– Jam një vajzë 20 vjeçe. Kam probleme me kërcitjen e dhëmbëve. Lexova në një numër të kaluar një përgjigje nga psikologu, por dikush më tha se ky është një problem që duhet trajtuar nga dentisti. Prandaj i drejtohem stomatologes tuaj: Si e shikoni ju këtë gjë? A mund të hiqet ky ves, nëse quhet i tillë? Kam frikë se do të më thyhen dhëmbët, aq shumë i kërcas, sidomos natën.
Anisa Nasto, stomatologe: – E nderuar lexuese, ky është një fenomen që e hasim te shumë pacientë. Në fakt, është një problem, mjekimi i të cilit kryhet nga stomatologu. Kërcitja e dhëmbëve është një sëmundje që quhet bruxixem dhe ka pasoja lokale: abrazion (gërryerje e sipërfaqes përtypëse të dhëmbëve), plasaritje ose thyrje të dhëmbëve, por ka edhe pasoja të përgjithshme, si: Dhimbje koke, dhimbje që përhapen në vesh, lodhje dhe dhimbje e nofullës e cila mund të kalojë në artrit (reumatizëm), e shoqëruar me kërcitje dhe kufizim të lëvizjeve të nofullës. Shkaqet nuk dihen, por mendohet se rolin kryesor e luan stresi, ashtu siç shprehej edhe psikiatri, në një numër të kaluar të gazetës. Mjekimi bëhet shumë lehtë dhe konsiston në një aparat i cili përgatitet në një klinikë dentare dhe mbahet vetëm natën. Është mirë ta merrni sa më parë këtë aparat, për të shmangur pasojat e mësipërme.
Advertisement