– Kam një problem me palestrën; nuk kam vullnet, ama doktori më ka thënë që duhet ta vazhdoj se s’bën. Bëra një javë dhe e lashë sërish. Nuk di si të veproj… Do të doja shumë të më hynte në qejf, të krijoja varësi, por s’di si të veproj. Ju, çfarë më këshilloni? Klaudia.
Mario Instruktori: – E dashur Klaudia, kam folur edhe më parë për personat që kanë probleme të tilla me palestrën dhe është për të ardhur keq, aq më tepër që juve jua ka këshilluar doktori. E kuptoj që fillimi është i vështirë, por më vonë do të kuptoni se sa e vlefshme ka qenë vajtja në palestër. Mendoni që jua ka sugjeruar doktori! Kjo do të thotë se shëndeti juaj është pak kritik, prandaj mendojeni mirë. Kjo është gjëja e parë që duhet të mendoni: “Do të më bëjë mirë për shëndetin”. Nëse nuk ke shëndetin, asgjë të mirë nuk ke në jetë. Së dyti, paguajeni palestrën që në fillim, mos shkoni me ditë. Besoj se anëtarësimi në palestër duke paguar, do t’ju bëjë që të motivoheni më shumë sepse mendoni që ato lekë do t’ju shkojnë dëm nëse nuk shkoni. A jeni ju aq e pasur sa t’i hidhni tutje lekët pa e vrarë trurin që po harxhoni dhe përsëri nuk po ushtroheni?! Shumë persona që shkojnë në park apo ushtrohen vetë, kanë më pak motivim për të bërë ushtrime. Ndërsa ata që shkojnë nëpër fitnese, janë më të motivuar sepse kanë paguar lekët dhe u dhimbset djersa e tyre.
– Bëni ushtrimet që ju pëlqejnë si fillim gjersa të mësoheni dhe të krijoni njëfarë varësie ndaj palestrës. Filloni me zumba, aerobi, ose bëni çfarë ju duket më e lehtë dhe argëtuese. Do të shikoni që pak nga pak do të ndjeni përmirësim në shëndet dhe sigurisht, kjo gjendje do të transmetohet në psikologjikën dhe humorin tuaj, gjë që do t’ju motivojë akoma më shumë për t’u ushtruar në palestër. Në fillim, para se të shkoni në palestër, shikoni në pasqyrë fizikun tuaj dhe më pas bëni krahasimin qoftë edhe pas një muaji; do të shikoni një ndryshim tjetër dhe do të filloni ta doni akoma më shumë trupin tuaj. E kush është ai apo ajo që nuk do përveçse shëndetit që është kryesor një trup të bukur, joshës, me forma të bukura aq më tepër në këtë periudhë që është koha e verës dhe do të dilni me bikini në plazh? Vërini vetes detyrë ose “jepini urdhër”, që “në këtë orar do të shkoj se s’bën në palestër”.
– Jepini mundësi vetes që të bëni të paktën 5-6 javë stërvitje, edhe pse do ta keni pak të vështirë me natyrën tuaj. Bëni durim dhe mendoni ato që ju thashë më sipër. Kur të kalojë kjo periudhë 5-6 javore, do të jetë vetë trupi juaj që do t’i kërkojë ushtrimet. Shumë ekspertë thonë se mjafton të kalojnë të paktën 23 ditë dhe të ushtruarit në fitness do t’ju bëhet i domosdoshëm. Do të shikoni një shëndet të përmirësuar, një fizik më të formuar e më të bukur, do të ndiheni më energjike e më e fortë dhe me një humor të ndryshuar. Këto besoj se janë mjaft elementë të mirë për t’ju motivuar e vazhduar përpara.
Advertisement