E lexuat gazetën Intervista këte javë? Kishte shumë intervista interesante apo jo? Por e dini se kishte edhe shumë personazhe qe nuk i intervistuam dot? Ja, disa nga ata…

 

EDI RAMA

Me Kryeministrin tonë, Edi Ramën, këtë javë deshëm të bënim një intervistë për shërbimin shëndetësor. Na bëri shumë përshtypje deklarata e tij se “qytetarët që e kanë mundësinë të shkojnë në spitale private, s’kanë pse të mos shkojnë”…

Mendojmë se e keni gabim, zoti Kryeministër! Nuk jemi dakord me këtë! Është tjetër gjë të zgjedhësh spitalin privat për më shumë komoditet e qetësi, apo për shpejtësi në mjekim, siç ndodh në të gjithë botën dhe tjetër gjë të jesh i detyruar të harxhosh para te privati sepse në spitalin e shtetit nuk ka as minimumin e shërbimit, sepse aty mungojnë aparaturat, medikamentet, sepse aty merr sëmundje të tjera veç asaj për të cilën ke shkuar, sepse aty duhet të paguash çdo doktor e infermiere, ndryshe mbetesh prapa derës, sepse aty për një pakujdesi të doktorit Zh. që nuk sterilizon apo kontrollon sterilizimin e sallës, humbin syrin 7 vetë që operohen në një ditë…

Keni qenë ndonjëherë në ndonjë dhomë sptali në Tiranë e aq më shumë në rrethe, vetëm e pa lajmëruar më përpara njeri, zoti Rama?! Nuk na e ha mendja, por provojeni një herë, sepse ashtu do ta kuptoni se pse njerëzit zgjedhin prvatin në Shqipëri, do ta kuptoni edhe se ç‘duhet bërë në Shqipëri përpara testimit të mjekëve…

 

ARBEN AHMETAJ

Një pyetje deshëm t’i bënim ministrit Ahmetaj: E ka parë ai atë skeçin e Estradës së Tiranës, vite më parë, ku disa punonjës të elektrikut pritën derisa mbaroi asfaltimi i rrugës nga komunalja dhe pastaj, me kazma në duar, pyetën përgjegjësin e punimeve: “Mbaruat ju? Të nisim ne tani?” dhe filluan që, në rrugën e sapoasfaltuar, të hapnin kanalin ku do të shtrohej kablli i elektrikut…. E pra, ky skeç na u kujtua kur dëgjuam këto ditë thirrjen që ministri Arben Ahmetaj u bëri investitorëve të huaj për zgjerimin e auotstradës Tiranë-Durrës nga dy, me tre korsi. Sepse, pikërisht këto ditë mbaron edhe vendosja e palmave të reja anës rrugës, palma të cilat thanë se i kushtuan shtetit jo pak, por 600 mijë euro. Tani, ato do të shkulen sepse do të zgjerohet rruga dhe për këtë do të shpenzohen 120 milionë euro. Apo ç’rëndësi kanë palmat, zoti ministër, rëndësi ka vetëm që eurot u lëvruan, kaluan në xhepin e privatit dhe fitimi i tyre u mor? Ashtu siç do të merret edhe fitimi i 120 milionëve të zgjerimit… Tani, duhet të vrasim mendjen se ç‘do të bëhet pasi të mbarojë zgjerimi i rrugës?

 

ILIR BEQJA

Zotin Ilir Beqja, Ministrin e Shëndetësisë deshëm ta pyesnim këtë javë në lidhje me helikopterin që kishte blerë ministria e tij për t’i shërbyer sa më mirë popullit. Deri këtu nuk kemi asgjë me ironi, të dashur lexuesit. Ironia fillon me pyetjen më poshtë: Si ka mundësi që në kërkesat e tenderit të datës 10 nëntor 2014 ishte shkruar që helikopteri duhej i ri, ose së paku, deri në 30 orë punë dhe se helikopteri duhet të ishte këtu brenda një muaji? E shtrojmë këtë pyetje sepse dihet se edhe makinat që blihen me porosi, duhet më shumë se një muaj që të bëhen gati e të vijnë këtu. Apo ishte caktuar që më përpara se cili helikopter, paksa i përdorur, do blihej?! Se specialistët thonë se i vetmi helikopter që përmbush këto kushte, është ai që është blerë nga dikush dhe i është kthyer mbrapsh shitësit pa u përdorur, për një arsye, apo për një tjetër… Pra, helikopteri dhe fituesi, ishin të paravendosur. Mos ishte caktuar edhe më përpara se sa për qind të 4 milionë euro do të shkonin në xhepin e X-it apo Y-it? Mos vallë veprime të tilla që i harxhojnë eurot e shtetit si të ishin copa letrash, janë edhe shkaku që nuk po rregullohen spitalet tona, zoti ministër?!

 LULEZIM BASHA

Ideja për t’i marrë zotit Lulëzim Basha një intervistë na lindi të enjten, ndërsa po shikonim në Parlament zotin Berisha të çirrej pa pushim duke hedhur akuza ndaj maxhorancës. A e ndjek zoti Basha zotin Berisha kur flet në Parlament? Çfarë mendon ai kur dëgjon thirrjet e tij për protesta dhe zgjedhje të parakohshme? Është dakord ai me këtë lloj opozite? Pse kohët e fundit i ka zvogëluar daljet në publik? Mos ia ka lënë “vendin e parë” zotit Berisha? E ka bërë këtë me qëllim, me hir, apo pahir? Mos është e vërtetë ajo që thuhet se Berisha nuk është i kënaqur me drejtimin e partisë nga ai dhe do ta “djegë” atë, duke e rikandiduar në Tiranë?

 

ALEKSIS CIPRAS

Korrespondenti ynë në Greqi u mundua përsëri këtë javë të takonte kryeminsitrin Cipras, por nuk mundi. Deshëm ta pyesnim zotin Cipras për shumë gjëra që kanë të bëjnë me qeverinë e tij të re e në radhë të parë, për numrin e vogël të ministrave. Si ka mundësi që ai zgjodhi ta bëjë qeverinë vetëm me 10 ministra e 10 zëvendësministra, ndërkohë që ne kemi 20 ministra e 40 zëvendësministra?! Dhe të mendosh se popullsia e Greqisë është 11,3 milionë banorë dhe e jona 2,7 milionë! Apo ne kemi më shumë probleme se Greqia? Si e komenton zoti Cipras këtë? Deshëm ta pyesnim gjithashtu edhe për marrëdhëniet e tij me Edi Ramën. Si i kanë marrëdhëniet ata? Si shpjegohet fakti që kryeministri ynë nuk e ka uruar ende për fitoren? Mos vallë është bërë xheloz se Ciprasi po e imiton Ramën në vendimet e tij të para? (Ashtu si Rama, me një nga urdhërat e tij të para, ai urdhëroi heqjen e hekurave që ruanin Parlamentin)… Apo Edi Rama i rri larg sepse e quan komunist?!

(Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online, që ditën e daljen në treg, vetëm për 98 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista)

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *