Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Jam krenare që nuk veprova si nëna ime!

Përshëndetje, miq të gazetës “Intervista”! Unë që po ju shkruaj jam Denisa. E mora edhe unë guximin të shkruaj dhe të tregoj historinë e jetës sime. Jeta ime ka qenë mjaft e vështirë. U braktisa disa orë pas lindjes. Nëna ime mendoj se më konsideronte një pengesë në atë kohë, por di vetëm që arsyeja pse jam gjallë sot është gjyshja ime. Kështu, u braktisa 28 vite më parë, në një fshat të vogël. Historia ime filloi me braktisja nga personi që duhej të më donte më shumë në këtë botë. Në fillim, as gjyshja ime nuk donte të më mbante sepse doktori i kishte thënë që “vajza nuk do ta ketë të gjatë”. Ajo më mbajti disa ditë me mendimin se do të kisha vdekur, por unë e mora veten dhe ajo ndryshoi mendim. “Të pashë, ishe kaq e bukur sa mendova “nuk dua të lë””, më thoshte ajo…

Babanë tim e kam parë vetëm disa herë, kur isha 5 vjeçe, pasi ai vdiq në një aksident. Më kujtohen vetëm pak çaste me të, pasi kam qenë shumë e vogel dhe nuk kuptoja shumë. Fëmijëria ime ishte shumë e vështirë sepse më paragjykonin shumë. Epitete nga më të ndryshmet kam dëgjuar për veten time. Gjyshja ka qenë mbështetja ime më e madhe. Më ka falur dashuri pafund, ashtu siç bëjnë të gjitha gjyshet dhe më rriti me sakrifica. Nënën time e takova kur isha 14 vjeçe. Ajo ishte në burg, për diçka që nuk dua ta përmend pasi më vjen shumë zor se si ka mundur ta bëjë diçka të tillë (ende sot, ajo është duke vuajtur dënimin për atë veprim). Unë mezi e prisja atë takim me të, ndërsa ajo, sapo më pa, tha:
– Ku është vajza ime? Atë tjetrën doja të takoja…
Priste motrën time dhe unë as nuk i interesoja fare. Nuk jam e nevrikosur me të, por doja të merrja një shpjegim. Pse sillej kështu me mua? Edhe unë isha vajza e saj, pavarësisht rrethanave apo ngjarjeve që kishin ndodhur në jetën e saj. Duhet të flisnim bashkë, gjë që nuk ndodhi kurrë, t’i jepnim njëra-tjetrës një mundësi, për të shkuar të paktën mirë. Vetëm ata që e kanë provuar e dinë se ç’do të thotë të rritesh dhe të mos e kesh nënën pranë, dashurinë e vetme që ekziston pa kushte në këtë jetë. Të tjerët nuk i kanë fëmijët pranë dhe u dhemb zemra nga mungesa e tyre, ndërsa nëna ime më kishte dhe nuk donte të më shikonte me sy.
Kur isha 18 vjeçe, e lashë fshatin dhe erdha këtu. U nisa me të dashurin tim për të kërkuar një jetë më të mirë. Ishim njohur bashkë në fshat, që fëmijë. E donim njëri-tjetrin dhe nga ajo dashuri, aq të vegjël, vendosëm të jetonim këtu, për një jetë më të mirë bashkë. Të dy kishim kursimet tona dhe diku në periferi të Tiranës morëm një hyrje të vogël me qira. Ne të dyve na mjaftonte ajo hapësirë, pasi nuk kishim të ardhura për të pretenduar më shumë. Ai u sistemua shumë shpejt me punë, ndërsa unë nuk po gjeja akoma dhe vazhdoja të qëndroja në shtëpi. Megjithatë, gjithçka shkonte shumë mirë. Nuk kishim luksin të provonim shumë gjëra që na pëlqenin, por ishim të lumtur me ato çka kishim. Shumë pak kohë më pas, unë mbeta shtatzënë. Ëndërroja akoma një të ardhme më të lumtur në Tiranë, ndërsa ai, sapo e mori vesh se unë prisja një fëmijë, u zhduk. Nuk munda ta besoja! Isha e bindur se më donte dhe se do të kalonim jetën bashkë, por ai iku si një frikacak.
Për njëfarë kohe mendova se ishte thjesht një moment frike. Mendoja se do të kthehej dhe e prita çdo ditë. Mendoja se dera do të hapej dhe ai do të hynte e do të më përqafonte, duke më kërkuar falje për gjithçka, se jeta jonë do të fillonte nga e para, por në fakt kalonin ditët e javët dhe unë u gjenda sërish vetëm, në muajin e gjashtë të shtatzanisë. Një ditë më zuri paniku. Mendoja se ç’do të ndodhte me mua… Ku do të shkoja? Si do t’ia dilja me fëmijën? Këto pyetje më peshonin mbi kokë. Një shoqja ime më këshilloi të lindja dhe ta lija fëmijën për pak kohë në fshatin SOS, sa të sistemohesha me punë. Në fillim mendova se do të ishte gjëja më e mirë, duke menduar se për fëmijën do të kujdesej një tjetër familje, që mund t’i jepte një të ardhme më të mirë. U përgatita për këtë gjë. Shkova në sallën e lindjes, e bindur se do të lindja dhe do të ikja, një sakrificë e madhe për mua, vetëm me qëllimin për t’i dhënë fëmijës tim një jetë pa shumë vuajtje dhe siklete, jo si ajo që e kisha kaluar unë. Thosha se për të duhet të ishte gjithçka e lehtë. Doja ta shihja vetëm një herë që të kisha mundësinë ta imagjinoja kur të rritej, por kur e mora në krahë, diçka brenda meje u zgjua. Ishte fëmija im dhe duhet ta mbaja! Nuk doja ta braktisja, nuk doja që fati dhe historia ime të përsëritej. E dija që ishte e vështirë e nuk e imagjinoja sesa, por duhet ta provoja me gjithë veten time. Mendova: Nëse nuk arrij të jem më e mirë se nëna ime, përse mbijetova atëherë? Dola nga spitali me vogëlushin në krahë, totalisht e papërgatitur psikologjikisht dhe praktikisht, duke qenë se kisha menduar të mos e mbaja, por me shumë dashuri për të e me vendosmërinë për të luftuar.
Kam kaluar momente shumë të vështira, sa tani që po shkruaj dhe i kujtoj, më mbushen sytë me lot, por ia vlente gjithë ajo sakrificë sepse isha me fëmijën tim dhe nuk e kisha braktisur. Unë me fëmijën tim u detyruam të flinim natën në barakë. Isha e dëshpëruar, madje kisha frikë se mos ma rrëmbenin. Pastaj dikush më dha një ndihmë dhe më në fund, fati më buzëqeshi edhe mua. Më shpëtoi një mikja ime, e cila më dha një dhomë në shtëpinë e saj dhe kohë për të gjetur një punë. Mendova se do të ishte një zgjidhje shumë e mirë për mua sikur të merrja edhe gjyshen këtu. E mendova dhe ashtu veprova. E mora gjyshen nga fshati dhe filluam të jetonim këtu të tre. Tani, fëmija im sapo ka mbushur 5 vjeç dhe ne jetojmë bashkë me gjyshen time. Kam një punë dhe një të dashur, një djalë të mirë i cili kujdeset shumë për ne. Ndonjëherë, kur mendoj se çfarë kam kaluar, nuk arrij të besoj që ia dola dhe arrita deri këtu.
Thonë shpesh se jetimi nuk ka fat, por unë vërtet nuk pata fatin dhe mundësinë të jetoja me nënën time, ama fëmijës tim nuk ia mohova këtë të drejtë. Ndihem shumë krenare, që nuk bëra atë që bëri nëna ime me mua…

Blerta

Advertisement

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Si t’i shërojmë problemet me ereksionin?

Next Post

10 arsye për të dashur secilën shenjë horoskopi

Advertisement