Përbërësit
Për brumin:
600 gr miell
gjalpë
kripë
ujë sa të marrë
niseshte për petët
Mbushja:
1 kg presh i prerë hollë
400 gramë brokoli (koçanët e trashë)
200 gramë djathë
3 vezë
1/2 filxhan çaji vaj ulliri
dhjozmë (nenexhik)
kripë, piper
Përgatitja
Përziejmë miellin me pak kripë. Hapim një gropë në mes e hedhim ujë. Zëmë brumin dhe e ndajmë në 14 ose 16 topa, që i lëmë mënjanë të “çlodhen” 30 minuta.
Ndërkohë, lajmë e presim hollë preshin. E kavërdisim në fillim sa të thithë lëngjet e tij, pastaj i hedhim vajin. Shtojmë në fund ujë (ose edhe pak qumësht) dhe e ziejmë. Hedhim kripë e piper. Kur te jetë gati e lëmë të ftohet, rrahim vezët dhe i përziejmë me preshin. Shtojmë edhe dhjozmën.
Koçanët e trashë të brokolit (lulet e njoma mund t’i bëni sallatë), pritini në copa të vogla dhe vërini të ziejnë bashkë me preshin.
Hapim një top brumi me pec, sa një pjatë filxhani, e lyejmë me gjalpë dhe e lëmë mënjanë. Po kështu, hapim edhe gjithë petët e tjera duke i lyer në mes me gjalpë (me përjashtim të petës së fundit). I ndajmë në dy pjesë dhe i hapim në dy peta të mëdha, pak më shumë se tepsia, ku njëra do të jetë poshtë dhe tjetra, lart. Në mes, hedhim përzierjen e preshit, me brokoli, djathë dhe vezë. E shtrojmë petën e dytë mbi mbushjen dhe kthejmë anët, duke e mbyllur kështu byrekun. Hedhim sipër vaj dhe e vëmë të piqet në 180 gradë, derisa të marrë ngjyrë të artë në kafe.