Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Si ta luftojmë agresivitetin te fëmijët?

Në rast se fëmija juaj, papritur e papandehur, shfaq shenja agresiviteti, ngacmon shokët apo i fyen për hiçmosgjë, mos u shpejtoni të nxirrni përfundimin se ai e ka mbushur kupën dhe meriton të dënohet. Përpiquni në fillim ta “studioni” mirë fëmijën tuaj, ta kuptoni nga i vjen ky lloj agresiviteti, pra, të gjeni shkakun e këtyre prapësive sepse, pas veprimeve të fëmijës, me siguri qëndrojnë disa rrethana të cilat duhen njohur mirë. Por, cilat mund të jenë ato?

Mos u tremb nga agresiviteti i fëmijës
Prindi nuk ka pse të trembet nga shfaqja e këtij agresiviteti fëminor, kur vë re se ky agresivitet vjen si përgjigje e ndonjë ngacmimi të jashtëm. Çdo njeri, edhe një i rritur, mund të shfaqë agresivitet kur kundër tij krijohet një situatë konfliktuale, kur vë re një qëndrim të padrejtë, një rrezik për veten a për të tjerët, kur e ofendojnë, kur ndesh me një qëndrim mosmirëdashës dhe armiqësor. Ndryshimi qëndron në faktin se i rrituri është në gjendje t’i përmbajë emocionet e tij dhe t’i shprehë ato më me qetësi, në mënyrë konstruktive, ndërsa fëmija nuk është në gjendje të akordohet plotësisht me rregullat e normat e shoqërisë dhe i shkel ato, pra, tregohet agresiv. Fëmija i shpreh ndjenjat e tij “flakë për flakë”, pa mbajtur aspak paraysh se si do të gjykohen reagimet e tij nga të rriturit që e rrethojnë. Ai fillon e bërtet, përpjek këmbët… Prindërve u vjen rëndë nga këto veprime të trashëgimtarit të tyre dhe përpiqen ta mbizotërojnë situatën duke e qortuar, duke i bërtitur më fort, madje shpesh edhe duke i tërhequr veshin… Si rezultat i këtyre përpjekjeve të prindërve “për të vënë nderin e tyre në vend”, lind edhe agresiviteti i fëmijëve. Pra, shpesh ky agresivitet është një protestë kundër “pushtetit” të të rriturve. Dhe, pas dënimit të prindit, kuptohet, kjo ndjenjë vetëm rritet e forcohet. Që nga ky çast, fëmija do ta bëjë gjithçka vetëm “për inat”. Kështu ndodh zakonisht deri në moshën 4-5 vjeçare. Pas kësaj moshe, fëmija fillon t’i kontrollojë emocionet e tij, fillon të mësojë normat shoqërore dhe kupton se kur janë të mira apo të këqia sjelljet e tij. Pas kësaj moshe, agresiviteti i fëmijës merr një formë specifike dhe marrëdhëniet e tij me të rriturit, fillojnë të ndryshojnë.

Çfarë e shtyn fëmijën drejt agresivitetit?
1. Përpjekja për të tërhequr vëmendjen e të rriturve
Kur fëmija nuk ndjen afërsinë dhe përkëdhelitë e prindërve, ai përpiqet t’i fitojë ato me çdo kusht. Ai bën çmos, si të thuash, për të qenë në qendër të vëmendjes së tyre. Veç kësaj, me sjelljet e saj agresive, fëmija përpiqet të verifikojë dashurinë e prindit për të. Ai dëshiron që prindërit e tij ta duan ashtu siç është, edhe me të metat që ka, ndërsa prindërit, zakonisht, u japin ndjenjave të dashurisë së tyre një karakter vlerësues: “ Unë të dua kur t’i sillesh mire”. Ose: “Ti sot ishe grindur me shokun e bangës, prandaj unë nuk të dua”…

Advertisement

2. Kur ndihet i ofenduar nga prindërit
Fëmija mund të ndihet i ofenduar nga prindërit e tij për shkaqe të ndryshme, si, bie fjala, kur në familje lind një fëmijë tjetër, kur prindërit grinden me njëri-tjetrin, kur nëna ndahet nga babai dhe fëmija bëhet me njerk ose njerkë, largimi i tij për një kohë të gjatë nga familja, si shtrimi në spital, dënimi i padrejtë, mosplotësimi i premtimeve, etj.

3. Kur i mungon besimi në vetvete…
Fëmija fillon të shfaqë agresivitet edhe në rastet kur i mungon besimi në vetevete, sidomos në rastet kur e ndjen veten si të tepërt në familje. Në këtë rast, agresiviteti fëminor s’është gjë tjetër veçse një reagim mbrojtës.

4. Arsye të tjera që provokojnë agresivitetin fëminor
Dihet se në fëmijërinë e hershme, një nga rrugët kryesore të fëmijës për të njohur botën që e rrethon, është edhe ndjekja e shëmbullit të të rriturve, duke i kopjuar ata. Fëmija përpiqet t’u ngjajë prindërve të tij. Në rast se një prind i bërtet fëmijës së vet, në rast se e godet, ai do të përgjigjet me të njëjtat mënyra jo vetëm nga inati, por edhe sepse kujton se një veprim i tillë është i lejueshëm. Dënimet e rënda e detyrojnë fëmijën të fshehë urrejtjen në prani të prindërve, por ai mund ta shprehë në situata të tjera këtë egërsi që i grumbullohet në vetvete. Për shembull, ai do të tregohet agresiv ndaj shoqeve dhe shokëve të tij.

5. Pavendosmëria dhe lëkundjet në jetë
Prindi duhet të jetë i prerë dhe i vendosur në qëndrimet e tij ndaj të tjerëve dhe ndaj fëmijës së vet; në të kundërtën, fëmija mund të manipulojë me dobësitë e prindit. Kur prindi vendos t’i vërë fëmijës disa kufizime ose t’i ndalojë ndonjë send, duhet ta sqarojë paraprakisht që në moshë shumë të vogël. Për shembull, një prind nuk do që fëmija i vet të luajë me shprepëse dhe pa i thënë asnjë fjalë, vete ia rrëmben shprepësen nga dora dhe me inat, i thotë: “Të jetë hera e fundit që të shikoj me shkrepëse në dorë. Do të na vësh flakën!”. Të gjitha këto, një prind i mirë mund t’i kalonte me një frazë të tillë: “Unë të dua shumë, por ti me atë shkrepëse mund të digjesh; mos e merr më, të lutem, se ajo nuk është lodër!”.

Kështu, pra, sikurse thamë në fillim, prindi duhet ta sqarojë me vëmendje dhe durim se nga i ka ardhur agresiviteti fëmijës së tij. Veç kësaj, duhen mbajtur mirë parasysh edhe disa këshilla të pedagogëve dhe psikologëve për fëmijë, si, bie fjala:

Fëmija duhet pranuar ashtu siç është, me gjithë të metat e tij. Shprehja më e përdorshme në familje për t’iu drejtuar fëmijës, duhet të mbetet: “Unë të dua shumë! Unë të kam xhan!”
Flisni me fëmijën tuaj hapur për emocionet e tij, pa patur frikë se ai nuk do t’ju kuptojë. Thuajini atij se, përgjithësisht, të gjithë njerëzit nxehen dhe zemërohen, por duhet të dish si ta shprehësh zemërimin tënd, pa i shkaktuar tjetrit dhimbje, pa e ofenduar atë.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Kida: Nuk jam kopje e Rita Orës!

Next Post

Deri ku do të shkonit për të qenë e bukur?

Advertisement