– Doktor Evi, prej rreth dy vjetësh jam e lidhur me një djalë dhe pas një viti lidhjeje filluam të kryenim marrëdhënie, por nuk janë shumë të shpeshta, sepse nuk kemi mundësi. Vetëm një herë në muaj apo në dy muaj. Ndonjëherë ka ndodhur edhe më shpesh, domethënë, një herë në javë; vetëm kur ishim me pushime ndodhte çdo 2 ditë ose 2 herë në ditë. Çështja është që ai ka patur ereksion, madje edhe thjeshtë me puthje e jo më shumë, por para disa ditësh, kur ishim bashkë, ai pati ereksion vetëm herën e parë dhe ajo zgjati 5 sekonda. Pastaj ai po mundohej, por nuk kishte më ereksion. Jam shumë në merak dhe nuk dua t’i bëhet psikologjike e të vuajë, ndaj desha të di, a është normale të ndodhë diçka e tillë dhe nëse po, a kalon shpejt? Pse ndodh? Faleminderit për përgjigjen tuaj.
Dr. Evi Dani, seksolog-androlog: – Nëpërmjet letrës suaj kuptoj që jemi para një momenti me impotencë seksuale psikogene. Në bazë të studimeve, gati 98 % e meshkujve gjatë jetës së tyre mund të kenë pasur një moment mosrealizimi të një akti seksual, siç i ka ndodhur të dashurit tuaj. Gjendje të tilla, për një arsye apo për një tjetër, mund t’i ndodhin kujtdo; ato janë pothuajse të zakonshme.
– Klasifikimi i impotencës seksuale është përcaktuar në bazë të shumë studimeve kur një mashkull nuk arrin të ketë ereksion për penetrim apo mbajtja e penetrimit të jetë e shkurtër për një periudhë 3-mujore. Prandaj po ju them të mos shqetësoheni herën tjetër kur të ndodhë kjo gjë sepse do t’i kalojë. I fejuari juaj besoj se do të jetë i aftë nga ana seksuale në ditët në vazhdim, pasi çdo gjë kalon. Në të kundërt, në qoftë se kjo zgjat, jeni të mirëpritur për një konsultë.
Advertisement