendjen e saj se herët e vonë edhe ajo do përfundonte si të shtruarit në spital. Kaloi shumë kriza. Gjendja e saj erdhi duke u rënduar dhe mjekimet që në fillim i kishte marrë vetëm për qetësim, tani ishin shtuar dhe e kishin kthyer vajzën time në një të sëmurë psikike. Kur kishte kriza, ajo ishte shumë e dëshpëruar dhe kjo e bëri që gjendja e saj të komplikohej e të arrinte fundin. Humbja e saj për mua ishte fatkeqësia më e madhe në këtë jetë. Kam frikë se kam gabuar duke u besuar doktorëve, se ajo thjesht kishte diçka të vogël që do t’i kalonte me kalimin e kohës dhe se nuk duhet ta kisha shtruar as në fëmijëri në spital, pasi ajo e mori gjithë jetën me vete këtë kujtim dhe gjithë kohës mendonte se do të përfundonte si ata pacientë që kishte në dhomë. Ky është pengu më i madh që kam… Më duket sikur kam qenë unë që ia kam “dhënë” vdekjen me duart e mia…

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Amantia Miki, zbulimi i Hekuran Krasniqit I injoroj paragjykimet!

Next Post

Djemte kerkojne vajza...

Advertisement