Megjithëse deri tani këshillohej si një nga sportet që mund ta ushtronin edhe gratë shtatzëna, tani ajo mendohet si një rrezik për shëndetin e bebes së ardhshme. Sipas një studimi britanik, të bërë nga studiuesit e Institutit të Dermatologjisë të St Xhonit dhe të publikuar në “Gazetën britanike të dermatologjisë”, substancat kimike të pishinës mund të favorizojnë alergjitë te bebja i ardhshëm. Studiuesit konfirmojnë se gratë shtatzëna që bëjnë not në pishinë, rrezikojnë të lindin bebe me shëndet të brishtë. Faji është kryesisht i klorit dhe substancave kimike që përdoren për të pastruar ujin e pishinave. Këto substanca thuhet se çekuilibrojnë sistemin imunitar të bebeve të ardhshme, duke favorizuar alergjitë. “Kur fetusi bie në kontakt me këtë tip produktesh, sistemi i tij imunitar ndryshon. Ky ndryshim e bën më të ndjeshëm ndaj astmës, ekzemës, apo alergjive”, shpjegon dermatologu Xhon MekFaden, një nga shkencëtarët që është marrë me studimin. Këto rezultate janë shqetësuese, pasi deri tani, grave shtatzëna u këshillohej të bënin not: “Noti përmirëson qarkullimin e gjakut, tonifikon dhe shton forcën e muskujve, si edhe rezistencën e tyre”. Megjithatë, studiuesit mbeten të rezervuar, ata thonë se duhet edhe një studim tjetër më i thellë, para se t’u ndalohet kategorikisht grave shtatzëna noti në pishinë.
Advertisement