Bes Kallaku: Boll u morët me mua!
Lajmit që po qarkullon në rrjetet sociale, në të cilin shkruhet “Besart Kallaku i përgjigjet Shkëlzen Berishës: “O të takon ty me të vra o s’i takon njeriu””, vetë Besi e ka ndjerë të nevojshme t’i kundërpërgjigjet si vijon: “Nuk jam autor i asnjë letre të tillë dhe asgjëje të shkruar në të. Boll u morët me emrin tim dhe me këtë histori. Turp për ata që abuzojnë me këtë gjë, kushdo qoftë, Mero Baze apo dikush tjetër.”
Kjo është hera e parë që Besi gjendet i përfshirë në një konflikt verbal që ka të bëjë me emra të politikës. Emri i tij është lakuar më tepër për batutat dhe humorin që i shoqëron shqiptarët jo vetëm çdo të dielë përmes shout humoristik “Portokalli”, por edhe gjatë jetës së përditshme, për ata që e njohin Besin nga afër. E megjithatë, duket se dikush e ka parë të arsyeshme ta përdorë si instrument për qëllimet e veta politike duke hedhur kështu baltë mbi imazhin e tij. I vetëdijshëm për sa mund t’i kushtojë kjo figurës së tij në sy të publikut, Besi e ka marrë situatën në dorë duke hedhur poshtë gjithë sa ishte abuzuar në adresë të tij.
(Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online, që ditën e daljen në treg, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista)