Profesori i psikologjisë, Uollter Mishel, i Universitetit të Kolumbias, SHBA, i njohur për teorinë e tij të ashtuquajtur «marshmallou», ka publikuar kohët e fundit një libër mbi vetëkontrollin, “Marshmallou Test”. Në një nga kapitujt e librit, Misheli shpjegon si t’i përballosh sa më mirë vuajtjet e zemrës. Sipas rezultatit të një studimi që ai ka kryer, duke u dhënë disa subjekteve aspirinë apo ibuprofen dhe të tjerëve tableta placebo, mjafton t’i trajtosh vuajtjet e zemrës si një dhimbje fizike. Uollter Mishel ka saktësuar se njerëzit e prekur përshkruajnë simptoma fizike kur flasin për vuajtjet e zemrës, pra, idealja do të ishte t’i trajtoje si dhimbje fizike: «Kur ju shihni një foto të atij/asaj që ju ka thyer zemrën, ndjeni një dhimbje në një zonë të trurit, të ngjashme me atë që ndjehet kur thyen krahun, për shembull», shpjegon ai. Por, përveç aspirinave, Misheli këshillon edhe… heshtjen, pra, faktin e të folurit sa më pak për ndarjen. «Na thuhet se duhet të rishikojmë eksperiencat tona negative, për t’u përpjekur të kuptojmë pse kanë ndodhur, në mënyrë që të ecësh përpara. Megjithatë, një studim i ri ka treguar se njerëzit demoralizohen nëse rrinë gjithmonë duke menduar dhe rimenduar të njëjtën gjë. Sa herë që ata kujtohen për eksperiencën e tyre, sa herë ua tregojnë miqve, apo psikologut të tyre, ata bëhen më të deprimuar». Kështu, ai këshillon vetëdistancimin (self-distancing), konceptin e tij bazë. Hajde shpjegojua shoqeve këtë koncept të ri: «Pi dy aspirina dhe të mos e zëmë më në gojë»!
Advertisement