Kanë kaluar pak ditë qëkur Microsoft lajmëroi për daljen e pasardhësit të Windows 8, Windows 10, i cili do të dalë në treg në vitin që vjen. Por përse është kapërcyer Windows 9-a për të kaluar drejtpërdrejt te 10-a? Edhe numri 10 është i dyshimtë, pasi sipas përllogaritjeve tona, ekzistojnë të paktën 13 versone të ndryshme të Windows, duke përjashtuar këtu upgrade, edicionet speciale, versionet Home dhe Professional, etj. Disa prej tyre, nuk ishin aq të paharrueshme sa thuhej, ndërsa të tjerat, do të donim t’i harronim!
Dalja në treg e Windows 10 tregon se Microsoft ka mësuar nga gabimet e Windows 8 dhe e ka drejtuar objektivin e vet te përdoruesit që preferojnë tastierën me prekje (touch screen). Ndërveprimi i stilit tablet që ka ngatërruar për mjaft kohë fansat e Windows, tani u është rezervuar pothuajse ekskluzivisht pajisjeve me touch screen. Butoni Start është rikthyer në vendin që Bill Gejt kishte caktuar për të para shumë vjetësh. Tani, sfida më e madhe për Microsoftin është që përdoruesit të kalojnë në këtë version të ri.