Ka zgjedhur Stinen për të nisur karrierën e saj muzikore dhe duket se ka goditur në shenjë. Pjesëmarrje në Top Fest, këngë të pëlqyera dhe, së fundi, një bashkëpunim me Stinen në këngën “Të rrimë larg”, këngë kjo që i dha një hov edhe më të madh suksesit të saj. Me besim në vetvete dhe me hapa të sigurtë, Olgera tregon se është një zë që premton në muzikë…
– Olgera, ajo që di për ty është se ke lindur në Rrëshen, ke kënduar që e vogël në eventet muzikore të qytetit tënd dhe në diasporë. Paraqitja jote e parë skenike ishte në vitin 2013, në Top Fest 10, me këngën “Jo ti mos harro” realizuar nga Stine… Më pas erdhi dhe klipi yt i parë “Në zemër të mbaj” dhe i fundit, po me Stinen “Të rrimë larg”. Çfarë duhet të dimë më shumë?
– (Buzëqesh) Unë do të përmendja edhe faktin që prej disa vitesh jetoj në Itali, ku edhe studioj, por së fundmi, jam zhvendosur në Zvicër, ku performoj live çdo natë në restorantin “Dodge City”. Pjesa tjetër, besoj se do të zbulohet gjatë intervistës… (Qesh)
– Pse gjithmonë me Stinen? Çfarë ka ai ndryshe nga kompozitorët e tjerë?
– Stine ka qenë për mua dashuri me dëgjim të parë. Qëkur është shfaqur në televizion, kam qenë adhuruese e këngëve të tij. Pa dyshim, është unik në llojin e muzikës që bën dhe, përveç faktit që është tepër i talentuar, është edhe një njeri pa komplekse dhe shumë origjinal në muzikë. Nesti më ka pëqlyer që brenda çdo kënge që shkruan, ka edhe shumë ndjenjë.
– Nëse në të ardhmen do të bashkëpunoje me një kompozitor tjetër, ai do të ishte…
– Janë disa kompozitorë që më pëlqejnë dhe shpresoj që në projektet në vazhdim, do të kem bashkëpunime me ta.
– Le të ndalemi te klipi i fundit… E kujt ishte ideja e bashkëpunimit?
– Në fakt, si bashkëpunim me Nestin kishim menduar që në fillim të bënim këngën “Jo ti mos harro” pjesëmarrëse në Top Fest, por për shkak të kohës së kufizuar që patëm, nuk arritëm dot. Nesti më tha që ma kishte borxh një duet, sigurisht, nga dëshira që kishte për të më mbështetur. Pasi dëgjova demon e këngës “Të rrimë larg”, mendova: “Kjo është e duhura për duet” dhe ja, u bë! (Buzëqesh)
– Këngët e tua flasin për dashurinë. Kanë të bëjnë me përjetimet e tua, të kompozitorit apo të të dyve?
– Këngët e mia nuk janë shkruar në mënyrë direkte për ndonjë përjetim timin, por besoj se gjithësecili që i dëgjon, e gjen sadopak veten, përfshirë edhe mua.
– Kur dhe si e kuptove që kishe talent në muzikë?
– Kam filluar që e vogël t’i shfaq shenjat e para të talentit në muzikë. Njerëzit që më rrethonin tregojnë se si reagoja ndaj muzikës apo se si bëja koncertet e lagjes. (Qesh) Sigurisht, duke u rritur e duke u interesuar gjithnjë e më shumë rreth muzikës… Pastaj, nuk kisha nga t’ia mbaja; duke qenë se mamin e kam mësuese muzike, dikush nga fëmijët do ta trashëgonte dhe… qëllova unë! (Qesh)
– Ke zgjedhur të merresh me muzikë, por ke zgjedhur gjithashtu edhe të studiosh jashtë Shqipërisë. Pse?
– Kam zgjedhur studimet jashtë Shqipërisë sepse kushtet dhe niveli i studimit që ofrohet jashtë Shqipërisë është shumë më i avancuar. Është e vërtetë që largësia të mban larg angazhimeve muzikore, por me pak sakrificë, arrihet gjithçka.
– Cilat kanë qenë vështirësitë e jetesës larg familjes?
– Në fillim ka qenë shumë e vështirë sepse nga një ambient ku ke familjen gjithmonë afër, gjendesh në një ambient tjetër, ku përveç jetës së re që nis në të gjitha aspektet, mungon edhe familja, por me kohën, u përshtata.
– Si kalon dita jote atje?
– Kur jam në Itali, si dita e çdo studenteje; shumicën e kohës e marrin studimet. Pjesa tjetër në shtëpi, duke dalë me miq, kafe, kinema… varet nga dita.
– Ti je nga Rrësheni… Në qytetet e vogla të tilla profesione, si ai i këngëtares, shihen edhe pak shtrembër. Ke hasur të tilla paragjykime?
– Qyteti i Rrëshenit është i vogël, por njerëzit janë shumë të sjellshëm dhe e duan artin. Kritikat ekzistojnë kudo, jo vetëm në qytetin tim, por përgjithësisht, komentet kanë qenë pozitive, kështu që nuk kam pasur probleme të tilla. (Buzëqesh)
– Je nisur e sigurtë në këtë rrugë? Me çfarë qëllimesh?
– Fillimi i mbarë, gjysma e punës. Besoj se e kam nisur mbarë dhe me hapa të sigurtë, duke qenë se bazat e muzikës i kam goxha të mira, si nga ana e familjës, ashtu edhe nga studimet private që kam marrë për Kanto. Qëllimi është të plotësoj ëndrrën time për këngën, të sjell risi dhe këngë gjithnjë e më të bukura për publikun.
– Zakonisht, fama është e lidhur edhe me paraqitjen, prandaj shumë vajza bëjnë ndërhyrje plastike në fytyrë e trup. Nëse do ta ndjeje nevojën për një ndërhyrje të tillë, do ta bëje?
– Pamja është faktor shumë i rëndësishëm, sidomos për njerëzit e ekranit. Ndihem mirë me veten kështu siç jam dhe, nëse do të bëja ndonjë ndërhyrje, do ta bëja nëse me të vërtetë do ta kisha tepër të nevojshme për t’u ndjerë mirë me veten dhe jo për shkak të famës. Megjithatë, jam e mendimit që origjinalja është gjithmonë më e bukur.
– U trembesh zhgënjimeve?
– Zhgënjimeve nga njerëzit e afërt dhe që me të vërtetë i dua, u trembem shumë, ndërsa atyre në rrethin pak më të gjerë të njerëzve nuk u trembem sepse jam e parapërgatitur që do të më zhgënjejnë. Jeta është e tillë…
– Nëse do të të pyes për dashurinë, e di që do të më thuash se muzika është dashuria jote… Përveç kësaj, ka tjetër dashuri në jetën tënde?
– (Qesh) Përveç dashurisë për muzikën, kam dhe shumë dashuri si për shembull: Familja, shoqëria etj. Momentalisht, nuk kam dashuri tjetër; jam singëll.
– Do të sakrifikoje më shumë për muzikën apo për dashurinë?
– Kjo është pyetja që do të doja të mos ma kishe bërë sepse muzika është shumë e rëndësishme për mua, por po ashtu edhe dashuria dhe nuk do të dija t’i ndaja nga njëra-tjetra. Besoj se për të dyja do të sakrifikoja në mënyra të ndryshme sepse janë të dyja jetike për mua; qoftë muzika që është pasion dhe ëndërr e imja, qoftë dashuria, që është shumë e rëndësishme në jetën e secilit.
– Muzika është po aq e bukur sa edhe e vështirë. Ti vetë, ku e sheh të bukurën dhe ku, të vështirën?
– Duke qenë se jam shumë e dhënë pas muzikës, më duket më shumë e bukur sesa e vështirë, por ka gjithmonë vështirësitë e veta. E bukur kur shijon komentet pozitive, duartrokitjet e njerëzve, ndoshta sadopak bëhesh pjesë e çdokujt që dëgjon këngët e tua. E vështirë është për shkak të largësisë dhe më duhet të udhëtoj shpesh për angazhime të ndryshme. Gjithashtu, edhe nga mosfunksionimi i një tregu të mirëfilltë të muzikës në Shqipëri.
– Si do t’i rendisje gjërat e tua më të rëndësishme në jetë?
– Shëndeti, familja, dashuria, profesioni, shoqëria.
Për të të njohur më mirë…
– Cila është bota jote, gjërat që të pëlqejnë, ato që nuk i do…
– Përgjithësisht, jam tip i qetë. Sigurisht, kam edhe unë atë pesë minutëshin tim kur s’duhet të më flasë njeri… (Qesh) Më pëlqen kërcimi, librat, udhëtimet e moda, ndërsa gjërat që nuk më pëlqejnë janë servilizmi dhe padrejtësia.
– Je ti më e dashur me të tjerët apo janë ata që të rrethojnë, më të dashur me ty?
– Të them të vërtetën, jam natyrë paksa e tërhequr, në kuptimin që nuk i jap shumë të njohur gjithkujt, por kjo nuk është për mendjemadhësi. Me njerëzit që më përshtaten, si në tip, ashtu edhe në karakter, jam shumë e dashur, por edhe ata me mua. Është reciproke, besoj.
– Çfarë kujton më shpesh dhe me nostalgji?
– Pa dyshim, momente nga fëmijëria ime, sidomos koncertet me fëmijët e lagjes, ku meodemos unë duhej të dilja këngëtarja dhe Missi i lagjes. (Qesh) Sa herë e kujtoj, më vjen për të qeshur dhe më shkakton një gjendje emocionale shumë pozitive.
– Je tip që shikon vetëm para apo e kthen kokën pas dhe reflekton?
– Jam tip që shoh përpra, por duke reflektuar mbi gabimet e bëra më përpara, për të mos i përsëritur.
– Çfarë është e pazëvendësueshme për ty?
– Familja.
– Kënga e radhës do të jetë përsëri në bshkëpunim me Stinen?
– Këngët e radhes do të jenë disa, ku pa dyshim do të ketë këngë nga Stine, por dhe nga emrat më të njohur të momentit në muzikën shqiptare.
E mbaj gjatë inatin kur… dikush që ti i ke besuar, të është afruar thjesht për interes.
Personi me të cilin grindem më shumë… Franki, nipi im, sepse jemi dy më të vegjlit e shtëpisë dhe jemi rivalë me njëri-tjetrin.
Sa herë hyj në një vend të panjohur, plot me njerëz… thjesht bëj atë që jam nisur të bëj, pa u kompleksuar nga njerëzit përreth.
Kur më telefonon mamaja, dihet që e para gjë që do më thotë është… “Ke ngrënë bukë? Ke fjetur? Vishu se bën ftohtë”. (Qesh)
Kur isha e vogël kisha frikë nga prindërit, kur… merrja macen në krevatin tim e flija bashkë me të.
Një nga gjestet e para që bëj në mëngjes është… shikoj orën nëse jam bërë vonë.
Nëse ndodh të shkoj për pushime, vendi perfekt do ishte… në Karaibe.
Personi me të cilin kuptohem me një shikim… dy motrat e mia.
Që dita të ecë mbarë, mjafton… të zgjohem nga telefonata e njerëzve të mi më të dashur.
Pjesa më e bukur e ditës është… kur kthehem në Shqipëri dhe e kaloj pranë familjes.