Ardhja në jetë e fëmijës është një nga gjërat më të bukura që mund t’i ndodhë një çifti. Kështu nis “historia” e Dj Vinit dhe Bora Zemanit, të cilët prej pak kohësh janë bërë prindër të një djali: Arborit. Si dy prindër të rinj, ata na rrëfejnë për këtë eksperiencë kaq të bukur, pothuajse çdo hap që kanë hedhur dhe se sa ka ndryshuar jeta e tyre. Me siguri, pas të lexojnë këtë intervistë, shumë prej jush do të dëshirojnë të bëhen prindër, “efekt” që Bora dhe Vini e kanë patur tashmë te miqtë e tyre…
Mia.B: – Vini, Bora dhe Arbori… Le ta nisim “përrallën” me personazhin e fundit. Si erdhi ai në jetën tuaj?
Bora Zemani: – Nuk ishte planifikuar, megjithëse kishim filluar të bashkëjetonim. Arbori erdhi papritur në jetën tonë, por tani themi me plot gojën se është dhurata më e bukur në botë; mrekullia jonë!
– Cili ishte reagimi yt i parë kur mësuat për këtë shtatzani?
– U frikësova! Nuk isha fare e përgatitur. M’u duk përgjegjësi shumë e madhe dhe mendova se ndoshta nuk do të isha dot një nënë e mirë. Ishte Vini ai që më qetësoi…
Dj Vini: – Sigurisht, edhe unë i kisha të gjitha këto frikëra, por mendova: Ky fëmijë erdhi tashmë dhe duhen marrë përgjegjësitë. Në mos tani, do vinte pas 2-3 vjetësh, nuk do kishte ndonjë ndryshim të madh.
– Vini, je edhe ti si pjesa më e madhe e baballarëve shqiptarë, që fëmijët i duan meshkuj?
– (Qesh) Jo, jo. Nuk do ta kisha fare problem edhe po të ishte vajzë, por të them të drejtën, për djalin kisha më shumë ëndrra sepse mund ta fus në profesionin tim, ose mund të bëhet edhe futbollist. Kjo e fundit po, që është ëndrra e treçerekut të baballarëve! (Qesh) – Arbori ju bëri prindër për herë të parë… Çfarë ka ndryshuar tashmë në ditët tuaja?
– Çdo gjë! Që nga oraret e gjumit e deri te largimi nga punët e përditshme. Arbori është i vogël, ai është kryesori dhe vëmendja jonë është në fillim tek ai! Të tjerat, avash-avash. (Buzëqesh)
– Pse Arbor?
– Donim një emër të veçantë, por edhe shqiptar. Emrin e lexuam në një libër me emra të vjetër shqiptarë. Kuptimi është “borë e artë”. Na pëlqeu shumë sepse na doli bashkimi i emrave tanë, Artvin dhe Borana, plus që lindi në dhjetor, në muaj bore…
– Bora, krijimi i familjes është një ndër ëndrrat e vajzave. Çfarë e ka zëvendësuar këtë ëndërr tani?
– Nuk kam mbaruar ende me këtë… Për momentin, jam shumë e lumtur me familjen tonë të vogël, por është vetëm fillimi sepse Arbori nuk do rritet i vetëm, do ketë patjetër motër ose vëlla. (Buzëqesh)
– Kujt i ngjan më shumë?
– Disa thonë Vinit, disa Borës. Na duket se është i përzierë, nuk ka mbajtur asnjërin me hatër. (Qeshin)
– “Ziheni” me Vinin për këtë?
– Jo, nuk e kemi fare problem. Jemi të kënaqur me njëri-tjetrin, kështu që kujtdo që t’i ngjajë, prapë mirë është…
– Vini, ç’lloj muzike i vë për të dëgjuar, kur ai qan?
– Nuk na pëlqejnë shumë ninullat për fëmijë, kështu që çunit i vëmë më shumë chillout dhe duket se edhe atij i pëlqen, se qetësohet kur i dëgjon.
– Si e shikoni Arborin në të ardhmen, Dj apo moderator?
– Kemi menduar ta çojmë që të vogël në kurse muzike dhe sporti. Do shohim ku ka më shumë talent dhe në atë fushë do investojme edhe ne, por i ngelet atij të vendosë.
– Ma përshkruani shkurtimisht një ditë me ju të tre?
– Dita, sigurisht, nis, vazhdon dhe përfundon me Arborin. Këto kohët e fundit ka filluar të reagojë dhe bëjmë edhe pak “muhabet”. (Qesh) Gjëja më e bukur është e qeshura e tij. Vetëm me atë shpërblen gjithë lodhjen tonë.
– Sapo keni realizuar një set fotosh. Sot, prindërit fotografojnë sa më shumë çaste gjatë rritjes sē fëmijës, si dhuratë për të kur të rritet…
– Sigurisht, është edhe ky një qëllim. Me fotot nisëm që në shtatzani, që të kemi kujtime ne, por patjetër, edhe Arbori. Të gjithë sot kanë mundësi të bëjnë foto dhe t’u lënë kujtime fëmijëve të tyre, por fotot profesionale janë diçka tjetër; janë momente që nuk përsëriten shumë herë në jetë, prandaj duam t’i kemi në mënyrën më të bukur të mundshme. Te “Hera compani” kemi marrë paketën vjetore ku përfshihen foto të shtatzanisë dhe më pas, bebi bën foto profesionale çdo muaj, për vitin e parë të jetës. Do shohim në fund të vitit, sa ka ndryshuar Arbori. (Buzëqesh)
– Vini, në punën si Dj, të duhet të rrish zgjuar natën dhe të flesh ditën. Si e gjen kohën për djalin?
– Unë punën e kam në fundjavë, por më duhet të punoj me produksione edhe gjatë ditëve të tjera të javës. E vetmja zgjidhje është të reduktoj orët e gjumit…
– Bora, do t’i rikthehesh televizionit?
– Patjetër që po. Ardhja e Arborit në jetë nuk ka ndryshuar asgjë nga objektivat e mia. Thjesht, po bëj pak pushim sa është edhe djali i vogël e ka më shumë nevojë për mua.
– Për çfarë ju ka bërë Arbori që të ndryshoni mendim?
– Për shumë gjëra. Na e kishin thënë, por nuk i kupton derisa bëhesh prind vetë. Ndryshon edhe si njeri. Bëhesh më pozitiv, më i ndjeshëm dhe nuk merresh më me gjëra të kota. Nuk ka kohë për të humbur sepse çdo sekondë është e shtrenjtë dhe më mirë ia fal fëmijës tënd.
– Pate vendosur të mos publikoje asnjë foto të djalit. Je supersticioze?
– Nuk kam qenë asnjëherë, por te djali u bëra pak. Në fakt, vendimi për të mos publikuar foto nuk ishte për këtë. Nuk më pëlqen ta bëj fytyrë të njohur e të thonë të gjithë: “Djali i Borës dhe Vinit”. Për këtë do vendosë vetë ai kur të rritet. Por, ndonjë foto të bukur, rrallëherë, do ta nxjerrim edhe ne. (Buzëqesh)
– Ama vetëm disa orë pas lindjes, Arbori u përzgjodh në maternitet për të qenë pjesë e reklamës së Vodafone. Vazhdojnë kërkesat për reklama të tjera?
– Dëshira ime ishte që Arbori të merrej edhe me këtë punë, por nuk ma merrte mendja se do niste kaq shpejt. (Qesh) Vetëm disa orë pas lindjes, e kishin parë te dhoma ku rrinë gjithë bebat dhe më pyetën nëse mund ta merrnin për reklamën e Vodafone. Mendova që do lodhej (sepse të gjithë e dimë sa dubla bëhen në xhirime) dhe unë nuk mund të isha me të, por Vini e shoqëroi dhe u kujdes gjatë gjithë kohës. Tani kemi një kujtim shumë të bukur dhe jam e kënaqur që puna e parë si model rezultoi e suksesshme, sepse të gjithë njerëzit e kanë pëlqyer. Këtë muaj nuk kemi patur oferta të tjera, por të shohim muajin që vjen… (Qesh)
– Bora, si e ke përjetuar shtatzëninë me Arborin?
– E kam shijuar! Isha me fat sepse nuk pata asnjë komplikacion gjatë shtatzanisë. Koha ikte vetëm duke lexuar për bebet dhe duke parë çdo gjë që duhet t’i blija, që të mos i mungonte asgjë. Dihej që isha edhe e përkëdhelura e të gjithëve. (Qesh) Tani që po e mendoj, më paska marrë malli të jem prapë shtatzënë. (Buzëqesh)
– Cili ka qenë ushqimi më i preferuar gjatë shtatzanisë?
– Çuditërisht, ëmbëlsirat. Asnjëherë nuk më kanë tërhequr, por në shtatzani nuk u thoja dot jo.
– Si e rifitove formën, pas lindjes?
– Nuk kam bërë asgjë. Ndonëse gjatë shtatzanisë shtova goxha sepse haja shumë, direkt pas lindjes, m’u pre oreksi dhe më e shumta e peshës që kisha shtuar, iku pa sforco fare. Kam akoma edhe ca kile për të hequr, por avash-avash.
– Është Bora tipi i mamit që do ta marrë djalin në telefon për arsye të tipit: “do vonohesh?”, “je veshur trashë?” etj?
– Shpresoj shumë të mos jem! (Qesh) Deri tani, e tillë dukem sepse dua të kem çdo gjë nën kontroll vetë në lidhje me djalin, por besoj do kalojë kjo fazë, sa të rritet edhe ai pak.
– Është Vini tipi i babait që do t’i japë këshilla djalit se si të sillet me të dashurat?
– Do t’i jap këshilla nëse më kërkon. Nuk dua t’i ndërhyj më shumë seç duhet në jetën e tij, megjithatë, ka kohë për këto gjëra.
– Ka ndonjë person që pasi ju ka parë juve, ka shprehur dëshirën për t’u bërë prind edhe ai?
– Shumë nga ata që na njohin dhe pothuajse të gjithë ata që kanë takuar Arborin, dashurohen me të. Ndoshta sepse është i qetë, në paqe dhe përcjell vetëm pozitivitet. Por, sigurisht, frymëzohen edhe nga ne, sepse na shohin shumë të lumtur.
– Si do ia shpjegoni Arborit kur t’ju pyesë se si ka lindur?
– Kjo dihet, Arborin e ka sjellë lejleku. (Qeshin)
– Cila do ishte një tjetër pyetje e sikletshme që do t’ju bënte kur të rritet?
– Pyetje të sikletshme ka plot, sidomos nga fëmijët e sotëm, por do t’ia dalim ashtu siç ia kanë dalë prindërit tanë me ne.
– Këshilla e parë që do t’i jepni secili?
– Varet për çfarë do të ketë më shumë nevojë, por këshilla më e rëndësishme është të jetë i sinqertë me ne.
Bora apo Vini…
…e ushqen më shumë?
– Vetëm Bora, sepse për momentin, ushqehet vetëm me gji.
…ia ndërron pelenat?
– Më shumë Bora, sepse nuk lë njeri të merret me këto punë, por edhe Vini ndonjëherë.
…e humb më shpejt durimin, kur ai qan?
– Arbori është i urtë, kështu që kur qan, jemi të preokupuar të dy të kuptojmë çfarë ka dhe ta pushojmë.
…e ka zënë gjumi gjatë natës kur kujdesej për Arborin që qante?
– Asnjërin. Zgjohemi, pa filluar akoma të qajë. (Qesh)
…ankohet më shumë për lodhjen?
– Bora pak më shumë, sepse edhe lodhet pak më shumë.