Të prita gjatë

 

Të prita gjatë, shumë gjatë

Derisa dielli perëndoi

Sa hëna mbi dhè mbolli natën

Dhe ylli i fundit natën harroi

 

Ti askund nuk dukesh

Më djeg ky mall i thërrmuar

Tani s’kam asnjë shpresë

Dhe vuajtjet e shpirtit mbaj në duar. Thodhori Cerro

 

Nuk Je

 

Ti do që të ikësh larg siç bën një shpend,

nuk është e lehtë që t’ia dalësh vetë,

edhe pa fjalë e di çfarë ndjen dhe si duron,

nuk je fëmijë, por për fëmijën tënd mendon.

Një jetë të është falur dhe ke falur,

s’ke ardhur e nuk do të jesh kurrë vetëm,

asgjë s’mund të ndalojë e harrojë,

dashurinë që nuk mund të mbarojë.

Dhimbja që kalon të bën më të fortë,

mos u ndal, jetën e jetës që dhe jeto,

në krahët e tu përsëri do të jetë,

përqafimi që hesht dhe të flet. Isidor Koti

 

Një shok të keq…

 

Një shok të keq zura kohë më parë,

ish tinëzar, katran dhe i lig,

më hiqej si mik i ngushtë, i paparë,

nga pas më gërryente dhe më ngulte thikë…

Keqas u mësova dhe ai s’më ndahej,

më thoshte: “Më thith, ngopi mushkëritë,

se edhe lodhjen ta heq krejt, krejt,

jam çudibërës, me mua del në dritë…

Mirëpo ligësinë shpejt ia kuptova,

s’kisha kujt t’i qahesha, e kisha zgjedhur vetë,

e shpalla armik, keqas e luftova,

e zhduka nga unë, shpëtova për jetë…

Ky shok ish duhani, sot e kam armik,

s’dua t’ia shoh bojën, fara mos i mbiftë,

dhe në më dëgjoni luftojeni edhe ju,

prej tij, krejt njerëzia mundësisht me shpëtu… Jahe Fida

 

Me një tufë trëndafila, më trokite në derë

 

Nuk di ç’të shkruaj për ty më parë,

Se ti tek unë le gjurmë në përjetësi,

Prandaj shkruaj e të kërkoj si e marrë,

Dhe derisa të vij pranë teje, s’gjej qetësi…

Nuk do të kisha shkruar kurrë për ty,

Por ti tek unë ke lënë shumë gjurmë,

Mundohem të largohem, të tretesh në vetmi

Por ty vitet të afrojnë tek unë më shumë…

Edhe këtë Vit të Ri, unë ika, u largova,

Që ty mos të të kisha pranë, asnjë hap,

Por dhe kësaj here më kote u mundova

Se edhe atje ku shkova, ti më erdhe prapë…

Mundohem të jetoj me cicërimat e zogjve,

Që çerdhen tonë tani e kanë gjallëruar.

Megjithatë, ndihet më shumë mungesa jote,

Se ty në gëzime askush s’të ka zëvendësuar…

Edhe këtë fundviti, më trokite në derë,

Me një tufë trëndafila përpara më dole,

M’u afrove e më puthe në gushë, si përherë

Dhe të përhumbur në krahët e tu më hodhe… Luljeta Gj. Pashollari

 

Rri me mua

 

Atëherë kur jeta dukej mërzi

Ku s’dija ç’ish’ mëngjes a mbrëmje.

U gjende ti si një hyjni

Si oksigjen, si dritë u gjende

 

Kur shihja shpresën se si venitej

Ku s’kisha sy, as shpirt, as mendje

Dhe zemrën plagë që përpëlitej

U gjende ti…, ah, ti u gjende!

 

I besoj zjarrit të dashurisë

Që ndeze ti, me flak’t e tua

Perëndi e mirësisë

Tani u gjende! Rri me mua! Bledi Ylli

 

Sa herë, sa!

 

Kujtoj po, momente të bukura

Por janë pak ta hajë e mira, fare pak

Diku në thellësi shpirti të strukura

Si prushi i harruar në të fundit flakë.

 

Kujtoj po, momente të dhimbshme

Eh, sa shumë ta hajë e mira, sa shumë

Nga poret e lëkurës si ëndërr e frikshme

Vërshojnë e shkelin të dhimbjes gjurmë.

 

E sa herë kemi thënë: “kjo është jeta”

Ngushëllojmë veten, shpirtin e të tjerë

Megjithatë, një mbetet e vërteta

Të gjithë e duan jetën, të lumtur e të mjerë

 

Thonë, është dhuratë jeta

Ndaj mos pyet për të sajën vlerë! Bledi Ylli

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *