“Tufani” i quajtur HORMONE
Hormonet ndikojnë në trupin, por edhe në karakterin tonë. Ato kontrollojnë humorin, pamjen dhe impulsin seksual. Nëse të janë dukur shpesh shumë misterioze, në shkrimin e mëposhtëm, mund të mësosh diçka më shumë për to. Cilat janë hormonet kryesore, cili është funksioni i tyre, si na “ndihmojnë” apo “pengojnë” ato në jetën tonë?
1. Çfarë janë hormonet?
Hormonet janë substanca kimike që i sekreton trupi ynë, udhëtojnë nëpër trup nëpërmjet gjakut dhe transportojnë një informacion thelbësor për shumë funksione të tij. Ka shumë lloje hormonesh:
– Adrenalina (hormoni i stresit) çlirohet gjatë momenteve të alarmit dhe tensionit. Nuk është një hormon aq i keq sa duket, sepse bën që organizmi yt të reagojë në momentet e urgjencës.
– Tiroidet (TSH) rregullojnë metabolizmin e gjithë qelizave të trupit (edhe metabolizmin që lidhet me peshën trupore dhe formën e trupit tonë), marrin pjesë në zhvillimin e trupit, aktivizojnë ose çaktivizojnë sistemin nervor dhe ndikojnë në formimin e indeve trupore.
– Hormonet seksuale – Pak a shumë të fjetura gjatë fëmijërisë, në pubertet ato pushtojnë të gjithë organizmin. Hormoni FSH përcakton zhvillimin e vezoreve, gonadropina stimulon prodhimin e estrogjeneve në vezore dhe testosteroni, në teste, ndërsa LH ndihmon ovulimin.
– Oksitocina shkakton impulsin dhe ndjeshmërinë seksuale, sepse është një hormon që stimulon qendrat nervore të kënqësisë gjatë aktivitetit seksual, shton ndjeshmërinë e aparatit gjenital dhe emotivitetin.
– Katekolaminat janë hormone stimuluese që i sekretojmë 2-3 orë pasi jemi ngritur nga gjumi dhe na ndihmojnë në ruajtjen e qëndrueshmërisë së energjisë tonë.
– Insulina është një hormon që vepron mbi glukozën në gjak, duke rregulluar nivelet e sheqerit dhe duke e transportuar deri te qelizat që ta përdorin si lëndë djegëse.
– DHEA, janë inicialet e një hormoni që shton rezistencën e trupit ndaj lodhjes dhe përmirëson ekasticitetin e muskujve e lëkurës. Gjithashtu, ndihmon që kujtesa jonë të jetë në formë dhe që vetitë mbrojtëse të organizmit të jenë të larta.
– Prolaktina është një hormon thelbësor pas lindjes, sepse “zgjon” gjendrat e qumështit që të prodhojnë qumësht dhe të ushqejnë fëmijën.
2. Si ndikojnë hormonet te pesha?
Gjendrrat dhe hormonet e tiroideve rregullojnë funksionimin e metabolizmit bazë. Nëse tiroidet funksionojnë me një ritëm më të ngadaltë se normalisht (që quhet hipotiroidizëm) ato sekretojnë një sasi më të madhe të hormoneve TSH dhe trupi djeg më pak kalori, prandaj shëndoshemi më shpejt dhe, kur bëjmë dietë, e kemi më të vështirë për t’i humbur kilogramët e tepërta. Përkundrazi, nëse ka më pak hormone TSH, digjen më shumë kalori, e humbet peshën më lehtë, bile mund të qëndrosh e dobët duke ngrënë gjithçka. Përveç kësaj, ka hormone të tilla si serotonina, që jo vetëm na bëjnë të ndjehemi mirë, por edhe “vënë në gjumë” oreksin tonë. Kur e kemi në nivele të larta (si për shembull, kur biem në dashuri) na ikën oreksi, por në momentet kur organizmi vuan nga ulja e serotoninës (kur kemi ndonjë problem apo zhgënjim), mund të vuajmë nga kriza të vërteta urie, veçanërisht, për ëmbëlsira. Nëse bëni fizkulturë rregullisht, mund të përshpejtohet funksionimi i tiroideve. Kjo na ndihmon të djegim më shumë kalori dhe kështu, ta mbajmë peshën stabël.
3. A ndikojnë hormonet te gjumi?
Po. Melatonina rregullon ritmet biologjike dhe gjumin. Organizmi fillon t’i prodhojë kur nis të pakësohet drita dhe ky hormon e përgatit trupin për gjumë. Përveç kësaj, ka edhe hormone të tjera që ndikojnë te gjumi. Gjatë fëmijërisë, djemtë dhe vajzat flenë njëlloj, por kur u vijnë menstruacionet, vajzat flenë më mirë se djemtë, bëjnë një gjumë më cilësor, që favorizon çlodhjen. Kjo vazhdon edhe në moshë të rritur, por zhduket me ardhjen e menopauzës dhe uljen e sasisë së estrogjeneve. Në këtë kohë, gjumi i tyre bëhet më i lehtë dhe është normale të vuash nga periudha pagjumësie.
4. Si ndikojnë hormonet te menstruacionet?
Gjatë menstruacioneve, hormonet janë në nivelet më të ulëta, gjë që mund të pakësojë dëshirën për seks (megjithëse ka disa gra që u shtohet). Veprimi i prostaglandinës mund të shkaktojë probleme fizike dhe një gjendje shpirtërore pak të turbullt. Në dy javët në vazhdim, estrogjenet fillojnë të shtohen, gjë që u jep grave energji dhe rezistencë, shton aftësitë e tyre joshëse dhe i bën të ndjehen më optimiste, me mendje të qartë dhe me më shumë aftësi përqendrimi, kujtesë e gojëtari. Kur ndodh ovulimi, niveli i estrogjeneve arrin pikun e vet, fillon prodhimi i testosteronit, shtohet dëshira për seks dhe seksualiteti i tyre bëhet më agresiv, më i hapur dhe pasionant. Fizikisht mund të ndjesh pickime në pjesën e poshtme të barkut, por në këtë periudhë e duron më shumë dhimbjen dhe stresin. Në ditët pas ovulimit, estrogjenet ulen, fillon të shtohet oksitocina dhe shtohet niveli i progesteroneve. Në këtë periudhë je më e qetë dhe bëhesh më sensuale sesa seksuale, duke bërë që të të shijojnë më shumë përkëdheljet dhe lojërat e gjata paraprake. Në ditët para menstruacioneve, hormonet çrregullohen dhe mund të vuash nga shqetësime fizike e gjendje shpirtërore depresive (që njihen me emrin sindroma paramenstruale). Përveç kësaj, mund të kesh edhe dëshira të papritura për të ngrënë, trupi mban më shumë lëngje dhe është normale të ndjehesh si e fryrë. Megjithatë, dëshira seksuale mund të shtohet dhe mund të kesh orgazma më të fuqishme.
5. Estrogjenet dhe progesteronet, aleate apo armike?
Ato ndikojnë jo vetëm në ciklin menstrual, por edhe në funksionet e tjera thelbësore të trupit. Estrogjenet janë hormonet aleate që ndikojnë në fleksibilitetin e enëve të gjakut dhe rezistencën e kockave, parandalojnë disa probleme të frymëmarrjes, bëjnë që lëkura të jetë më e tendosur dhe e re, hollojnë siluetën dhe sjellin humorin e mirë. Përkundrazi, progesteroni është më kundër nesh, sepse shton mbajtjen e lëngjeve në organizëm dhe celulitin. Nëse prodhojmë shumë progesteron, mund të ulen aftësitë vetëmbrojtëse të organizmit dhe bëhesh më e brishtë ndaj infeksioneve e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme.
6. Hormonet mashkullore që kanë gratë
Trupi i femrës prodhon edhe disa hormone të konsideruara si tipike mashkullore, por në sasi shumë më të vogël. Ato janë androgjenet dhe testosteroni. Nëse nivelet e tyre janë të ekuilibruara, praktikisht, nuk e vëmë re ndikimin e tyre, por kur trupi i femrës prodhon më shumë ose më pak se normalisht, këto hormone ndikojnë direkt mbi formën e trupit, sjelljen dhe pa dyshim, në seksualitet. Për shembull, gratë që prodhojnë më shumë hormone androgjene dhe testosteron, zakonisht, peshojnë 10 kg më pak se të tjerat. Ato, gjithashtu, kanë më shumë masë muskulare, më pak forma dhe grumbullojnë më pak dhjamë. Silueta e tyre është më atletike, me këmbë më të holla, supe të gjera dhe pak gjoks, megjithëse me më shumë qime. Këto gra janë më aktive seksualisht, por mund të kenë më shumë probleme me partnerët. Gjithashtu, janë agresive, kërkuese, perfeksioniste, konkurente dhe të guximshme, zotërojnë vetëvlerësim të lartë, megjithëse janë të irritueshme dhe mund të vuajnë nga kriza ankthi, në momentet e stresit. Gratë me pak hormone mashkullore kanë probleme mbipeshe, kanë supe të ngushta dhe grumbullojnë dhjamë e celulit në kofshë, vithe dhe bark. Seksualisht janë më pasive (mund të kalojnë edhe etapa me pak impuls seksual), kanë menstruacione me dhimbje dhe kanë bezdi gjatë sindromës paramenstruale. Kanë karakter me të butë dhe kënaqen më shpejt, sidomos në planin profesional, janë pak të pasigurta dhe kanë probleme me humorin e depresionin.
Pp për shëndetin
– Është e vërtetë që vitamina E lufton plakjen?
– Është e vërtetë që vitamina E është thelbësore për të evituar plakjen e qelizave, por nuk është vërtetuar që nëse e merr shtesë këtë vitaminë, do të mund të jetosh deri në 100 vjeç. Aktualisht, kanë dalë në modë vitaminat antioksidante, brenda të cilave gjendet edhe ajo E. Sipas shkencëtarëve, ato mbrojnë qelizat kundër plakjes, duke neutralizuar radikalet e lira, origjina e të cilave lidhet me oksigjenin për të cilin kanë nevojë qelizat për të jetuar. Me sa duket, qelizat nuk e përdorin të gjithë dhe një pjesë e këtij oksigjeni shndërrohet në substanca toksike (radikalet e lira) që dëmtojnë qelizat. Në praktikë, mungesa e vitaminës E nuk shkakton sëmundje, meqë sasia për të cilën ne kemi nevojë është aq e vogël sa mbulohet nga ushqimet që hamë. Sipas kësaj teorie, marrja e vitaminave shtesë është e nevojshme vetëm në raste shumë specifike.
– Djali im ka lindur me një blanë në qepallë. Tani është 6 muajsh dhe nuk i është zhdukur, siç parashikohej. Si mund të shërohet?
– Mendoj se nuk duhet të nxitosh dhe të bësh një trajtim të parakohshëm. Është mirë të kalojë pak më shumë kohë për të parë nëse njolla zhduket vetvetiu. Nëse nuk është kështu, bën të mirë të konsultohesh me një dermatolog për fëmijë, që të të tregojë se ç’duhet bërë. Ndërkohë, mendo që blana të tilla që quhen hemangioma, nuk të kruhen, as të bezdisin dhe djali yt do të vazhdojë të rritet i lumtur, me ose pa të. Hemangiomat janë tumoracione vaskulare të shkaktuara nga shumimi i kapilarëve të gjakut. Evoluimi i tyre është shumë i ndryshëm. Te të vegjlit kanë tendencë të zhduken në moshën 2-3 vjeçare, ndërkohë që te të mëdhenjtë, kanë nevojë për trajtim.
(Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online, që ditën e daljen në treg, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista)