Lidhja e fjalës me imazhin është një fenomen i pashmangshëm, ndaj nëse thua Orinda Huta, të vijnë në mendje sytë bojëqielli dhe zëri i ëmbël. Këto tipare më kujtojnë edhe kanarinën e famshme të Disney-t, Tweety-n dhe kjo lidhje nuk është fare pa qëllim, pasi Tweety-n, Orinda e ka tatuazh. E dashuruar pas filmave me kartona, Orinda na sjell një tjetër personazh të tillë në këngën e saj më të re, krah Landi Hysit. Për të, si edhe për gjithë gjërat e tjera të cilat Orinda nuk i ka thënë në media, ajo flet në këtë intervistë; shkurt, bukur dhe saktë…
Enkeleda Kurcani: – “Winnie Winnie Pooh”, këndoni ti e Landi Hysi te Kënga Magjike. Si lindi ideja e bashkëpunimit me Landin?
Orinda Huta: – Kënga ishte realizuar prej kohësh si projekt muzikor dhe kërkonte thjesht një bashkëpunëtor. E ku kishte me mirë se Landi i West Side Family?! Për mua, është kënaqësi e madhe të bashkëpunoj me të. E kush mund ta mendonte në vitin 2002 kur unë këndoja “Tani e di” dhe ai “Mesazh”, se në vitin 2014 do të vinim bashkë? Është vërtet bukur!
– Me sa di, ti po bashkëpunon me të njëjtët emra për këngët e tua të fundit…
– Produksioni muzikor i këngës i takon Alban Kondit dhe Briz Musaraj, bashkëpunëtorët e mi në projektet e fundit. Me Albanin u bë pothuaj 8 vjet që bashkëpunoj.
– Përse pikërisht Winie Pooh dhe jo Simba, për shembull?
– Jo po, pse jo Tweety, meqë e kam edhe tatuazh! (Qesh) U vendos ashtu sepse i përshtatej ritmit të këngës. U krijua titulli e pastaj teksti; nuk ka asnjë mesazh të fshehur.
– Duket se të tërheqin personazhet e filmave me kartona. Cilët janë ata që nuk i përmendëm këtu?
– Po, është e vërtetë, i dua shumë filmat me kartona. Nuk ndahem dot prej tyre dhe ndër vite kam rënë në dashuri me personazhe të rinj të filmave Disney. Për momentin, jam me personazhet e filmit “Frozen”.
– Mos ndoshta je me filozofinë e Piter Panit “Mos u rrit”?
– Jo, jo, nuk jetoj me këtë filozofi.
– Përse ti zgjedh pikërisht Këngën Magjike? Kjo nuk është hera e parë e jotja në këtë festival…
– Sepse është skena ku për herë të parë mora duartrokitjet e publikut të një moshe më të rritur dhe sepse e bekoi rrugën time në muzikë. Është gjithnjë kënaqësi të rikthehesh.
– Nuk të josh Festivali i RTSH-së, aq më tepër që, nëpërmjet tij, mund të marrësh pjesë në Eurovizion?
– Festivali i RTSH-së është një festival historik, por unë, pas Këngës Magjike, do të vazhdoj me publikimin e klipeve.
– Je gjithnjë shumë e kujdesshme me pamjen tënde, dukesh e kuruar në çdo detaj…
– Skena ta detyron kujdesin ndaj vetes. Dikur, për një dalje në festival, mendoja me muaj… Kam krijuar edhe vetë; ishte një ndër pasionet e mia.
– Kush kujdeset për ty, që të jesh kështu, e përsosur?
– Faleminderit Kela. Paraqitjen time të viteve të fundit ia kam besuar Ardi Asllanit. Eva Dibra kujdeset për make up-in dhe flokët.
– Ndoshta edhe shpenzimet më të mëdha, për pamjen i ke, apo jo?
– Jo gjithnjë. Një performancë e bukur kërkon shumë dhe, nuk e merr pjesën më të madhe vetëm paraqitja ime.
– Të mjaftojnë kufijtë e Shqipërisë për blerje?
– Unë përdor më shumë blerjet në internet. Kam firma të preferuara që vijnë në Shqipëri nëpërmjet postës.
– Performanca e këngës “Oqean” në Kënga Magjike 2009, ishte mjaft e veçantë…
– Edhe këtë vit, paraqitja e ka detajin të veçantë. Titulli i këngës përfshin të gjithë skenën dhe për performancën e balerinëve, ka punuar me shumë profesionalizëm sërish Olta Ahmetaj. Jam e lumtur që mbështetem nga miq të mirë, të cilët janë me mua gjithnjë. Në këtë rast, për performancën vlen të falënderoj gjithashtu, Oriana Kamberin, e cila më mbështolli në kutinë e barbit.
– Ç’mund të më thuash për prezantimin e Miss Globe 2014, në krah të Blendi Salajt?
– Ishte një eksperiencë vërtet e bukur, që e përjetova shumë mirë.
– Megjithëse nuk ishte hera e parë në prezantim, pasi ke qenë edhe prezantuese e Miss Shqipëria 2014… Të pëlqen prezantimi?
– Sigurisht që më pëlqen prezantimi, është një prej pasioneve të mia, ashtu si kënga. Në të dyja këto evente të mëdha, jam ndjerë mjaft mirë.
– Kurse nga prezantimi në televizion, duket sikur ke hequr dorë; nuk të kemi parë më në “NEXT”. Përse ky vendim?
– Next ishte eksperienca ime e parë dhe shumë e bukur, por mendoj se aq ishte cikli dhe duhet të përfundonte. Gjithsesi, unë jam sërish pjesë e “Next”, sepse nuk ndahem lehtësisht. Televizionin e dua shumë dhe do të rikthehem me projekt të ri televiziv.
– U përfol lart e poshtë se do të merrje pjesë në Dancing With the Stars. Të është bërë një ofertë e tillë, apo është i gjithi një thashethem?
– Unë jam pjesë e Vizion Plus dhe më pëlqen Dancing With the Stars, por nuk kam ende në plan të kërcej, përveçse në këngët e mia. (Qesh)
– Ke veshur shumë herë në sfilata fustanin e bardhë të nusërisë. E ke menduar si do të jetë ai i vërteti?
– Jo, nuk e kam menduar.
– Ia bëre “Bang Bang” me Diellza Kolgecin. Bëri shumë zhurmë?
– Bëri aq zhurmë sa u kthyen kokat! (Qesh) Me Diellzën ishte një bashkëpunim i shkëlqyer dhe besoj ende që ishte projekti i duhur për t’u rikthyer në muzikë.
– Si fllad i freskët oqeani vjen në klipin e verës, “Te amo”…
– Altin Ago, regjisori i klipit, e realizoi me shumë dashuri. Do thuash ti, nga e di unë këtë të fundit?! E di sepse është një nga miqtë e mi më të mirë. Me njerëz të dashur bëhen gjithmonë punë të bukura. (Qesh)
– Cila është mikesha jote më e mirë?
– Scarlett O’Hara, domethënë Enila Hasani. E njeh? Duhet ta njohësh, është një prej avokateve më të mira në vend!
– Palestra, që e frekuenton aq shumë, të pëlqen apo është diçka e pashmangshme për të ruajtur elegancën?
– Palestra mund të nisë si një gjë e pashmangshme për të mbajtur trupin në formë, por mua edhe më pëlqen shumë. Sidomos kur kam instruktore Ornelën, e cila kujdeset shumë për mua.