– Dr. Mira, së pari, ju shpreh respektet e mia. Kam një problem me shëndetin dhe kam vënë re që sapo ngrohet koha, unë skuqem shumë në fytyrë, vende-vende. S’e kuptoj këtë lloj skuqjeje që kam, a është alergjike apo si? Unë jam një djalë 20 vjeç dhe kjo më shqetëson shumë. Çfarë analizash duhet të bëj, pasi shpesh vë re që më skuqet edhe qafa dhe ndjej nxehtësi? Nga se më vjen, s’e kuptoj…
Dr. Mira Xhixha, alergologe: – Faleminderit për përshëndetjen. Skuqja e lëkurës në pjesët e ekspozuara me ajrin mund të jetë pasojë e një alergjie ndaj shumë shkaktarëve që ndodhen në ajër kur fillon të ngrohet koha, si në rastin tuaj. Ato më të dyshimtat mund të jenë polenet e shumëllojshme që ndodhen në ajër, me fillimin e ditëve të ngrohta. Unë do t’ju rekomandoja një vizitë të drejtpërdrejtë me mjekun alergolog, pasi duhet parë nëse duhet të kryesh ekzaminimin për alergjinë dhe çfarë lloj ekzaminimi duhet, që duhet ta merrni vetëm nga mjeku përkatës. Pasi të vendoset diagnoza, do të merrni mjekimin e duhur. Me respekt, Dr. Mira.
Advertisement