– Kam një fëmijë të vogël 3 vjeç, që nuk m’i ha perimet fare. Unë dua ta mësoj, por ai, sa i shikon, fillon të qajë dhe nuk i konsumon fare. Nuk di si të veproj, sepse nuk po rritet i shëndetshëm. Ka qejf shumë salçiçet dhe nuk di si të veproj që ta mësoj…
– Sipas pediatrëve, fëmijët mezi mësohen t’i konsumojnë perimet. Po ashtu si të rriturit, edhe fëmijët e asaj moshe kanë preferencat e tyre ushqimore. Megjithatë, nuk duhet të demoralizoheni. Ne do t’ju tregojmë disa rrugë të thjeshta që pak nga pak, po t’i ndjekësh, fëmija do të fillojë t’i pëlqejë patjetër perimet. Rëndësi ka të mësohet t’i hajë, sepse perimet janë të domosdoshme sidomos për rritjen e një fëmije. Jepini disa lloje perimesh dhe në forma të ndryshme gatimi. Patjetër, mes tyre do të dalë ndonjë që do t’i pëlqejë, sepse s’ka mundësi që ai të mos i hajë asnjë. Ndryshoni mënyren se si ia paraqisni perimet, duke i bërë edhe në formë kukullash, ose duke i kombinuar me salçiçet që mundësisht të jenë të ziera, në mënyrë që fëmijës t’i hyjnë në qejf. Kur bëni supëra apo gjellëra të ndryshme, mundohuni që fëmijës t’ia gatuani më vete, bëjani në mikser që të mos duken fare perimet. Në këtë mënyrë, ai do të fillojë t’i hajë, sepse nuk do t’i dallojë dot se ku janë. Bëjani pure duke ia shoqëruar edhe me salçiçen brenda. Në këtë mënyrë, pak nga pak, ai do të fillojë t’i konsumojë perimet, sepse do t’i pëlqejë shija. Bëjani me ndonjë erëz të njomë që ka aromë të mirë dhe servirjani në formë loje, duke i thënë që ky ushqim do ta bëjë të fortë, do të rritet shumë shpejt etj. Ama, mos e detyroni kurrë fëmijen me dhunë apo me fjalë të ashpra për t’i ngrënë perimet, sepse po e bëtë një gjë të tillë, harrojeni që do të mësojë t’i konsumojë. Përkundrazi, do t’i neveriten akoma më shumë, do të traumatizohet dhe mund t’i vjellë. Prandaj, mësojeni avash-avash dhe jo shumë shpesh, rrallë jepjani perimet sa të mësohet. Më pas, do të jetë vetë fëmija që do t’jua kërkojë.
Advertisement