– I nderuar zoti Naim, banoj në Belgjikë dhe bëra aplikimin për pension në muajin shtator të vitit të kaluar. Kam punuar një vit në autorepartin ushtarak në Tiranë, më pas si ushtarak në repartet e Aviacionit 13 vjet dhe 7 vjet, mësues Fizike në Tiranë. Si oficer, nuk kam patur librezë pune. Në vitin 1998, mora një vërtetim nga Ministria e Mbrojtjes që kam punuar nga viti 1971 deri në vitin 1984 në Aviacion dhe po këtë vit, dola në lirim si oficer rezervë. Mora edhe një vërtetim nga Drejtoria Arsimore e Rrethit Tiranë që kam punuar nga viti 1885-1992, si mësues. Këto i dorëzova bashkë me kërkesën time për pension pleqërie. Mbas dorëzimit, autorizova një të afërmin tim për të marrë librezën e pensionit. Vjen përgjigjja nga zv/drejtori i ISSH Tiranë që nga verifikimet ke vetëm 14 vjet e 3 muaj dhe dokumentet nuk i marrin në konsideratë. Ju drejtohem juve që të më ndihmoni dhe të udhëzoni pensionistët që jetojnë larg mëmëdheut, si të veproj, kujt t’i drejtohem për të mos humbur ato 7 vjet pune e djerse, pasi në atë kohë nuk të linte njeri pa punë as 7 javë? Shpresoj në përgjigjen tuaj.
Naim Balluku, Zv. President, përfaqësues i degës INAS për Shqipërinë: – I nderuar letërshkrues! Është e vërtetë që ushtarakët nuk kanë qenë pajisur me librezë pune, ashtu sikurse punonjësit e ndërmarrjeve ekonomike. Me sa kam marrë informacion, dokumentacioni për ushtarakët është grumbulluar pranë ish-Shkollës së Bashkuar Ushtarake. Në godinën e ish-Shkollës së Bashkuar funksionon një sportel për këtë qëllim. Duke qenë se ju jeni në Belgjikë, mund të prokuroni një të afërmin tuaj për të bërë kërkesën dhe për t’u pajisur me vjetërsinë e punës që ju mungon.
– Përsa i përket dokumentacionit të punës, gjatë kohës që keni punuar si mësues, do të dëshironim të na informonit saktësisht për periudhën e punuar, shkollën ku keni zhvilluar aktivitetin, si edhe gjeneralitet tuaja (emër, atësi, mbiemër, datëlindja, vendlindja). Ashtu sikurse kemi theksuar, ne kemi një marrëveshje me Institutin e Sigurimeve Shoqërore, për konfirmimin e periudhave kontributive për emigrantët dhe kërkesën do ta dërgojmë zyrtarisht. Theksojmë se në kohën që keni zhvilluar aktivitetin si mësues, duhet të ishit pajisur me librezë pune dhe duhej hedhur e gjithë periudha e punuar në këtë post pune. Ju përshëndes dhe pres të na shkruani për sa më sipër. Ju falënderoj për besimin. Naim Balluku.
Advertisement