Le të flasim për një këngëtare që thyen shumë rregulla… Një këngëtare me një histori të gjatë në tregun muzikor shqiptar, e cila që në vogëli, ka treguar talent të rrallë në skenë. Kjo është Flaka Krelani, këngëtarja kosovare e cila përpos çmimeve si këngëtare, kohët e fundit ka marrë pjesë edhe në kompeticione televizive, duke treguar talentin e saj edhe në kërcim.
Këtë sezon, Flaka vjen me albumin e ri “Zjam” që nënkupton zjarrin, ashtu si temperamenti i saj dhe si emri, gjithashtu. Në fakt, Flaka është një vajzë shumë e thjeshtë, që fama nuk e ka ndryshuar aspak. E takova Flakën për të më treguar diçka më shumë rreth albumit të ri, një abum shumë i ndryshëm, si në rrymë muzikore, ashtu edhe në stil e në lukun e saj. Flaka duket mjaft e lumtur me rezultatin e arritur. Ndërkohë, ajo publikon edhe fotot e saj më të reja të sapopërfunduara gjatë klipit, në faqet e gazetës sonë. Fotot e realizuara janë marrë në ambientin e një shtëpie të djegur gjatë luftës së Kosovës. Në bisedën me të vë re se jetën personale kërkon ta mbajë shumë larg gazetarëve, zgjedhje që ka bërë që në fillimet e karrierës. A thua të jetë kjo vajzë ende singëll? Ajo thotë se ndihet e lumtur në botën e muzikës dhe se ashtu siç ka emrin, ka raste kur në jetë i është dashur të shndërrohet në një zjarr të vërtetë. Për më shumë të reja, ju ftoj të lexoni intervistën…Rita Rrjolli: – Flaka, më fol pak për albumin “Zjam”…
Flaka Krelani: – Kënga “Zjam” është realizua nga producenti, që është edhe vëllai im, Xhimi ON DW Beat. Masteringu është bërë nga Lentild, te studio J2L Records. Stilimi ka qenë nga Fashion Kreatorja shumë e dashur për mua, Dona Matoshi, ndërsa e gjithë video nga Asha Production…
– Sa kohë të mori ky projekt edhe ç’risi sjell për tregun muzikor shqiptar?
– Kënga flet për eksperiencën time në botën e muzikës, karrierën time, baticat dhe zbaticat, vështirësitë që kam hasur gjatë këtij rrugëtimi, në të njëjtën kohë, duke përfshirë edhe tregun muzikor sot. Ka marrë një kohë të mjaftueshme, mirëpo them se ka dalë në kohën e duhur.
– “Zjam”… në ç‘kuptim?
– Fjala “Zjam”, do të thotë Flakë! (Buzëqesh)
– Ke zgjedhur një stil tjetër, si në muzikë, ashtu edhe në paraqitjen skenike… Sa i vështirë ishte ky ndryshim për ty?
– Ndryshimet janë gjithmonë të mirëseardhura, sidomos tek unë, që i dua shumë. Unë nuk e kam të vështirë sepse sjell freski te publiku, mirëpo gjithmonë kam parasysh faktin që të rri brenda kornizave të mia, çfarëdolloj ndryshimi të jetë, në këngë, apo në stil. Nëse një artist inspirohet të krijojë diçka, nuk ka nevojë t’i vendosë mur vetes dhe të rrijë vetëm në një lloj bote krijimi. Mendoj që shumëllojshmëria e krijimit, kuptohet, duke qenë e mirëfilltë, është një gjë që e kompleton artistin.
– Si e pritën këngën e re fansat e tu, që janë mësuar të dëgjojnë muzikë rok?
– Fatmirësisht, e kanë pritur shumë mirë dhe i falënderoj jashtë mase për përkrahjen që më kanë dhënë gjatë gjithë kohës. Pa ta, s’do të kisha qenë e gjallë.
– Çfarë ka ndryshuar te ti në planin personal, kohët e fundit?
– Në planin personal asgjë, kurse përsa u përket projekteve që kam në art, ka ndryshuar shumë dhe do të ketë shumë të tilla.
– Që janë…
– Do të kisha dashur të mos flisja konkretisht tani… (Buzëqesh) Janë gjëra që do t’i shihni me kohën.
– Më bëri përshtypje sesioni yt i ri fotografik…
– Fotot e reja janë realizuar nga fotografi Nik Morina… Nuk është hera e parë që kemi një bashkëpunim të tillë, pasi me Nikin kemi bashkëpunuar edhe më herët me foto goxha interesante, si ato në Nju Jork, për shembull.
– Çfarë të ka frymëzuar për të sjellë foto në një ambient kaq të veçantë?
– Inspirimi ka ardhur nga vetë fjala Flakë. Fotot janë realizuar në një ambient ku i është vënë zjarri shtëpisë (në Prishtinë, në kohën e luftës) dhe Niku e ka parë të arsyeshme që ky ambient të lidhet me seksionin fotografik, që fotot të kenë bashkëkuptimin e emrit dhe ambientit. Pra, Flaka në flakë. (Qesh)
– Flakë në emër, flakë në sjellje… Kështu je, edhe në përditshmëri?
– Gjithçka varet se si është situata. Nëse kërkohet të jem flakë, jam, nëse jo, jam shumë e butë. (Qesh)