– Së pari, ju përshëndes! Së dyti, kam një pyetje për okulisten tuaj. Motra ime është 16 vjeçe dhe i ka thënë doktori të mbajë syze, sepse nuk shikonte mirë. Sidomos kur lexonte libra, i duhej lupë të zmadhonte shkronjat, e afronte librin shumë përpara. Ajo ka filluar të ankohet se vazhdimisht ka dhimbje koke nga syzet dhe nuk i mban. Si e shpjegoni ju këtë gjë? Po më shqetëson shumë… Ndoshta nuk po përshtatet dot me syzet dhe e ka psikologjike. Nuk di si të veproj me të. Mos vallë i kanë dhënë syzet e gabuara? Kam filluar dhe të dyshoj se ajo thjesht nuk i do syzet, se herë pas here më thotë: “Më shëmtojnë fare këto syzet…”…
Dr. Rezarta Shkurti, okuliste: – Ju e shpjeguat shumë mirë në letrën tuaj fenomenin dhe sipas të dhënave tuaja, mendoj se motra juaj vuan nga Hypemetropia (nevojë për syze për afër). Numri plus që ka motra juaj në të dy sytë, e detyron atë të afrojë shumë objektin që ka afër (librin) për të parë më mirë. Duke mos i mbajtur syzet, ajo ka dhimbje koke e cila do të vijë vetëm duke u zhvilluar dhe duke marrë më pas trajtën e një migrene të mirëfilltë. Ajo nuk i mban syzet, prandaj edhe nuk është mësuar me to. Në qoftë se syzet mbahen rregullisht që ditët e para, syri akomodohet me to dhe ato bëhen pjesë e jetës së përditshme të njeriut.
– Ndërsa, në qoftë se nuk i mban që në fillim dhe herë pas here i ve e i heq, truri i njeriut nuk e pranon si të vetin këtë informacion dhe personi nuk arrin të mësohet me këtë shikim. Përsa i përket faktit që ndoshta mund të ketë ndryshuar numri i syzeve, edhe kjo nuk përjashtohet, sepse në vetë moshën e saj (16 vjeçe) numri ndryshon dhe kur bëhet fjalë për numrin plus, ai ulet me rritjen e moshës. Mendoj se ajo nuk ka dëshirë t’i mbajë syzet dhe e nxjerr si pretekst faktin që nuk sheh mirë e fjalë të tjera si këto. Ajo thjesht i ka fobi, nuk do t’i mbajë, e ka psikologjike, i duket sikur e shëmtojnë! Më duhet t’i bëj një vizitë, kryesisht, për ta sqaruar dhe për ta bindur për efektet qetësuese të syzeve edhe në dhimbjen e kokës. Sot moshatarët e saj po mbajnë syze pa numër (me numër zero, qetësuese), thjesht për mbrojtje ndaj rrezeve të ekranit të televizorit, celularit, kompjuterit etj., ndërsa motra juaj që i ka edhe me numër dhe i ka kaq shumë të nevojshme për të lehtësuar shikimin nga afër, nuk i mban. Duhet pa diskutim ta bindim motrën tuaj dhe ta ndihmojnë duke mbajtur syzet, ndoshta edhe duke i bërë një palë syze të reja, sepse mbase ato që ka, i ka të vogla, model i vjetër dhe nuk i pëlqejnë. E mirëpres tek Optika Union, në fund të Rrugës së Kavajës, para kryqëzimit të 21 dhjetorit, për ta pajisur me një palë syze të reja.
Advertisement