Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Cilët nuk intervistuam dot këtë javë? Nga ARTAN KRISTO

Cilët nuk intervistuam dot këtë javë? Nga ARTAN KRISTO

 E lexuat gazeten “Intervista” te kesaj jave? Kishte shumë intervista interesante, apo jo? Por e dini se kishte edhe shumë personazhe qe nuk i intervistuam dot? Ja, disa nga ata…

 EDI RAMA

Advertisement

Nuk e takuam dot as këtë javë kryeministrin tonë. Ai ishte vazhdimisht jashtë zyrës së tij, një herë në Fushë-Krujë për tapitë, një herë në pyllin me pisha të Gjinarit, në Elbasan, një herë në mbledhjen për dosjet etj. etj. Ne deshëm ta pyesnim për shumë gjëra këtë javë, se, nga ç‘lexuam e dëgjuam për të në shtyp e televizion gjatë gjithë javës, na lindën shumë pyetje. Ja, le të marrim dosjet: Jemi dakord që të hapen dosjet e diktaturës, të hapen një sahat e më parë, por deshëm ta pyesnim zotin Rama: Po “dosjet e demokracisë” kur do të hapen? Kur do të hapet “dosja” e Gërdecit, “dosja” e Rrugës së Kombit, “dosja” e 21 Janarit, “dosja” e privatizimeve dhe koncesioneve për pesë lek, kur do të hapen “dosjet” e deputetëve që akuzohen për trafik droge e prostitucion, kur do të hapen “dosjet” për pronat e politikanëve?! Nuk është më e rëndësishme hapja e këtyre dosjeve sesa e atyre të diktaturës?

Një pyetje tjetër do t’ia bënim zotit Rama edhe për procesionaren. Po jua shpjegojmë, të dashur lexues, çfarë është kjo, se edhe ne nuk e dinim këtë emër të sëmundjes së pishës. Është ajo sëmundja që krijon një si bohçe leshi në majë të degëve të pishës dhe e dëmton atë. Këtë javë, nga Gjinari i Elbasanit, kryeministri deklaroi se në luftën ndaj procesionares, qeveria ka punësuar nëpërmjet Shërbimit Kombëtar të Punësimit mbi 6000 punonjës. Nuk e dimë nëse ishte lapsus i kryeministrit kjo shifër, por duke e marrë të vërtetë, nuk mund të rrimë pa e pyetur: Nuk do ishte mirë që këto mbi 1 milionë euro që do të jepen për paga çdo muaj për këta 6000 vetë të punësuar, të ishin investuar në sferën prodhuese, për një gjë që të jepte prodhim? Apo këto para nuk kanë ardhur nga buxheti i shtetit dhe janë ndihma nga Europa për të luftuar këtë sëmundje? Nëse është kështu, pse duhet të krenohet qeveria se ka punësuar 6000 vetë?!

SALI BERISHA

As ish-kryeministrin Berisha nuk e takuam dot këtë javë. Atë deshëm ta pyesnim në radhë të parë për një shprehje që ai e përmendi në deklaratat e tij të kësaj jave: Revolucion demokratik paqësor. Ai theksoi madje se “kjo pranverë do jetë pranverë e një revolucioni demokratik paqësor për të rrëzuar murin e krimit”. Nuk mund të mos e pyesnim zotin Berisha: A mund të bëhet revolucion për të hequr një njeri (zotin Meta)? A janë pjekur kushtet për revolucion kur ka kaluar vetëm një vit e gjysëm nga ndryshimi i pushtetit? A mund të bëhet revolucion dy muaj e gjysëm para zgjedhjeve lokale? Përveç kësaj, nuk mund të rrinim pa e pyetur edhe se pse e ka kaq qejf këtë fjalën “revolucion”?! Pse nuk e dëgjojmë më këtë fjalë të përdoret nga asnjë prej liderëve botërorë? A nuk i ka kaluar pak koha kësaj fjale, zoti Berisha?! Dhe, në fund, deshëm t’i bënim edhe një vërejtje atij në lidhje më gjuhën e përdorur këtë javë në një intervistë në ABC Nevvs. Ai tha se “Ilir Metës nuk ia mban të mohojë akuzat” dhe e përsëriti madje dy herë fjalën “nuk ia mban”. Kështu flasin burrat e shtetit, zoti Berisha?! Po sikur gazetarja, si e re që ishte, ta pyeste: “Kush nuk ia mban, zoti Berisha?”, ç‘do të thoshte ai?!

EDUART NDOCAJ

Këtë javë deshëm të intervistonim edhe Eduard Ndocajn, ish-kandidat i PS-së për deputet në qarkun e Lezhës. Për ata që s’lexojnë gazetat, po shpjegojmë që zoti Ndocaj, këtë javë që nuk e pa veten në listën për kryetar bashkie të PS-së, u hodh në sulm kundër Edi Ramës dhe PS-së duke i quajtur ata mosmirënjohës e bukëshkalë, sepse, siç thotë zoti Ndocaj, ai ka harxhuar qimet e kokës për PS-në dhe ata duhet t’ia shpërblenim. “Vetëm për fushatën e vitit 2013, në qytetin e Lezhës, thotë ai, kam dhuruar mbi 600 milionë lek, ndërsa 8000 euro i kam harxhuar në një darkë të Edi Ramës në Itali”… Nuk i vëmë në diskutim këto që ka thënë zoti Ndocaj, se as PS-ja nuk i kundërshton, vetëm deshëm ta pyesnim atë se pse do të bëhet deputet dhe kryetar bashkie?! Pse do patjeter “t’i blejë” ato poste?! Kjo është mënyra si bëhesh deputet në Shqipëri sot? Mos vallë janë të vërteta të gjitha ato që dëgjojmë, se kryetarët e partive janë bërë milionerë në euro duke shitur postet e deputetëve dhe kryetarëve të bashkive e pikërisht për këtë nuk duan që të ndryshohet kodi zgjedhor?! Mos vallë prandaj radhët e deputetëve janë mbushur me njerëz “të fortë” e të dënuar për drogë e përdhunim, që e shohin postin si pastrim mëkatesh? Mos vallë prandaj gjërat po shkojnë kështu në këtë Shqipërinë tonë?

DONALD LU

Pas lajmit se Prokuroria kishte kërkuar arrestimin e deputetëve Tom Doshi e Mark Frroku, deshëm t’i bënim një intervistë ambasadorit Donald Lu, por nuk mundëm. Arsyeja e intervistës ishte thashethemi që qarkullon në Tiranë se pas gjithë kësaj që po ndodh me Tomën e shokët e tij deputetë, qëndron dora e SHBA-së. Në fakt, ne e kemi thënë këtë që para dy javësh, kur Doshi u përjashtua nga PS-ja dhe Ambasada Amerikane përgëzoi PS-në që po largonte njerëzit e kriminalizuar… Mos vallë kjo lidhet edhe me deklaratat e ambasadës kundër deputetëve të kriminalizuar që merrnin pjesë në grupin e miqësisë me SHBA-në dhe kundër hetimit ndërkombëtar të çështjes Doshi?! Ja, këtë deshëm t’i pyesnim zotin Lu, është e vërtetë kjo? Është e vërtetë se ata po ndikojnë fort që parlamenti shqiptar të pastrohet nga njerëzit e inkriminuar, ose “të fortët”, siç quhen tani te ne?! Është e vërtetë se ata kanë ndikuar te prokuroria për këtë? Është e vërtetë, gjithashtu, se ata po monitorojnë imtësisht edhe gjyqin në Gjykatën e Lartë ndaj deputetëve Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu, që akuzohen për rrahjen e deputetit Gent Strazimiri?!

ADRIATIK LALLA

Pas lajmit të kërkesës së Prokurorisë për arrestimin e deputetëve Doshi e Frroku, deshëm të takonim edhe Prokurorin e Përgjithshëm, zotin Adriatik Llalla. Nuk jemi për të futur njeri në burg, sepse siç thotë populli, “as hasmin nuk dua ta shoh brenda hekurave”, por nuk mund të rrimë pa e pyetur zotin Llalla: Po zoti Prifti, që deklaroi si zoti Doshi, pse nuk është arrestuar? Po zoti Frroku, që tha të kundërtën e zotit Doshi, pse do të arrestohet? Po zoti Petrit Çinari, që thuhet se shkoi me këmbët e tij në Prokurori, a do të arrestohet? Po Berisha, që e dinte këtë histori dhe nuk tregoi?

 (Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online, që ditën e daljen në treg, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista)

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Të bësh dashuri lidhur...

Next Post

Dritan Prifti: “Meta ka porositur edhe vrasje të tjera”

Advertisement