Yllit që qan
Po ç’m’i mban sytë, o yll, të ulur
Po ti je Yll. Ku ka si ti?
Me rrezëllimin tënd të bukur
Thërrime veçantë në Galaksi.
Unë nuk e dija që yjet qajnë
Nuk di që yjet dashurojnë
Na paskan zemër, shpirt e ndjenjë
Por vetem natës shkojnë u tregojnë.
Iu luta Yllit të më tregonte
Ç’kish ndodhur thellë në shpirt të tij
Qau, më tha kush e lëndonte
Një ndjenjë që kurrë më nuk do të vij’
Lotët i fshiva nga sytë e bukur
I preka zemrën me ngadalë
Dëgjova rrahjet që rënkonin
Ta ngushëlloja nuk gjeta fjalë. Auror’a CM
Do të të thotë
Identifikuesit e kohës nuk janë më,
qëkur rroj në këtë ishull.
I gdhend muajt edhe vitet,
te kjo fletore e grisur.
I mas ditët me gërma.
I mas muajt me vargje.
Kur të ndieni mungesë gërmash,
do të thotë se, kam ikur për fare. Ollga Selmani (farmacistja)
Absurditet
Ju, e keni vrarë atë
e vratë me duart tuaja
me një akuzë absurde
“dënohesh se je femër”!
Ëndrrat prerë në mes
kjo botë iu bë e huaja
e kthyet në përbindësh
në një njëri, pa zemër!
Ju, frymën ia morët
gjakun pik’ për pikë,
krah-përkrah’ me vdekjen
endet rrugëve mortore!
Ajo që ju gjykuat
për ndjenjat, dashuritë
si – qenie e mallkuar,
që djallin mban përdore”!
Ju, dhunuat jetën,
dashurinë e masakruat,
ndëshkuat pafajësinë
në emër të “drejtësisë”!
Ajo, dënimin vuan
me shpirtin e prangosur,
(se nuk prangosen duart)
në kohë, të demokracisë! Fatmira Loci