– Jam Jolinda, 35 vjeçe. Sa herë shkoj nëpër plazhe, marr infeksion gjinekologjik. Më thoni ju lutem, si ta parandaloj këtë gjë? Unë përpiqem shumë që të ruhem dhe përsëri sëmurem. Si shpjegohet?
Dr. Mehmet Rrodhe, patolog (Citolog): – E nderuar Jolinda, këto infeksione kanë disa shkaktarë, si: bakteriet, mykun, viruset e protozoaret. Nga infeksionet gjinekologjike preken të gjitha grupmoshat e femrave, duke mos bërë përjashtim moshat e vogla, të rriturat dhe ato që nuk kanë kryer asnjëherë marrëdhënie seksuale. Në periudhën e plazhit, në verë, këto infeksione gjinekologjike janë më të shpeshta, pasi plazhet kanë një popullaritet të shtuar dhe jo çdo person tregon një kujdes të veçantë për higjienën personale dhe atë të ambientit. Kujdes i veçantë duhet treguar me higjienën personale, sidomos në atë intime, duke mundësuar ndërrimin e rrobave dy herë në ditë dhe të mos mbahen në trup gjatë nëse janë të lagura, sepse favorizojnë mykun. Përdorimi i peshqirëve duhet të jetë personal sepse fshirja me peshqirin e tjetrit bëhet shkak për marrjen e viruseve që mund të ndodhen në këta peshqirë. Një rëndësi të veçantë duhet t’i kushtoni edhe shezlongut. Ai duhet të fshihet para se të shtriheni në të dhe mbi të, vendosni një peshqir të pastër. Po kështu, rëndësi duhet t’i kushtoni dhe lagështirës së shezlongut; mos u shtrini mbi të nëse është me lagështirë. Ambienti përreth duhet të jetë i pastër sepse infektohet nga hedhja e mbeturinave e shtrirja në rërë bëhet shkak për marrjen e mikrobeve bakteriale. Futja në ujë deti të papastër ose në pishina të pakontrolluara është përsëri një arsye e infeksioneve të shumta. Të gjitha këto, kur nuk respektohen, bëhen shkak që femrat të marrin një lloj infeksioni gjinekologjik, si ai bakterial, mykotik, viral apo protozoare.
– Shenjat fillestare të një infeksioni gjinekologjik fillojnë me skuqje të organeve gjenitale, kruarje dhe sekrecione me aromë jo të mirë, me ngjyrë gri apo si të verdhë e deri në krijimin e puçrrave me qelb. Ndonjëherë, shenja të para të infeksioneve gjinekologjike janë edhe shqetësimet urinare si: Shpeshtimi i urinimit, djegie gjatë urinimit sepse nga mikrobi nga lloji i infeksionit të marrë varet edhe ecuria e infeksionit. Nëse lihet pa mjekim, infeksioni shtohet e shenjat janë më dominante, si për shembull, dhembje në fund të barkut. Ky infeksion mund të depërtojë deri në mitër, tuba e vezore, ndaj këshilla e parë është higjiena personale te femrat e rritura, kujdes prindëror te vajzat e vogla, higjiena e ambientit, e rrobave, e peshqirëve, shezlongut, kujdesi ndaj ujit të detit të ndotur dhe pishinave të pakontrolluara. Në rastet e shfaqjes së ndonjë shenje të infeksionit gjinekologjik, duhet të drejtoheni menjëherë te mjeku gjinekolog dhe t’i nënshtroheni vizitës gjinekologjike e bakteriologjisë virale, përfshirë dhe Pap-testin. Asnjëherë mos merrni ndonjë medikament pa bërë më parë vizitën mjekësore e sidomos antibiotik, sepse janë shumë të dëmshëm dhe nuk veprojnë në shumë shkaktarë të infeksioneve gjinekologjike. Në rast se jeni çift dhe keni infeksione të tilla, duhet të mjekohet edhe partneri bashkë me ju. Shumë infeksione gjinekologjike janë të kombinuara (bakterial+mykotike, virale+bakteriale, virale+mykotike). Kujdes të madh duhet të kenë gratë shtatzëna sepse kanë imunitet më të ulët dhe për rrjedhojë, infeksioni zhvillohet më lehtë. Në fund, theksoj që duhet të bëni kontroll të rregullt periodik te gjinekologu, të bëni aktivitet fizik dhe të mbani regjim ushqimor të shëndetshëm.