Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Bilbili i Veriut që këndon në mes të Athinës

Bilbili i Veriut që këndon në mes të Athinës
Përparim Guri në Shqipëri është pak i njohur, ndërsa në Athinë e njohin të gjithë artdashësit që ndjekin koncertet me këngëtarë shqiptarë pasi ai ka vite që këndon për ta. Është i pëlqyer nga të gjithë, sidomos nga emigrantët veriorë, sepse, duke qënë me origjinë nga Puka, këngët popullore të Veriut, janë “specialiteti” i tij. Për t’ ju njohur edhe ju me Përparimin ne u takuam këto ditë me të. Takimin e zhvilluam në kafenenë e tij në bulevardin “Aleksandras”, që, si emër, mban mbiemrin e tij “Guri”…
Elida Sopoti-Osmani: – Si do ta zhvillosh këtë interviste, Përparim, si këngëtar, apo pronar kafeneje?
Përparim Guri: – Natyrisht si këngëtar, edhe pse jam krenar që ja arrita kësaj dite që në mes të Athinës të kem kafenenë me emrin tim…
– Ta priste mendja kur erdhe në fillim në Greqi që do të kishe një lokal me emrin tënd?
– Të them të drejtën, jo. Dhe, besoj, se jo vetëm unë, por asnjë shqiptari që ka ardhur këtu në Greqi në vitet 90 nuk i ka shkuar mendja se mund të ndodhte që të kishte në Greqi aktivitetin e tij privat…
– Paske kohë këtu…
– Kam ardhur nga të parët, në prill të vitit 1991. Kam ardhur nga malet, duke bërë 4 ditë e netë rrugë nga Kakavija në Filipiada (qytet midis Artës e Janinës). Ecnim rrugë e pa rrugë, pa ndaluar. Ndalonim vetëm për të fjetur gjumë, ku të na zinte nata…. Ishim nëntë vetë…
– Arritët t’ i shmangeshit policisë?
– Çuditërisht, herën e parë nuk më kapi policia. Herët e tjera po….
– Pse e ke berë shumë herë rrugën nga malet?
– Po, se ishim ilegalë, pa letra. Mbaj mend një herë udhëtuam 16 ditë e gjysëm me këmbë deri në Mesologji. Ishim katër vetë. Sapo arritëm aty, na kapi policia e na ktheu mbrapsht….
– Ju keqtrajtuan?
– Jo, asnjëherë nuk më ka keqtrajtuar policia greke. Na ka kthyer mbrapsht dhe kaq….
– Po tani, je me dokumente të rregullta?
– Po, që nga 1997 i kam të gjitha letrat e rregullta…
– Ke bërë kërkesë për nënshtetësi greke si shumë shqiptarë?
– Jo, akoma, por them ta bëj, se, në bazë të ligjit, më takon se kam mbi 7 vjet i ligjshëm këtu…
– Dokumentet i ke bërë më emrin tënd, apo e ke ndërruar në emër ortodoks?
– Jo, jo, në emrin tim të vërtetë kam gjithshka, edhe lejen e qëndrimit, edhe dyqanin që kam hapur para dy muajsh…
– Që në fillim në Athinë je vendosur?
– Jo në fillim ndenja aty ku përfundoi udhëtimi me këmbë nga malet. Filipiada ishte stacioni im i parë në Greqi. Punova tre muaj aty sa bëra ca para, pastaj shkova në Patra ku punova kryesisht në pemtari, punë të cilën e bëja mirë, se në Shqipëri kisha bërë shkollën e mesme bujqësore… Më pas, erdha në Athinë, ku fillova punë në ndërtim. Arrita të krjoja edhe brigadën time të ndërtimit me 30 e ca punëtorë dhe të merrja përsipër shumë punë jo të vogla deri në ndërtime e rikonstruksione kishash…
– Nuk e ke ndjerë krizën greke domethënë…
– E ku ka emigrant që nuk e ka ndjerë krizën?!
– Ti ku e ke ndjerë konkretisht?
– Konkretisht? Prej krizës, mbylla aktivitetin e ndërtimit. Nuk ka më punë në ndërtim këtu në Greqi. Konkretisht e ndjejmë krizën çdo ditë kur shkojmë në supermarket. Me përpara me 50-60 euro mbushje gjithë karrocën, tani mezi mbush një çantë. E ndjejmë se më përpara 2-3 herë në javë me gruan e me çunin dilnim e hanim jashtë në restorant. Tani dalim një herë në dy-tre javë. Kjo është kriza… Por nuk po vdesim për bukë, jo…. (Qesh)
– Dhe megjithëse krizë sallat e koncerteve ku këndojnë këngëtarët shqiptarë janë plot…
– Po, po sallat vazhdojnë plot. Shqiptarët nuk pyesin për krizën, edhe pse, po ta shohësh, tani nuk u hedhin më para këngëtarëve e orkestrës siç bënin më parë (Qesh)…
– E di që këngëtarët shqiptarë japin më shumë koncerte në Athinë, sesa në Tiranë?
– Po dhe është normale, emigrantët harxhojnë më shumë para për qejf sesa shqiptarët në Shqipëri. Keq, keq në Greqi, por më mirë se në Shqipëri është. Në Shqipëri këngëtarët nuk paguhen kurrë sa në diasporë. Veç kësaj, njerëzit këtu i frekuentojnë më shumë koncertet sepse i kanë edhe si vende ku takohen me njeri tjetrin, si dhe ku nxjerrin mallin e vendit, sepse e ndjejne veten si në Shqipëri….
– Këndon çdo javë?
– Po, çdo javë. Vetëm në Athinë çdo fundjavë, ka 6-7 lokale ku këngëtarët shqiptarë këndojnë “lajv”, shqip…
– E përballon dot një koncert live?
– Unë kam nisur të këndoj që 7 vjeç, në qytetin tim të lindjes, Pukë. Jam rritur me këngën dhe nuk më bën përshtypje të këndoj “lajv”…
– Ç’lloj këngësh këndon më shumë?
– Këngë nga Veriu. Zakonisht, në çdo koncert, jemi dy tre këngëtarë, që këndojmë këngë të krahinave të ndryshme. Unë jam i specializuar për këngët e malësisë….
– …Që ndryshe nga këngët e jugut janë pak më epike, apo jo?
– Po, ashtu është, ne shquhemi për epizëm. Këngët që pëlqehen më shumë, janë “Shqipëri, o nëna ime” dhe “Xhamadani vija – vija”. Këto këngë e ngrejnë sallën në këmbë…
– Po për ndonjë album ke menduar?
– Po, tani jam duke përgatitur videoklipet. Sapo kam përfunduar dy që po shfaqen te Elrodi TV, një duet me potpuri te veriut me Kita Caraoshin dhe një tjetër me titull “Flutur, moj flutur”, ku këndoj vetëm…

SHQIPTAR APO GREK?
– Përparim, ke 23 vjet këtu. A ke ndryshuar? Je bërë ndopak grek?
– Jo, aspak, as jam bërë e as do bëhem grek. Kam mbetur shqiptar në çdo qelizë timen,
– A e bëjmë një test? Do të të pyes e do më përgjigjesh shkurt. Ok? Fillojmë: Kur të pyet ” Nga je?”, një turist, si i thua, shqiptar apo grek?
– Kurrë nuk kam thënë që jam as vorioepiriot e as grek. Gjithnjë kam thënë shqiptar….
– Preferon buzukun, si grekët, apo klubet në jetën e natës?
– Preferoj buzukun, jo sepse jam bërë grek, por sepse jam këngëtar e pëlqej të shikoj kur këndojnë “lajv”.
– Kur shkon per t’u argëtuar, a kërcen si grekët sipër tavolines, apo si shqiptarët, në pistë?
– Zakonisht nuk lëviz fare. Dëgjoj muzikë e kënaqem…
– Do preferoje të kërceje Zebetikon, apo vallen pukjane të Kabashit?
– Vallen e Kabashit, natyrisht.
– Në mëngjes, pi frape, apo kafe turke?
– Kafen turke nuk e pi kurrë. Pi Neskafe në dimër e fredokapucino në verë
– Pëlqen paidhaqet greke, apo fërlik?
– Fërlikun dhe mezi po pres që ta bëj për pashkë…
– Uzo apo raki?
– Raki, sidomos raki thane nga Shqipëria.
– Preferon musakane greke, apo groshët shqiptare?
– Groshën e Pukës
– Xaxiqi, apo thjeshtë salce kosi?
– Salcë kosi.
– Hamburger, apo sufllaqe?
– Nuk i preferoj fastfudet
– Salçice, apo llukanik?
– As njerën e as tjetrën: Suxhuk Kosove. Vdes për atë.
– Preferon t’i bësh pushimet në plazhet shqiptare, apo ishujt grekë?
– Deti është më i pastër këtu…
– Pëlqen të jetosh në Tiranë, apo Athinë?
– Në Athinë. Në Tiranë ka shumë pluhur e rrëmujë
– Preferon të dëgjosh Ana Visin apo Vaçe Zelën?
– Vaçe Zelën pa dyshim
– Saki Ruvas, apo Ardit Gjebrean?
– Arditin
– Kush të bën më shumë për të qeshur: Agron Llakaj, apo Lakis Lazopoulos?
– Të dy janë numrat 1. Agroni në Shqipëri e Lakis këtu. Por Lakis është edhe një analist i ngjarjeve politike, është, si të thuash, një analist që të bën për të qeshur
– Në shtëpi shikon Top Channel apo Mega-n?
– Televizioni ynë në shtëpi rri vetëm te Topi
– Do të të thonë “sagapao”, apo “te dua”?
– Me këtë fytyrë që kam unë, kush më thotë sagapo?! (Qesh)
– Kur nxehesh, thua “Sto dhjavolo”, apo “Në djall shkofsh”?
– Nuk shaj kurrë.
– Do të doje një karrierë në Shqipëri, apo Greqi?
– Në Greqi. Në Shqipëri duhet të hedhësh shumë para që të bëhesh i njohur…

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Fiksimi im je ti...

Next Post

Shkënda Dubova: Më ka bërë të ndihem keq...

Advertisement