Sot, në të gjithë vendin, në kuadër të Javës së Vizitorëve të Policisë, nxënës të shkollave të ndryshme, mësues dhe qytetarë, kanë zhvilluar vizita në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe të Drejtorive të Policive në Qarqe apo Komisariateve të Policisë në rrethe.
Gjatë paradites së sotme, nxënës nga shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet e qytetit të Tiranës, vizituan ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, ku patën mundësi të shohin nga afër ambientet e punës dhe funksionimin e zyrave të ndryshme, si dhe zhvilluan takime me drejtues dhe specialistë të Policisë së Shtetit.
Në kuadër të këtyre vizitave, një grup nxënësish zhvilluan një takim dhe me Zv/Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për krimin e organizuar dhe Krimet e Rënda, Z.Haki Çako, ku gjatë bisedës u evidentua rëndësia e bashkëpunimit të policisë me nxënësit e shkollave dhe qytetarët, për krijimin e një mjedisi sa më të sigurtë. Po ashtu, nisur nga interesimi i nxënësve, u prezantuan dhe disa prej iniciativave të ndërmarra nga Policia e Shtetit për të qenë sa më pranë nevojave të qytetarëve, si dhe për krijimin e një imazhi të ri përmes përfshirjes në radhët e policisë të sa më shumë të rinjve të kualifikuar, të cilët do të përbëjnë dhe gjeneratën e re të Policisë së Shtetit. Një vend të veçantë gjatë bisedës zuri dhe prezantimi i disa prej risive në fushën e teknologjisë, që po vihen në zbatim për ti shërbyer në një kohë të shpejtë qytetarit.
Gjatë takimeve me drejtuesit dhe specialistët e Policisë Rrugore, Policisë së Rendit, të Sallës së Komandimit, si dhe të strukturave të Burimeve Njerëzore, nxënësit patën mundësi të njihen me punën e këtyre strukturave. Njëherazi gjatë bashkëbisedimit nxënësit u njohën me kujdesin që duhet treguar dhe rëndësinë e zbatimit të rregullave të qarkullimit rrugor, rëndësinë e bashkëpunimit me policinë dhe numrin pa pagesë në shërbim të qytetarëve 129, si dhe me procedurat që ndiqen për tu bërë pjesë e Policisë së Shtetit.
Java e vizitorëve të policisë zhvillohet, çdo vit në javën e fundit të Tetorit, me qëllim krijimin e një klime sa më të ngushtë bashkëpunimi ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Komunitetit, në kontekstin ku policia e sheh komunitetin si partnerin e saj në rritjen e nivelit të sigurisë.
Edhe në ditët në vijim të kësaj jave, e cila do të përmbyllet më 31 Tetor, ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe të Policive në Qarqe, do të mund të vizitohen nga publiku.