Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Si dashurova 70-vjeç…

Unë që po ju shkruaj jam një burrë rreth të 70-tave. Mora guximin t’ju shkruaja për një femër që e meriton t’i thurësh lavde. Unë tani jam në pension, por kam punuar në arsim, disa vite mësues e disa vite, drejtues. Gruaja ka nja dy vjet që më ka vdekur. Fëmijët janë të martuar e jetojnë në shtëpitë e tyre. Edhe pse nuk jam në punë, shkruaj akoma dhe nuk e kam lënë asnjëherë punën. Përveç librave shkollorë, kam shkruar edhe libra artistikë. Këtu fillon edhe historia ime. Për librin para këtij të fundit, si redaktore, më rekomanduan një grua.
– Është shumë e zonja! – më tha një miku im, edhe ai shkrimtar, – Për më tepër edhe nuk do shumë lekë. Si duket, tani ia ka nisur e nuk i di mirë çmimet.
– Faleminderit, por ndoshta ngaqë është e re nuk di ndoshta shumë mirë të redaktojë.
– E si nuk di? Provoje njëherë.
I kërkova numrin e telefonit dhe i lashë një vend takimi. Mendova se isha herët, kështu që po përtoja të rrija vetëm e po ecja ngadalë, kur sytë më zunë te tavolina një grua shumë të bukur që po rrinte vetëm. Kishte hapur laptopin dhe po priste. Mendova se nuk ishte ajo, por sapo i rashë edhe njëherë telefonit, e kuptova se ajo ishte, kur u përgjigj. Iu afrova tavolinës dhe ajo, me shumë mirësjellje, u ngrit e më dha dorën. Nuk e di pse më ikën fjalët, por di vetëm që i thashë:
– Keni kohë që më prisni? Më falni, por eca ngadalë…
– S’ka gjë. Unë isha më shpejt se sa duhej. – tha dhe më ftoi të ulesha duke larguar çantën e saj.
U ula, por nuk e di se ç’më gjeti se nuk isha në gjendje të flisja. Pas pak, e mora veten.
– Vjen gjithmonë herët në takim? – Kjo fjali më doli papritur dhe as vetë nuk e di pse ishte kjo pyetja e parë.
– Më ndodh shpesh, – buzëqeshi ajo. – Kam dëshirë të jem korrekte.
– Shumë mirë. Kjo është një gjë shumë e mirë, korrektesa është një nga gjërat që unë vlerësoj më shumë.
E kështu biseduam për një kohë që na u duk e shkurtër, por në fakt, kur u ndamë, pashë se kishim kaluar më shumë se dy orë në atë lokal dhe nuk e kishim ndjerë aspak. Ajo ishte një grua shumë e bukur e shumë tërheqëse. Sapo e pashë, e kuptova se ajo kishte diçka të veçantë. Më pëlqeu biseda me të dhe më duket se fillova të ndjeja diçka. Ajo, sapo kishte kaluar të tridhjetat, ndërsa unë, të shtatëdhjetat! Ishte goxha diferencë, por po ta shihje me sytë e mi, përderisa unë nuk dukesha më shumë se 55 vjeç, ishim në rregull. Mund t’ju duket budallallëk, por unë rashë menjëherë brenda. Ia dhashë materialin dhe, si me porosi, më mori shoku në telefon për të më pyetur se si më ishte dukur. Për të mos rënë në sy, i thashë:
– Sikur s’ma mbushi syrin! Ishte e re dhe ndoshta nuk do të mund ta redaktojë.
– E ke gabim, është e aftë. Lëre pastaj sa pak lekë do të të marrë.
– Epo, këtu dyshoj. Po të ishte e mirë, do të merrte lekë më shumë. Nejse, unë ia dhashë materialin e të shohim. Më çuditi se më tha që për një javë do ta kisha gati redaktimin e parë.
– Është punëtore, pra! Ja, do ta shohësh e do të më thuash.
Këto fjalë unë po i thoja krejt kot, sepse që në momentin e parë që e pashë, e besova se do të ishte një vajzë e mirë dhe shumë punëtore. E, mbi të gjitha, shumë tërheqëse. Nejse, mezi po prisja ditën që kishim lënë për ta parë herën e parë redaktimin. Një ditë nuk durova dhe e mora në telefon. Ajo u përgjigj menjëherë. Dukej se e kishte marrë shumë seriozisht punën.
– Urdhëroni! Si jeni?
– Mirë faleminderit, po ju? – thashë i zënë në befasi nga pyetja e saj. I kisha rënë telefonit e më shumë mendoja të mos përgjigjej, sepse nuk kisha ndonjë gjë për t’i thënë.
– Mirë. Akoma nuk e kam përfunduar materialin.
– Nuk të mora për këtë, mos u shqetëso – i thashë. – Por, desha të të them se kam shkruar një pjesë tjetër që do t’ia shtoj.
– Dakord. Kur mund të ma japësh? – ajo ishte e gatshme për punën në çdo moment.
U zura ngushtë. Nuk kisha shkruar asgjë e nuk e dija ç’t’i thosha.
– S’ka gjë… Vazhdo me atë që ke në dorë që të mos ngatërrohesh dhe më pas merru me këtë tjetrën.
– Dakord! Mirupafshim!
– Mirupafshim! – i thashë dhe e mbylla telefonin e u lëshova mbi kolltuk i çliruar se si shpëtova pa e marrë vesh ajo që i kisha telefonuar vetëm për t’i dëgjuar zërin. Nuk e përsërita më këtë, por e kisha futur veten në telashe e më duhej të ulesha e të shkruaja diçka tjetër, ashtu siç i kisha thënë asaj. Ishte mjaft e vështirë, sepse unë e kisha përfunduar veprën, por ja që m’u desh ta bëja. Shkrova një dialog në një pjesë ku nuk kishte aspak lidhje, por ç’t’i bëja?!
Kur erdhi dita që do ta takoja, u mundova të dukesha sa më sportiv. U vesha bukur e mezi po prisja momentin që do ta shihja. Shkova i pari e po prisja. Ajo erdhi dhe unë përnjëherë e kuptova se më kishte rënë shumë, po shumë në kokë për të. Ndoshta ju mund të habiteni, por edhe në këtë moshë mund të dashurosh, madje më shumë sesa kur je i ri. Pasi u përshëndetëm, filluam një bisedë të ngrohtë në fillim për librin dhe më pas e khyem në bisedë pak personale. Kjo ndodhi kur asaj i ra telefoni.
– Po, zemër. Bëhu gati se do të të marrë mami tani. Edhe pak dhe mbarova.
– Keni fëmijë?
– Po. Kam një djalë.
– Po ju dukeni shumë e re! Më falni që po jua them këtë.
– S’ka gjë! Jam martuar e re. Djali tashmë është 15 vjeç.
– Të të rrojë! Fëmijët janë domethënia e jetës!
– Ashtu është! Pa ta, jeta s’ka kuptim.
Biseduam edhe më shumë e në çdo fjalë kuptoja se kjo ishte një dashuri nga ana ime. U fiksova keq pas saj. Shkova në shtëpi dhe pashë se ajo kishte bërë një punë të mrekullueshme. Sapo e mbarova, së pari e mora në telefon dhe i thashë se isha gati për pagesën. Ajo u tregua si gjithmonë shumë korrekte. I dhashë lekët dhe ajo mbeti e habitur.
– Më keni dhënë më shumë se ç’duhet. – tha dhe u mundua të m’i kthente disa.
– Jo, e ke gabim. Aq bëjnë. Madje ti ke bërë një punë të përkryer. Duhet të të jepja më shumë.
– Ju faleminderit!
E kujt i drejtohej me ju, mua që më kishte rënë në kokë keq për të?!
E ja pra, kështu filloi vuajtja ime. Nuk dija si ta takoja më, pas përfundimit të librit. E ftova në promovim dhe ajo erdhi bashkë me të shoqin. Ishte një djalë i ri, gati sa mosha e saj, mirëpo vura re, me syrin e shkrimtarit, se ai ishte shumë mospërfillës ndaj saj. Ai, një e dy shikonte orën e dukej se kishte ardhur me zor. Më erdhi keq për të. A meritonte një femër e tillë, të mos i kushtoje vëmendje?! Kjo ishte një padrejtësi e madhe, mirëpo unë s’mund të bëja asgjë. E vetmja mënyrë për ta mbajtur afër atë femër ishte t’i gjeja punë dhe këtë bëra. U thashë të gjithë atyre që njihja se kisha gjetur një redaktore të shkëlqyer.
– Me ngadalë – më tha njëri – Ke filluar nga prapësitë më duket…
– S’është nga ato gra ajo! Është shumë punëtore dhe e aftë.
– Mirë, po mos ke rënë brenda me të?
– Ajo mund të ishte mbesa ime. Ç’thua kështu? – i thashë shokut, por nga ana tjetër po mendoja se sa mirë e kuptoi.
E kështu, në këtë formë, gjeta një pikë kontakti të vazhdueshëm me këtë grua fenomenale. E mbaja afër dhe i gjeja punë. U miqësuam shumë me njëri-tjetrin. Mua, sa vinte e më shtohej dëshira për të ndenjur me të, por nuk e dija reagimin e saj, po t’ia thoja hapur se ç’ndjeja. Ishte puna e moshës, e diferencës shumë të madhe… Unë e ndjeja se ajo kishte nevojë për ngrohtësi, e cila i mungonte në shtëpi, por kisha frikë ta hidhja këtë hap. Mendoja se më pas ajo nuk do të donte të takohej më me mua, mirëpo ne burrat e kemi të vështirë të durojmë para një femre. Kështu, në promovimin e librit të një shoku, unë e ftova të shkonim bashkë. Pas promovimit, kishte një party. Kishte muzikë dhe, gjatë kërcimit, unë gjoja si pa dashje i pëshpërita në vesh: “Ti më kënaq”. Për çudinë time, ajo nuk u largua, por u afrua më tepër nga unë. Këtë në fakt nuk e prisja, por tashmë miqësia kishte bërë të vetën. Pasi mbaroi mbrëmja, e ftova të pinim një kafe. Gjatë bisedës, i thashë:
– Më fal për atë… gjatë kërcimit. Nuk doja, më doli natyrshëm…
– Je i falur! – tha ajo dhe buzëqeshi.
Po nuk e kuptova se ç’do të bënim më tej. Ajo në fakt me mua ndjehej shumë mirë. E provokova edhe nja dy herë të tjera, por ajo nuk reagoi keq, kështu që unë e mbaj shoqërinë me të dhe nuk e di se si do përfundojë. Di vetëm të them se ajo më ka rinuar dhe më ka mbushur me shpresa. Kam një motiv për t’u zgjuar në mëngjes…
Në fakt, këtë histori e shkrova për shumë arsye. Për t’u thënë moshatarëve të mi se jeta vazhdon derisa të marrësh frymë, por arsyeja kryesore që më bëri ta shkrauj është t’u them të gjithë atyre që i kanë gratë e mira e nuk dinë t’i mbajnë: Mbajini mirë gratë, respektojini ato, duajini fort, dëgjojini kur kanë nevojë për ju, sepse nëse nuk e bëni, mos u çudisni që dhe një 70-vjeçar mund të jetë konkurent i juaji!

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
View Comments (1) View Comments (1)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

EDI RAMA: KUSH PAGUAN GJITHË BORXHIN UL 80% KAMATVONESAT

Next Post

Gruaja që mbajti 40 vjet në bark një fetus të fosilizuar

Advertisement