– Valbona, sapo ke hedhur në treg klipin tënd më të fundit, “Gusha me aromë”. Si arriti ky klip te publiku?
– Unë nuk isha e kënaqur nga kënga paraardhëse “1000 jetë”, nuk më pëlqente. Për të hequr këtë shije të keqe, mora vendimin të bëj një këngë të bukur, që të më përfaqësonte denjësisht. Vendosa të shkoj te një prej kompozitorëve më të mirë të momentit, Alfred Sula. Këngët e tij, tani për tani, janë shumë të suksesshme. Në kohën që shkova unë, ishte shumë i ngarkuar, por gjithsesi, pranoi të punonte me mua. I kërkova kompozimin e një kënge të bukur, ritmike. Ideja ishte që kënga të ishte gati deri nga mesi i korrikut, por unë kisha angazhime të tjera pune në dasma, kështu që tani e hodha në treg klipin.
– Kënga vjen në bashkëpunim, apo jo?
– Po. Është një bashkëpunim me Klodi Korrën (Klodi i Laprakës), i cili ka një zë të mrekullueshëm. Kënga më ngjiti direkt sa e dëgjova, edhe teksti është shumë i bukur, i shkruar nga Saja. Është një këngë ritmike dhe ka ngjyra orientale. Realizimi i klipit është bërë nga Max Production. Fabula e këngës ka në bazë tradhtinë.
– Cila është aroma e preferuar që doje të nuhasje te një gushë?
– Parfumin mund ta vërë çdokush, madje edhe në një trup të palarë, por për mua, pastërtia ka më shumë rëndësi. Aroma e trupit është më e mira… (Qesh)
– Po tradhtia çfarë arome ka?
– Të keqe e ka! Ka shijen e një molle të kalbur. Dhe, te dashuritë e vërteta, tradhtia është vrastare.
– E ke provuar ti ?
– Jo, me thënë të drejtën, nuk e kam provuar.
– Cilat janë disa nga punët e tjera të tuat?
– Kënga e parë që kam hedhur në treg dhe ka pasur vërtet shumë sukses “Me fat është dashuria”. Më pas kam realizuar një këngë tjetër, “1000 jetë”, te një kompoziotor që ma sugjeruan, por nuk kam qenë fare e kënaqur me atë këngë. Nuk doli ajo që prisja; kur mbaroi kënga, nuk më pëlqeu aspak rezultati, mirëpo u kryen të gjitha proceset dhe u bënë shpenzimet. Nuk kisha ç`bëja, u bë dhe klipi dhe e hodha në treg ashtu. Po në të njëjtin moment, kisha një këngë tjetër që po punohej po te ky kompozitori, por kjo ishte shume e bukur. “Kam mall”… Kjo nuk ka pasur një klip të vetin, por meqenëse më pëlqeu shumë si këngë, vendosa ta nxjerr me foto.
– Sa kohë ka që je bërë pjesë e tregut muzikor shqiptar?
– Kam kënduar që në moshë të vogël. Konkretisht, ka rreth 10 vjet që merrem me muzikë, por hedhja e klipeve në tregun muzikor shqiptar ka nisur rreth 3-4 vjet më parë.
– Duhen para për të bërë klipe, apo jo? Ku i gjete ti?
– Uaaaaaaaaa, pa fund duhen! Në klipe, sa më shumë luks të kërkosh, aq më shumë shpenzime ka. Gjithsesi, unë kam pasur fat, pasi kam vëllain tim, i cili më ndihmon shumë me klipet. Është krahu im i djathtë. Sigurisht që punoj edhe vetë, nëpër dasma. Siç e thashë edhe me lart, kam punuar edhe në Zvicër dhe, për fatin tim të mirë, edhe familja ime është në gjendje të mirë ekonomike.
– Kush është Valbona Xeka, për të gjithë ata që nuk e njohin?
– Unë jam nga Fushë-Kruja, kam mbaruar shkollën e mesme mjekësore në Vlorë dhe kam punuar si inferimiere tek urgjenca në Fushë-Krujë disa vite pas mbarimit të shkollës. Më pas, vendosa të hapja një biznes në Tiranë, një butik me veshje, gjithnjë me ndihmën e vëllait. Më vonë e mbylla fare biznesin dhe iu përkushtova muzikës. Për një periudhe të gjatë kohore kam jetuar dhe punuar në Zvicër, me kolege shumë të mira këngëtare. Kam plane sërish për një biznes, por këtë, më mirë po e mbajmë sekret. (Buzëqesh)
– Si ke gjetur lidhjen mes muzikës dhe mjekësisë?
– Të dyja janë shëruese. (Qesh)
– Më shumë ke pasur pacientë kur ke punuar si infermiere apo fansa si këngëtare?
– Mund të them se korridori te spitali ishte plot me meshkuj në radhë për të bërë gjilpëra, edhe pse ishin shëndoshë si korra e mollës. (Qesh)
– Mbetetesh te muzika popullore. Po në shijet e tua ç`lloj zhanri preferon?
– Po, karriera ime është bazuar te muzika popullore, kurse sa u përket shijeve të mia, më pëlqejnë më shumë këngët e huaja. Xhenifer Lopez, Bijonse dhe Pit Bull më pëlqejnë shumë.
– Bjonde me flokë të gjatë dhe me veshjet mjaft tunduese. Ç`bën për t`i mbajtur meshkujt larg?
– Unë i respektoj shumë adhuruesit e mi. Kam shumë fansa në Facebook që më ndjekin hap pas hapi me komentet e tyre dhe me pëlqimet për fotot dhe më pëlqejnë shumë komplimentet që më bëjnë. Nuk reagoj keq ndaj komplimenteve të njerëzve, por u jap një falënderim në shenjë mirësjelljeje…
– Kush e ka meritën e zbukurimit tënd në klipe?
– Këtë meritë e ka Aleksi Sallon. Me këtë klipin e fundit, gjatë gjithë kohës e kam pasur Aleksin me vete; grimi, veshja, vendet e zgjedhura për xhirimet e klipit… Të gjitha kanë qenë, le të themi, idetë e Aleksit dhe e falënderoj shumë mikun tim.
– Kujdesja për pamjen konsiston vetëm në klipe apo edhe në jetën e përditshme?
– Apapapapa, në jetën e përditshme shumë, madje, por gjatë ditës, dua të jem shumë thjeshtë dhe bukur, me një tualet të lehtë në fytyrë. Mbi të gjitha, më pëlqen pastërtia. Rrobat e pastra më bëjnë të ndihem mirë.
– Meshkujt thonë: “Kot kujdesesh për fytyrën se kur të dalësh, të gjithë nga pas do të të shohin”…
– E di shumë mirë që sytë e tyre shkojnë te parakolpi dhe mbrapakolpi… (qesh), por edhe fytyra e femrës tregon shumë për një mashkull. Sidomos, sytë.
– Në një nga këngët e tua, këndon “sa e bukur është kjo jetë/kur gjen dashurinë e vërtetë”… E ke gjetur ti?
– Loading… (Qesh)
– Tashmë, është rritur shumë mosha e martesës… Ç’qëndrim mban ti për këtë trend?
– Mua më leverdis kështu, pasi edhe unë i kam kaluar të 30-at dhe nuk jam martuar. (Buzëqesh) Në moshë të vogël nuk mund të vendosësh mirë për zgjedhjet e tua, ndërsa në moshë më të pjekur, nuk bën gabime.
– Protestat nudo, sidomos jashtë, janë shumë të përhapura. Do të dilje ti në një protestë të tillë, për të mbrojtur të drejtat e grave në Shqipëri, për shembull?
– Deri në rroba banjoje mund të zhvishem; më shumë, absolutisht jo!
– Frojdi ka thënë se dy kënaqësitë më të mëdha në jetën e njeriut janë seksi dhe ushqimi. Si do t`i rendisje ti kënaqësitë e jetës tënde?
– Të dyja janë shumë, shumë të mira dhe janë të lidhura me njëra-tjetrën.