– Sa persona ka që ankohen nga stresi dhe për pasojë kanë edhe probleme shëndetësore dhe i dëgjon gjatë gjithë kohës duke ankuar?! Me siguri, shumë!
– Stresi jo vetëm të shkatërron psikologjikisht, por shkakton dhe probleme shëndetësore. Një studim amerikan ka arritur në përfundimin se stresi i tepërt bën që flokët të thinjen më shpejt dhe të dobësohen para kohe. Nga ky studim doli që qelizat që i japin ngjyrë flokut zhduken kur organizmi ekspozohet ndaj hormoneve të stresit. Dhe jo vetëm kaq; kur kjo gjë është testuar te kaviet, është parë që përveçse u janë zbardhur qimet, atyre u është errësuar edhe ngjyra e lëkurës. Ka persona që shikojnë te vetja thinjat që në moshën 25 vjeçare dhe në shumicën e rasteve janë justifikuar duke thënë se kjo është gjenetike. Në të vërtetë, jo në gjitha rastet faktori gjenetik ka qenë shkaktari. Është arritur në përfundimin që stresi, përveç të tjerash, edhe flokët i thinj para kohe.
– Ndaj duhet reduktuar sa më shumë stresi. “Por si?”, do thoni ju. Që të zvogëloni stresin, duhet të filloni nga vetja, duke e pranuar veten siç jeni me dobësitë dhe të metat tuaja dhe duke i dhënë vetes kurajo: “Unë mund t’ia dal, do ta luftoj stresin”. Fillojeni këtë gjë duke respektuar veten dhe duke u kujdesur më shumë për të. Besoj ju e doni veten, nuk e urreni, atëhere tregojeni këtë, duke filluar që nga e ngrëna. Hani mirë, flini mirë, ushtrohuni me një sport, përkushtojuni një pasioni qoftë muzike, sporti, shëtitje dhe shijoni qoftë dhe kënaqësitë më të vogla që ju jep jeta. Thuajini vetes: “Unë ekzistoj, ndaj kam të drejtë të jetoj dhe të jetoj mirë e shëndetshëm me ato pak gjëra që kam”. Nuk po themi të mendoni se ju jeni i përsosur në çdo drejtim, thjesht mos e kushtëzoni veten drejt kënaqësive të jetës, duke filluar edhe nga ato pak gjëra që quhen vogëlsira. Mos prisni kurrë nga të tjerët, pa filluar nga vetja në radhë të parë. Zbatoni atë shprehjen që jo më kot ka thënë: “Fillova të jem i lumtur, kur nuk prisja asgjë nga askush, por mbështetesha tek energjitë dhe forcat e mia”.
Kur të filloni të vlerësoni veten, do të shikoni që do të tërhiqni më shumë energji pozitive. Keni vënë re që kur bëni humor apo qeshni në një rast apo në një kafe me miqtë, tërhiqni më shumë vëmendje dhe dukeni më të këndshëm në sytë e të tjerëve? Atëhere zbatojeni këtë gjë në çdo drejtim. Nëse e pranoni dhe e vlerësoni vetveten, ju do të jeni në gjendje të ndiheni të qetë dhe të kënaqeni me çdo gjë, edhe stresin ta largoni çdo ditë e më shumë. Kuptohet që jeta ka edhe problemet e saj, sepse jo çdo gjë shkon vaj, ama kur i pranoni gjërat siç janë me qetësi dhe mendoni pozitivisht, edhe zgjidhja vjen vetvetiu, pa e kuptuar ju. Në momentin që i pranoni gjërat siç janë dhe e doni veten tuaj, atëhere edhe jeta me gjithë streset e saj përballohet më shumë. Këto s’i themi ne, por ata që studiojnë në këtë fushë dhe janë gjithnjë në kërkim të qetësisë shpirtërore, fizike dhe shëndetësore.
Advertisement