Ata quhen Aragona Band, si vendi, muzikën e të cilit performonin në fillimet e tyre. Pas suksesit që patën me këngën “Tepër jemi dashtë”, në bashkëpunim me Rozana Radin, ata vijnë përsëri me një tekst të saj, në klipin “Linda”. Kush është Linda dhe pse i kanë kushtuar këngën, djemtë kosovarë e tregojnë në intervistën që bëmë vetëm tre ditë pas daljes së “Lindës”…
Fabjola Kuburi: – Përshëndetje Aragona Band! Pas suksesit me Rozanën, erdhët përsëri me një këngë me tekst të saj…
Aragona Band: – Përshëndetje! Po, sapo kemi publikuar klipin me titull “Linda” me tekst të Rozanës, që të themi të drejtën, e ka qarë këtë tekst.
– Pse quheni pikërisht Aragona Band?
– Ka mbetur si emër i rastësishëm, për të qenë të sinqertë. Origjina e emrit është nga një krahinë e Spanjës. Ne në fillim kemi performuar muzikë latine, ndaj na u duk interesante t’i vëmë emrin Aragona, sipas vendit ku luhet ajo muzikë.
– Çfarë kujtoni nga dalja e parë në skenë? E gjetët menjëherë mbështetjen e publikut?
– Fillimet janë të vështira, zakonisht, jo vetëm për muzikë e skenë, mirëpo ne kemi pasur fatin që, që në fillimet e performimeve live e pastaj edhe më këngët tona, të pëlqehemi dhe të mirëpritemi në skenë, gjë që na e ka lehtësuar punën dhe na ka dhënë motiv të vazhdojmë me projekte të reja.
– A ju ka ndodhur t’ju krahasojnë me grupe të tjera?
– Nuk dimë të ketë ndodhur, por edhe nëse, nuk besoj se është krahasim i bazuar sepse ne kemi një stil deri diku unik.
– Kush është Linda dhe pse është kaq e rëndësisshme sa t’i kushtoni një këngë?
– Rëndësinë e Lindës e di Rozana, si tekstshkruese, ne nuk kemi pasur dorë në tekst! (Buzëqesh) Kënga “Linda” është punuar nga vetë grupi, punën më të madhe e ka bërë kitaristi i grupit, Urimi, ndërsa klipi është realizuar nga produksioni i njohur “ASHA”.
– Ju vetë, jeni ndjerë ndonjëherë të tradhtuar?
– Si grup, nuk na kujtohet ndonjë tradhti e madhe…
– A ka qenë frytdhënës për grupin tuaj viti 2014?
– Shumë! Kemi dhënë koncerte të shumta, si në lokalet e natës, ashtu edhe në gëzime të ndryshme familjare dhe organizime të tjera. Jemi munduar t’u përkushtohemi edhe krijimeve të reja dhe pas këngës “Linda” do të ketë projekte të reja shumë të bukura.
– Realisht, cila është e veçanta e grupit tuaj?
– Përveç krijimeve, është edhe performimi live. Këngët tona i bëjmë si dhuratë për publikun që vjen e na ndjek dhe na mbështet live gjithë kohën.
– Kënga “Vajza anonime” është ajo që ju njohu me publikun, apo jo?
– Po, është e vërtetë. “Vajza Anonime” ishte projekti ynë i parë. Më pas kënga me Rozana Radin “Tepër jemi dashtë” që dëgjohet ende sot e kështu me radhë!
– Deri tani, a keni ndonjë peng në karrierë?
– Nuk kemi ndonjë peng. E gjithë karriera ka shkuar hap pas hapi, kështu që nuk kemi lënë vend për ndonjë peng të madh!
– Si ndiheni pas çdo vlerësimi që merrni në koncerte apo festivale të ndryshme?
– Normal që është ndjenjë e mirë, vlerësimi për punën tonë. Ndjenjë e veçante është kur kërkohet të përsëriten dhe performohen këngët tona.
– Mua më duket shumë e lodhshme të këndosh live në lokalet e natës. A ia vlen gjithë kjo lodhje?
– Është e vështirë të performohet live sepse duhet të përcjellësh tërë kohën energji pozitive, të përshtatesh në bazë të situatës dhe vendit ku performon, mirëpo ne jemi mësuar me këtë lloj jete sepse po bëhen 8 vite që performojmë live. Në Kosovë dhe Shqipëri, publiku është i mrekullueshëm dhe për ne, kjo mjafton, përveç anës financiare, sepse që të gjithë anëtarët e grupit, jetojmë vetëm nga muzika.
– A bëhesh i pasur duke kënduar dhe punuar në këtë mënyrë?
– I pasur, ndoshta jo, por shpresojmë që vlerësimi për muzikën në përgjithësi e sidomos për atë live, të rritet e atëhere të bëhemi të pasur, siç ndodh në botën e civilizuar, ku vlerësohen si duhet artistët e sidomos, perfomimet live.
– A ndiheni mirë me stilin tuaj dhe a keni menduar ndonjëherë të ndryshoni rrymë?
– Me kalimin e viteve, ne e kemi krijuar stilin tonë, që ka disa rryma brenda, si latin, pop, dance dhe nuk mendojmë për ndryshim sepse e kemi gjetur veten në këtë stil.
– Ju pëlqejnë lidhjet konstante apo aventurat?
– Jemi pesë anëtarë në grup, kështu që nuk mund të japim përgjigje korrekte, gjithsesi jemi djem të mirë, kështu që nuk jemi aq aventurierë sa mund të dukemi. (Buzëqesh)
– Në lokalet ku ju këndoni, ka shumë femra. Është muzika që i tërheq apo jeni ju bukurosha?
– Ne kemi pasur fatin që në grup të jemi 5 djem të pashëm. (Buzëqesh) Mendojmë që së pari i tërheq muzika dhe ritmi i perfomancave tona e pastaj pamja dhe paraqitja, së cilës ne i kushtojmë rëndësi të veçantë.
– Keni bërë ndonjëherë ndonjë lëvizje që më pas ka rezultuar e gabuar?
– Çdo profesion ka lëvizje të gabuara, por rëndësi ka që ne jemi munduar gjithë kohën që ato gabime të mos i përsërisim, por të na shërbejnë si mësim për lëvizjet e ardhshme!
– Një grup si ju, mund të bëjë bilance apo është ende herët?
– Jemi ende të rinj e karrierën e kemi përpara. Jemi të përkushtuar në punë në të gjitha aspektet dhe vetëkënaqësia nuk është gjë që na karakterizon.
– Sa ndikon në jetën tuaj fakti që jeni personazh publik?
– Nuk ka ndonjë ndikim të madh sepse ne jemi vend i vogël, por na pëlqen kur ka njerëz që të njohin kudo që shkon.
– Çfarë sakrifice do të ishit të gatshëm të bënit për dashurinë?
– Dashuria është e shenjtë. Pa dashuri, nuk ka jetë.
– Cili është kujtimi që ruani më me fanatizëm nga fëmijëria juaj?
– Kemi shumë kujtime të bukura, pasi kemi filluar të performojmë që shumë të rinj. Shpesh i rikujtojmë me nostalgji të gjitha ato kujtime, shumica e të cilave ishin të bukura.
– Çfarë shembulli keni vendosur t’u jepni fansave, duke qenë se si personazhe publikë, shumë njerëz ju marrin si model?
– Mundohemi tërë kohën që të sillemi korrektësisht me fansat, të jemi sa më të thjeshtë, sa më të afërt me të gjithë, pa përjashtim. Besoj se edhe këngët dhe klipet i kemi korrekte në këtë drejtim.
– Më thatë që keni pasur dhe keni shumë koncerte. Si mendoni, cila është arsyeja kryesore?
– Është e vërtetë që ne koncertet live i kemi pasur të shumta, edhe para publikimit të këngëve dhe ai trend vazhdon ende, kështu që këngët i shikojmë vetëm si dhuratë ndaj publikut tonë në vazhdimësi.
– Sa shpenzohet dhe sa fitohet nga një këngë?
– Shpenzimet për një këngë janë të mëdha, por siç e ceka më parë, ia vlen kur e sheh përkrahjen, ndjekjen dhe kërkesat e publikut për këngë dhe projekte të reja.
– Ndjeni konkurrencë?
– Jo, nuk shohim si rivalë apo konkurrentë asnjë nga kolegët tanë, përkundrazi, kemi raporte shumë të mira me të gjithë kolegët. Nuk kemi pse të krijojmë rivalitet, përveç shtytjes dhe inspirimit për të ecur para.
– Jeni tifoz futbolli? Për kë bëni tifo?
– Shpendi – Juventus, Drini – Inter, Urimi – Juventus, Zgjimi – Barcelona, Gramozi – Arsenal. Shumëllojshmëri ekipesh dhe preferencash, ama rëndësi ka që të gjithë jemi tifozë të flaktë të futbollit.
– Na tregoni ndonjë gjë që nuk e keni treguar deri tani?
– Në fund, vetëm dua t’ju falënderoj juve si gazetë për intervistën e bukur, nuk na latë hapësirë për të harruar diçka. (Buzëqesh) Falënderojmë publikun që na ka mbështetur prej fillimit, faleminderit mediave për përkrahjen e vazhdueshme, faleminderit që ekzistoni. Ju duam shumë, Aragona Band.