Përshëndetje miq të gazetës “Intervista”! Ju që do ta lexoni historinë time, me siguri do të mendoni që kjo është një histori me fund të lumtur, ku dashuritë e mëdha përfundojnë bashkë. Kështu mendoja edhe unë, por jo kjo histori u kthye ne makthin tim më të keq. Gjithçka nisi pra tre vjetësh, kur sapo kisha mbaruar maturën dhe isha në pritje të shkollës së lartë. Ishin pushimet verore që, siç dihet, janë periudha më e mirë për ta shfrytëzuar me shoqërinë, kafet, baret, e festat e ndryshme, që na çlodhnin nga gjithë ajo ngarkesë e vitit. Ishte një pasdite korriku ku kisha bërë plan të dilja, ashtu si çdo mbasdite e zakonshme. Në një nga lokalet e kryeqytetit, rastësisht takova një miken time të vjetër që për shkak të punës së prindërve të saj, është shpërngulur në Itali. Biseduam gjatë, kishim shumë për t’i treguar njëra-tjetrës; ajo për jetën e saj andej në një vend të huaj me njerëz të rinj, ndërsa unë, nga ana tjetër, për jetën e shkollën këtu në kryeqytet. Teksa bisedonim dhe qeshnim me aventurat tona, ajo priste nga çasti në çast të takohej me miqtë e saj, kështu që vendosa të mos e lija vetëm. Nuk vonuan shumë dhe ishin pikërisht ata që na i ndërprenë të qeshurat. Më prezantoi si miken e saj të vjetër të cilën kishte kohë pa e takuar, por kaq mjaftoi për të shkëmbyer shikimet, pëlqimin dhe shtrëngimin e duarve në atë moment me “atë”, me djalin që nuk e mendoja kurrë se do të bëhej pjesë e jetës dhe mendimeve të mia. Ajo mbrëmje kaloi shumë shpejt dhe, padashur, e gjetëm veten duke biseduar me njëri-tjetrin. Kuptoheshim fare mirë. Më pëlqente mënyra se si fliste, si i logjikonte gjërat dhe tipi i tij gazmor që me ndonjë batutë më bënte të skuqesha, por kishte ardhur momenti të ngriheshim. U përshëndetëm përsëri. Ai më tha se i bëhej qejfi që më kishte takuar dhe se dëshironte të takoheshim sërish. Rruga për në shtëpi atë natë u bë më e shkurtër se netët e tjera. Gjumi u zhduk nga sytë-këmbët dhe mendimet për të, ua zunë vendin atyre të zakonshmeve. Ai mëngjes ishte ndryshe, dielli kishte shtrirë rrezet e tij në çdo cep, ndërsa në fytyrën time ishte shtrirë një buzëqeshje, arsyen e së cilës nuk po e kuptoja as vetë. Isha një vajzë e qetë, dashuritë dhe çmenduritë e adoleshencës nuk i kisha lënë të më “preknin”, vendin e tyre e kishin zënë dashuria për librat, stduimet dhe një rreth shoqëror shumë i ngushtë që dinte çdo gjë për mua, por tani ishte shtuar edhe një detaj tjetër, “ai”. Ato muaj vere nuk e takova më, por shumë shpejt edhe vera po mbaronte. Në fillim të shtatorit, mikesha ime do të kthehej në Itali dhe për këtë arsye, do të organizonte një festë fare të vogël me shoqërinë e saj më të ngushtë, pjesë e së cilës isha edhe unë. Ky lajm më gëzoi pa masë sepse ishte festa e fundit e sezonit veror, por mbi të gjitha, shpresoja shumë që edhe ai të ishte aty.

Ashtu si çdo vajzë tjetër, doja që atë natë të isha perfekte; ndoshta ajo ishte nata e fundit që takoheshim. Kur mbërrita, festa sapo kishte filluar. Takova të gjithë të ftuarit dhe i fundit ishte ai që unë prisja. Emocionet e natës së parë më bënë të mos ia mbaja mend mirë emrin, por shoqja ime më nxori nga situata duke thënë: “Erg, e mban mend? Kjo është J, shoqja ime që e ke takuar para pak muajsh” dhe ai pohoi me kokë. Kjo më bëri të shpresoja që nuk e kishte harruar imazhin tim nga ajo natë. Më puthi në faqe, bëra sikur nuk më interesonte, por brenda vetes u mbusha me gëzim. Ajo mbrëmje vazhdoi normalisht; nuk munguan bisedat, pijet, kërcimi, të qeshurat dhe dalloja që ai bënte të pamundurën për të folur e për të kërcyer me mua. Nuk ishte e vështirë t’ia lexoje shprehjen e fytyrës teksa bëhej më serioz kur më binte rasti të kërceja me ndonjë djalë tjetër në tavolinë dhe sikur i bëhej qejfi kur unë i hidhja ndonjë fjalë tek-tuk. Dukej si ata fëmijët çapkënë dhe të llastuar që, kur u merr ëmbëlsirën apo lodrën e preferuar, mërziten. Të ishte xhelozi? Veprimeve të tij nuk arrija t’u jepja një shpjegim të saktë. Ndoshta ishte një flirt i momentit apo ndoshta kështu sillej me të gjitha? Por, ato pyetjet e momentit i ndërpreu pikërisht ai. “J, dëshiron ta kërcesh me mua këtë këngë?”. “Po, patjetër”, i thashë. Ai filloi me pyetjet e tij, pa u menduar dy herë. “Kështu je gjithmonë? Kaq e urtë dhe e turpshme?”. U skuqa për një çast, por pastaj ia ktheva: “Në përgjithësi, po, më pëlqen më shumë të dëgjoj sesa të flas. Më duket se paskemi mospërputhje karakteresh”, vazhdova duke u munduar të zbuloja ndonjë gjë nga ai. “Jo përkundrazi, më tha duke buzëqeshur. Ky lloj karakteri ma shton kureshtjen më shumë seç duhet”.
Ai dialog i shkurtër na përhumbi të dyve, pa e kuptuar se festës po i vinte fundi. Nuk dija si të ndihesha; e mërzitur sepse aty mund të mbaronte gjithçka apo e lumtur sepse pata fatin të isha me të, edhe pse për pak? Ishte fillim tetori, përgjigjet e shkollës së lartë kishin dalë. Kisha fituar në degën e Drejtësisë. Ishte një lajm shumë i bukur sepse gjithmonë e kam dashur drejtësinë dhe mendoja të bëhesha avokate. Po filloja të ambientohesha me universitetin, shoqërinë, ditët filluan të ngarkoheshin gjithmonë e më shumë, shoqëria që kisha krijuar tani ishte ndryshe; njerëz me nivel dhe shumë të përgatitur. Këtu bënin pjesë dhe dy shoqet me të cilat po filloja të shoqërohesha. Ishin të mira, mësonin shumë dhe, për çdo gjë, ndihmonim njëra-tjetrën. Çdo gjë shkonte normalisht. Ndërkohë, nga ana tjetër, edhe pse nuk e kisha takuar më Ergin, duhet ta pranoja që e mendoja në ato pak orë pushimi që i falja vetes për t’u qetësuar. Ishin pushimet e sezonit, kisha mësuar shumë për provimet e radhës dhe kjo më kishte bërë të harroja pjesën tjetër të shoqërisë. Atë natë po flisja me miken time që ishte larguar në Itali.
Në bisedë e sipër, ajo më përmendi Ergin, më pyeti nëse kisha folur apo e kisha takuar. “Jo”, i thashë dhe bëra sikur nuk më interesonte. “Nuk kam patur kohë të merrem me gjëra të tjera përveç librave”. Ajo filloi të më fliste për të, që ai kishte marrë informacion për mua dhe donte të më takonte, kishte dëshirë të më njihte akoma më shumë dhe të dilnim më shpesh. Një ndjenjë gëzimi më përshkoi! Ai ishte interesuar për mua?! Domethënë, unë i interesoja, jo më kot kishte pyetur! Me dëshirën e madhe për të dalë nga rutina e përditshme, pranova të dilja me të. Ishte takimi i parë, vetëm, pa njerëz të tjerë, pa zhurmë. E lamë të takoheshim në një lokal të qetë, pa shumë njerëz. Emocionet dhe stresi më shoqëruan gjatë gjithë mbrëmjes. E kisha të vështirë ta pranoja që dalëngadalë pëlqimi që kisha për të po kthehej në një ndjenjë më të madhe dhe të fortë. Po dashurohesha pas tij! E shikoja dhe dukej si një njeri jo real, dukej si ata engjëjt që nuk lodhesh duke i parë dhe nuk mërzitesh duke i dëgjuar. Kishte një pamje perfekte, e harmonizuar me botën e tij shpirtërore. I adhuroja të tillë njerëz e ndoshta fati po ma plotësonte këtë dëshirë, për të patur në krah një njeri të tillë. Bisedat me të ishin interesante, ai fliste për librat e dashurinë. Ishte romantik dhe ky ishte një detaj që nuk e kisha zbuluar deri ditën që më propozoi. Kishte menduar çdo detaj të asaj nate, ndërkohë që mua më kishte lënë të kuptoja që do të ishte një takim si gjithë të tjerët. Në bisedë e sipër, m’u afrua dhe më shtrëngoi dorën duke më shikuar me ata sytë e tij jeshilë. Tha një fjali që nuk e kuptova mirë, ose më saktë… bëra sikur nuk e kuptova. Kjo na bëri të dyve të skuqeshim dhe filluam të qeshnim si dy adoleshentë. Kjo e bëri atë ta përsëriste sërish të njëjtën fjali, por këtë herë të dy u bëmë seriozë. “A dëshiron të lidhesh me mua dhe bashkë të krijojmë një lidhje si ato të përrallave?”. Në sfond na shoqëronte një muzikë e qetë. Tani po që s’kisha nga të shkoja, nuk flisja dot, nuk qeshja. Nuk munda të bëja asnjë gjest tjetër, thjesht ngriva dhe nxora një gjysëm “po”, si përgjigje. Kjo, jo sepse nuk doja, por sepse çdo gjë ndodhi shumë shpejt, isha e hutuar dhe prania e tij përballë meje me çorientonte. Aty ndodhi ajo që prej kohësh e prisnim të dy, puthja jonë e parë. Nuk di të them nëse zgjati aq shumë apo koha në atë moemnt ndaloi… Që nga ai moment, çdo gjë ndryshoi në jetën time, kisha gjallëri në shpirt, m’i bënte ditët më të bukura, gjithnjë më surprizonte me ndonjë lule apo libër i ri. Ai e dinte që ato ishin të preferuarat e mia. Si në çdo lidhje, kishim edhe ne zënkat tona të cilat bëheshin të parëndësishme në momentet që ishim bashkë. Muajt vazhdonin normalisht dhe viti i parë i univeristetit doli shumë më mirë nga sa e kisha menduar. Kisha dy gjëra të rëndësishme për t’u kushtuar vëmendje; njeriut që më ndryshoi rrjedhën e jetës dhe dalja me sukses në provime. Këto pushime ishin ndryshe sepse këtë vit ai mbushte ditët e mia dhe nëse nuk dilja apo të kënaqesha në një party me shoqërinë, mjaftonte të flisja me atë dhe çdo gjë ishte perfekte. Orët e vona të natës na gjenin gjithmonë duke biseduar me njëri-tjetrin. Çdo muaj festonim ditën kur u njohëm; ishte një ditë e shënuar për të dy. Ai falënderonte Zotin për mua, unë falënderoja rastësinë që e solli në rrugën time. Kështu, kur unë isha në vitin e dytë, ai kishte mbaruar vitin e fundit master për Psikologji. Po afrohej një vjetori i lidhjes sonë. Kisha muaj që e prisja këtë moment dhe më dukej sikur koha nuk kishte kaluar fare. Po filloja të mendoja për detajet e asaj dite. Kisha edhe mbështetjen e shoqeve të mia që më ndihmonin që çdo gjë të dilte perfekte, por te njëra nga shoqet dallova disa ndryshime në sjellje. Shmangte bisedat me mua dhe gënjeshtrat shtoheshin çdo ditë. Dukej sikur donte të më tregonte diçka, por stepej sepse dukej sikur nga ajo që do të më tregonte do ndryshonte çdo gjë dhe e gjithë ajo lumturi do shembej para meje. Por, i hoqa këto mendime nga koka sepse nuk ishte momenti të mendoja për këto gjëra tani. Kisha diçka më të rëndësishme dhe nuk doja që asgjë dhe askush ta prishte atë moment. Ishte një ditë e gjatë, e mbushur me surpriza. Ai më surprizonte gjithmonë me idetë e tij, mundohej të bënte gjithçka që të isha e lumtur. Bëmë bashkë një vit dhe unë nuk e besoja dot se kisha në krah një mashkull që çdokush do ta kishte zili. Ishte një mashkull i kompletuar me një punë dhe profesion, por thellë brenda tij kishte një pjesë ndryshe, të cilën e përdorte gjithmonë kur rrinim bashkë. Me të mund të thurje ëndrra, mund të shkoje në fund të botës, thjesht, duke mbyllur sytë. Ai më shtrëngonte fort dhe më bënte të futesha në botën e tij fëminore. Ëndrra kishim të dy, por ai gjithmonë më thoshte: “Dua të jesh ti nëna e fëmijëve të mi dhe gruaja që do ta dua gjithë jetën”. Eh, ato dreq ëndrrash më bënë të mos qëndroja më me këmbë në tokë! Kishte ardhur momenti që të njihesha edhe me pjesëtarët e tjerë të familjes së tij. Doja t’i njihja të gjithë, por kjo dëshirë e imja filloi të kthehej në zënkë sa herë e përmendja. “Nuk kam një jetë familjare të lumtur, më thoshte gjithmonë. Nuk dua të të mërzis edhe ty me problemet e mia, prandaj ky nuk është momenti i duhur për t’u takuar me ata.” Duke besuar te fjalët dhe sinqëriteti i tij, nuk doja ta mërzisja më tepër pasi mendoja se do të ishte vërtet e trishtë të mos kishe harmoni në familje. Nëse ai mërzitej, unë mërzitesha dyfish. Ishim mjaft mirë dhe nuk doja të prishja gjithçka, kështu që këtë takim ia lashë kohës, por ndonjëherë fati tregohet i pamëshirshëm me dashuritë e mëdha, me dashuritë si kjo e jona. E jona? Nuk e di nëse ishte vetëm e imja apo e jona. Mërzitjet e tij ishin të rralla dhe ato pak herë që ndodhte të ishte, fajin ia vinte punës së tepërt, orareve të vona dhe gjërave të tilla. Nuk kisha rrugë tjetër përveçse t’i besoja çdo fjale që fliste, por kjo situatë nisi të bëhej shumë e shpeshtë. Ndonjëherë kishte ditë që s’më takonte, telefonatat bëheshin më të rralla, ndjeja se diçka nuk po shkonte mirë. Nuk doja që gjendja e tij familjare të ndikonte në lidhjen tonë. Unë isha gjithmonë aty për të, doja ta ndihmoja dhe çdo gjë ta kalonim bashkë, por as kjo nuk e bëri të ndryshonte mendim. Kjo gjendje po rëndohej akoma më shumë. Frika dhe dyshhimet po bëheshin mbytëse. Nuk më ngelej gjë tjetër veçse që për këtë shqetësim timin, t’u hapesha shoqeve të mia. Kisha nevojë për këshilla, për njerëz që të më kuptonin, që të më hapnin sytë sepse isha e verbuar nga dashuria dhe këtë ia pranoja shpesh vetes. Një “budallaqe e dashuruar”. Një natë më ra celulari dhe, nga gëzimi se mos dëgjoja zërin e tij thashë: “Alo zemër”, por nga ana tjetër si përgjigje mora vetëm heshtje. Sa bëra ta pyesja se kush ishte, telefonata u ndërpre. M’u duk situatë e çuditshme, por nuk u mendova dy herë se të nesërmen kisha një provim me rëndësi, kështu që fjeta herët, por me atë në mendje. Pasi dola nga provimi, shoqja ime, Sara, po më priste te hyrja e shkollës. “Sa mirë që erdhe”, i thashë dhe morëm rrugën për te lokali përballë universitetit. Në bisedë e sipër, ajo po më dukej shumë e shqetësuar. E pyeta nëse kishte ndodhur diçka, por s’po dinte nga t’ia fillonte. “Kam shumë kohë që dua të flas me ty…”, më tha. Nuk e kuptoja se ku donte të dilte me këto fjalë dhe sapo nisa të flas, më ndërpreu. “Ai është i martuar. Nuk ia vlen të vazhdosh më me të.” Nuk po u besoja veshëve, më ngriu i gjithë trupi dhe lotët po më rridhnin pa pushim. Nuk dija si të reagoja. “Ti nuk je mirë. Si mund të më thuash gjëra të tilla? Ne kemi një vit bashkë dhe ai s’do të ma bënte kurrë këtë.” “Të lutem, më beso, ai është kushëriri im i largët. Unë kam qenë e ftuar në dasmën e tij. Ka dy vjet që është martuar, por kohët e fundit kjo martesë po shkatërrohet, po shkon drejt divorcit. Kuptoje këtë!”.
Nuk fola më asnjë fjalë, u ngrita furishëm nga tavolina, mora gjërat e mia dhe me lot në sy përplasa derën me sa fuqi kisha. Nuk dija ku të shkoja, doja të qaja pa fund, por lotët po më mbaronin. Inati dhe tërbimi i atij momenti më erdhi me doza të forta. Gjithçka përreth m’u errësua. I telefonova dhe e lashë të takoheshim. Më tha se kishte punë dhe nuk mundej, por këtë herë shkova dhe e prita te vendi ku takoheshim gjithmonë. Po prisja me padurim një shpjegim nga ai. Sa më pa në atë gjendje, ai po mundohej të dilte nga situata, siç bënte gjithmonë me ato justifikimet e tij idiote. Nuk doja ta shikoja më, ia bëra të qartë se çdo gjë që kishte ndodhur deri tani mes nesh, kishte qenë një gënjeshtër e madhe. Më kishte kthyer në një përbindësh që vetëm kthetrat i kishin ngelur pa nxjerrrë për t’ia çjerrë maskën e tij të “panjohur” që gjendej përballë meje. Për herë të parë, kuptova se kisha patur lidhje me burrë të martuar, por kjo ndarje dhembte deri në qelizë. “Si munde kur t’u dhurua një dashuri pa kushte, e pafajshme, e sinqertë? Si munde të ma bëjë këtë?”, i thashë dhe, pas kësaj fjalie, u zhduka. Doja të zhdukesha nga të gjitha përpjekjet e tij për t’u kthyer me mua. E lashë të kuptonte që më kishte humbur përgjithmonë. Nuk duhej të kisha ndjerë kurrë për të… e grisa foton tonë që e mbaja të ruajtur me fanatizëm.
Tashmë, ai është një kapitull i mbyllur dhe në këtë moment jam më e fortë se kurrë. Me kohën u shërova nga ai dhe tani kam realizuar ëndrrën time: Mbarova universitetin dhe kam hapur zyrën time të avokatisë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *