Përshëndetje! Unë që po ju shkruaj jam Eva dhe vendosa që sot ta ndaj me ju historinë time qe me ndodhi kete vere gjate plazhit. E keni dëgjuar atë shprehjen “martesa i ngjan një qypi ku një sipërfaqe fare e vogël është e mbushur me mjaltë dhe pjesa tjetër me m… ”? Ja, pra, tek unë e gjeti vendin kjo shprehje. U martova në moshën 30 vjeçe dhe burrin e mora me dashuri. Ne u njohëm në një panair libri. Të dy ishim të interesuar për të blerë të njëjtin libër. Aty filloi dhe njohja jonë. A. kishte një pronë private që e administronte dhe prej saj nxirrte shumë fitime. Prej takimit të parë, ne filluam të takoheshim më shpesh me njëri-tjetrin. Ai më tregoi për jetën e tij dhe vuajtjet që kishte kaluar në martesën e tij të parë (e kishte ndarë gruan me dy fëmijë mbas 20 vitesh martesë). A. ishte 50 vjeç, por me thënë të drejtën, unë kisha menduar se ishte më i ri sepse nuk e tregonte moshën fare. Gjatë njohjes me të, unë u ndjeva shumë mirë dhe shumë e lumtur. Ai më trajtonte si një princeshë të vërtetë dhe kjo më bënte që as të mos e çoja fare nëpër mendje moshën e tij. Me të ndjehesha e sigurtë nga të gjitha anët. Ajo që më trembte në një lidhje martesore ishte fakti se meshkujt tradhtojnë dhe unë deri në këtë moshë nuk e kisha mbushur mendjen se në jetën time do hynte një njeri që të më donte vetëm mua dhe të mos kish sy për të tjera femra. Me njohjen e A.-së, si të thuash, kisha krijuar një lloj sigurie, sepse ai çmendej mbas meje, kudo që shkonte me merrte me vete dhe, kur nuk kishte mundësi të më merrte, më telefononte gjatë gjithë ditës, për të më treguar se ku ishte dhe çfarë bënte.
Ia kalonim aq mirë bashkë saqë në momentin kur ai më propozoi për martesë, as që e mendova fare dhe pranova menjëherë. Ne u martuam me dokumente të rregullta dhe pikërisht tani, në verë, kishim njëvjetorin e martesës tonë, por për fatin tim të keq, nuk mundëm ta festonim ashtu si duhej. Kishim marrë një shtëpi me qira pranë plazhit të Sarandës, kishim një javë që kishim filluar plazhin dhe unë ndjehesha shumë e lumtur në krahët e bashkëshortit tim. Për të, unë isha gjithçka dhe ai për mua, po ashtu. E doja shumë, sepse nga diferenca e moshës ai më trajtonte si fëmijë, duke m’i plotësuar të gjitha tekat dhe dëshirat, por gjithë kjo lumturi nuk zgjati shumë. Një ditë, teksa ishim duke shijuar detin dhe kohën e bukur të plazhit, aty pranë erdhi edhe një çift, burrë e grua, bashkë me dy fëmijë të vegjël. Gruaja kishte pothuajse të njëjtën moshë me mua, por të them të drejtën, kishte një trup shumë të bukur. Kishte dy fëmijë, por shtatzanitë nuk ia kishin prishur fare trupin; ishte e gjatë dhe shumë elegante. Me thënë të drejtën, edhe mua që isha femër, më mbetën sytë tek ajo, por kulmin e arriti bashkëshorti im, i cili ia nguli sytë dhe nuk dinte t’ia hiqte më. Në fillim unë nuk bëra zhurmë sepse ashtu siç ju thashë edhe më lart, trupi i saj ishte për t’u admiruar, por shikimet e tij drejt saj filluan që të ishin shumë acaruese dhe kjo po më bënte të ndjehesha keq. A. nuk e kuptonte që unë vija re çdo shikim të tijin drejt saj. Ditën e parë e kalova në qetësi, edhe pse vuaja shumë përbrenda. Ditën e dytë, e njëjta gjë. Ata kishin ardhur që në mëngjes në plazh dhe bashkëshorti im zgjodhi një shezlong ku ne të ishim pranë atij çifti. E kuptoja që bukuria e saj e kishin marrosur aq shumë tim shoq, saqë ai nuk po e kuptonte se çfarë ishte duke bërë në sytë e mi. Nuk di t’ju them se si ndodhi dhe pse ndodhi, por në një moment, pashë se edhe ajo filloi ta shikonte tim shoq. Nervat e mia kishin arritur kulmin, por nuk kisha çfarë të bëja. A. nuk e kuptonte që unë shikoja çdo lëvizje të tyre. Ai që më bënte të trishtohesha më shumë ishte fakti si A. ishte shumë i ftohtë me mua. Nuk e kuptoja se ku shkuan gjithë ato përkëdhelje, gjithë ajo dashuri. Nuk doja ta besoja se im shoq ishte si gjithë burrat e tjerë që sapo shikon një femër të bukur, i ikën mendja dhe nuk mendon më për pasojat. E vuaja gjithë këtë gjë brenda vetes. Një nga ato ditë, kur ora shënonte dy e drekës, mua më kishte zënë gjumi dhe të dy këta, kishin përfituar nga kjo gjë dhe shikonin njëri-tjetrin pa frikën e askujt. Do të thoni ju: “Po burri i saj çfarë bënte?”. Asgjë, ai, gjithë ditën, rrinte në det dhe lozte me fëmijët…
Siç ju thashë, unë isha në gjumë dhe në një moment, kur u zgjova, pashë tim shoq, i cili ishte përball saj dhe me duar fërkonte gjithë trupin. Unë kisha syze dhe ata nuk e kuptonin se i kisha hapur sytë e shikoja çdo lëvizje të tyren. A. nuk e kuptonte se unë isha zgjuar, se ai më kishte kthyer kurrizin, por veprimet e tij unë i shikoja që lëvizte duart në të gjithë trupin, ndërsa ajo shikonte dhe qeshte. Kisha gati njëzet minuta që e shikoja atë skenë. Sytë m’u mbushën me lot dhe thashë me veten time se ky ishte fundi i gjithçkaje. “Shkurt, kjo martesë përfundon këtu”, mendova. Nuk doja ta lija tim shoq që të më merrte për debile dhe i thashë: “Çfarë ke që kruhesh aq shumë?”. Ai, si i trembur, u kthye drejt meje dhe më tha: “Zemër, u zgjove? Po fërkoja trupin se vura pak krem”. E kuptova se kjo ishte një gënjeshtër sepse ai nuk e përdorte kurrë kremin e diellit, por në njëfarë mënyre ai e kishte kuptuar që unë po e shikoja dhe në ato momente filloi të bëhej shumë i dashur me mua, filloi të më përkëdhelte si më parë, duke më treguar se unë isha gjithçka për të. Megjithatë, unë prapë nuk e jepja veten, sikur kisha kuptuar ndonjë gjë, por vazhdoja lojën që e kishin ndërtuar ata të dy. Gjithë ajo që po më ndodhte në plazh, bëri që unë të reflektoja për martesën time. Ajo që po ndodhte, po më hante përbrenda dhe doja të gjeja një mënyrë që t’i jepja fund martesës time, duke menduar që isha ende në kohë, për të qenë përsëri e lirë si më parë dhe të mos rrija me një njeri që sytë i kishte te femra e parë që do të shikonte.
Por, për t’u ndarë prej tij, më duheshin prova sepse të gjitha këto që unë kisha parë, ai do të m’i quante llafe të kota, ndaj vendosa t’i ngrija një kurth. I thashë: “Sot nuk do të vij në plazh se më kanë ardhur menstruacionet dhe kam shumë dhimbje”. M’u duk sikur ai fluturoi nga gëzimi. Më tha: “Mirë, kujdesu për veten dhe nëse ke ndonjë problem, më merr në telefon”. Më puthi dhe u largua. Ju nuk e keni idenë se si u ndjeva në ato momente. Fillova të qaja me të madhe derisa u ngopa. E dija se ky ishte fundi i martesës time dhe për mua nuk do kishte një martesë të dytë. I shikoja meshkujt me shumë përçmim. Kur ma punoi edhe A., që linte kokën për mua, imagjino të tjerët. E mblodha veten, vesha një fustan të bardhë lino deri në fund të këmbëve, bleva një kapele të madhe prej kashte, bleva edhe një palë syze të zeza të mëdha, të cilat më mbulonin gati të gjithë fytyrën dhe iu drejtova plazhit, e maskuar shumë mirë. U ula në lokalin që kishte edhe shezlongjet ku ne rrinim. Që aty mund të vëzhgoja të gjitha lëvizjet e atyre të poshtërve. Kisha marrë një gazetë në dorë dhe bëja sikur lexoja, ndërsa gjatë gjithë kohës fshija lotët që më rridhnin si lumë. Shikoja tim shoq që nuk ia ndante sytë asaj dhe atë, që i përkëdhelej duke qeshur. “Eh, burrë ziu, ta dijë se ç’grua ka, nuk do rrinte në det, por do të bënte të njëjtën gjë si po bëj edhe unë”, mendoja me veten time.
Pas disa orësh, vura re se A. ia bëri me shenjë dhe ai shkoi drejt tualetit që kishte lokali. Tualeti ndodhej jashtë lokalit dhe kjo gjë i favorizonte ata të dy. Pashë që mbas disa sekondash, edhe ajo shkoi në të njëjtin drejtim. Nuk dija ç’të bëja! I gjithë trupi filloi të më dridhej, duart po më mpiheshin. Më shkoi në mendje që t’i thërrisja burrit të saj dhe të shkonte e t’i gjente të dy, që të kuptonte çfarë malli kishte, por këtë nuk e bëja dot sepse ai ishte në det duke notuar shumë larg. Derisa të vinte ai, gjithçka do kishte përfunduar, kështu që mblodha forcat dhe shkova vetë. Nuk mundem dhe nuk dua t’jua përshkruaj ato që dëgjoja duke pritur jashtë dere. Çfarë nuk kuptoja ishte fakti se si njeriu mund të bjerë kaq poshtë dhe të kryejë veprime të tilla si kafshët. Nuk munda të rrija dhe t’i shikoja ata në sy kur të dilnin nga tualeti, sepse do të bëja skandal dhe ndoshta do ta vrisja tim shoq me duart e mia. Ika në shtëpi dhe i shkrova tim shoqi: “Shihemi në gjyq”, mora gjërat e mia dhe u largova. Që nga ai moment, e hodha edhe numrin tim të telefonit dhe A. nuk ka fytyrë të vijë të më kërkojë në shtëpinë e prindërve, se e di shumë mirë ai se çfarë mund ta gjejë. Dua t’ju jap një këshillë ju, grave të martuara, mos u gënjeni nga lajkat, puthjet dhe përkëdhelitë e tepërta të burrit tuaj, sepse të gjitha këto ai mund t’i bëjë për të mbuluar pabesitë e tij, që ju të mos dyshoni kurrë për të. E di që shumë gra jetojnë me frikën e tradhtisë dhe nuk e marrin kurrë guximin të bëjnë ata që bëra unë, por unë nuk pendohem për veprimin që bëra. Më mirë pa dashuri dhe me nder, sesa me një dashuri hipokrite, si ajo që më jepte im shoq…