Heshtje e etur
Ndjenjë që kurrë nuk shuhet e as mund të presë.
Futet brenda gjakut e shkon në pafund’si
Kurrë nuk rri larg meje e pranë meje vdes…
…dashuri..!
Përcjell mendime deti, në k’të muzgun sonte
Me valët e tij të kaltra dërgon edhe nostalgji
Mua, që hesht vetëm, shpirti më mungonte…
…ish’ nisur për te ti!
Fjalë i hodha heshtjes, asgjë nuk u dëgjua
Gurë i hodha mallit, mos të dukej më
Heshtja s’i do fjalët e malli nuk është p’rrua
Tjetër rrugë gjen malli dhe heshtja tjetër zë!
Në këtë muzg shum’ngjyrësh, erdh’ kujtimi yt.
Ndjeja sikur më puthnin, pareshtur buz’t e tua.
Malli zvarr tërhiqej, arriti gjer te sytë.
Shkriu ashtu në heshtje në lot se u shndërrua! Bledi Ylli
Romantizmi
Romantike për mua nuk është
Një natë seksi e shthurur
As një tavolinë e shtruar
Në mënyrë luksoze
As xhirot uikendeve
Me kabriole e fuoristrada
Nuk janë romantike!
Të vdes në gjoksin tënd
Të mbytem në thjeshtësinë
E ndjenjave të tua
Larg me ty, nga kjo botë të arratisem
Kjo është romantike për mua. Alban Arapi
Virgjëria (fabula)
– Mor dre, –
Zebrushi i thotë –
Gjen zebër të virgjër sot?
– Besoj do jetë e vëshitrë,
Se ç‘gjen ujë në shkretëtirë! Izet S. Culli.
Klonim
E mbarsën lopën pa dem,
U mërzit, u bë verem
Dhe bërtiste nëpër ara:
“O klonim, mos t’u zëntë fara!” Izet S. Culli
Mirë se vjen Papa Françesku!
Toka e Arbënit po e merr freskinë
Nji puthje tjetër po i vjen nga Zoti,
Po të shejtnon Papa Frençesku
Ma i mire me tu ba moti.
Pas Papa Palit, Shejtnisë së Tij,
Që u përkul, puthi Arbninë,
Po na vjen Papa Françesk
Të na shejtnojë për ardhmëninë.
Këtë tokë sublime të lashtë të Zotit
E mbushun plot me histori,
Jetojnë tri fe plot tolerancë
Me dashuni për ardhmëni.
Po vjen Papa në kohë t´vështira
Jo rastësisht zgjodhi Arbninë,
Me nji puthje të kësaj toke
Me na e përkujtue historinë.
Po vjen Papa Shejtnia e Tij,
N´tokë sublime të Skënderbeut,
Qeshni nuse e qeshni vasha,
Rreze dirite po i vijnë atdheut.
T’i dalim para, ta presim bukur,
Si shqiptari që e ka traditë,
Mysliman, ortodoks e katolik,
Mikun e Madh për me e pritë.
Mirë se vjen Papa Françesk
Mirë se vjen o ardhsh i bardhë,
Të dergon Zoti n´toka shqiptare
Me i shejtnue për të mbarë.
Eja ti, na sjell uratën,
Të klementëve varg e vi,
Të Nanë Terezës e Papa Palit,
Me u bashku kjo tokë Arbni.
II
O i dashtun Papa Françesk
Të bi n´gjuj e të lus si Zotin,
Na ndihmo t’i ndrrojmë pushtetet
T´u vjedh atdheun na ndrruen dhe motin.
Jem´ çlirue nga anmiqtë
Që me shekuj na kanë robnue,
N´pushtet tash erdhën karagjozat
Çdo gja t´shqipes t´u e shkatrrue.
Vrajnë e vjedhin, shesin atdheun,
Na e morën bukën buzgoje,
Kësi pisa e kësi tradhtar
Nuk kanë pas kurr këto troje.
Kno uratën o Papë Françesku
Kno uratën për dashuni,
Për tolerancë në mes të popujve
Si në botë, ashtu n´Shqipni.
III
Për Shqipninë vjen ditë e madhe
Vjen e dielja me plot dritë,
Dilni nuse, pleq e plaka
Papë Françeskun me e pritë.
Dilni gra, vasha e burra,
Të tri fetë plot dashuni,
Se Papë Françesku nga Vatikani
I jep uratë nanës Arbni.
Lutja e mbramë i dashur Papë
Ta ban populli e fmija n´djep,
Unë t´përkulem përgjithmonë
Të ma pranoni Kosovën shtet. Agim Gashi
Shpirtin po e lë te ti
Shkuan ditët, muajt e më pas vitet
Malli do tretet bashkë me sytë tanë
Por kujtimet thonë që mbeten
Dhe pse koha pa mëshirë fshin gjithçka
Kur të të marre malli për mua
Në një qoshe të zemrës ndiz një qiri
Ndoshta aty do më gjesh mua
Një jetë duke të të pritur ty
Koha mund të na ketë ndryshuar
Plagët e jetës do kenë lënë gjurmë
Rrudhat do të na jenë shtuar
Por shpirti thonë nuk plaket kurrë
E kur të shkoj e të jem tretur
Shpirtin do ta lë te ti
Kur të takohemi në botën tjetër
Ndoshta dashurohemi përsëri… Aida Previzi
Orë vetmie
Ka rënë mbrëmje rreth e përreth.
Pak trafik ka si përherë.
Bare të qetë, njerëz të qetë.
I parrëmujshëm është ky qytet.
Njerëz të qetë, bare të qetë,
orë vetmie, flasin me retë.
Syri vështrimin tutje e hedh,
nëpër vetmira, bredh edhe bredh… Ollga Selmani (Farmacistja)
Malet kanë besë
Janë bërë malet shkëmbinj graniti
jetojnë me frymë e besë malësorësh,
nën shekujt e pritjes,
të pamposhtur mbajnë fjalën,
dhembjen e ndrydhur e fshehin thellë,
e peshojnë me gurët e ndarjes,
me grithat e vijës së kufirit, që u bënë plagë.
Besojnë se natyra vret trupa kopilash,
me ligjin e kumtimit.
Era këndshëm si puhi forcon shpresën
shpërndan polin Veriu te lulet e Jugut
zemrat e ndara flladiten,
me erë trëndafilash të bardhë,
nga lulishtet e kuqe.
Kjo freski këndell e gjallëron,
burimet rriten në përroska,
përroskat në lumenj!
Qyteti don ujë … Feriz Ukshini