Në një kohë kur agresionet e tipit seksual po shtohen, katër studentë amerikanë janë përpjekur të shpikin një manikyr për të dalluar drogat që hidhen në pije. Kohët e fundit, armët e mbrojtjes kundër agresioneve seksuale bëhen gjithnjë e më efikase dhe diskrete: Dy vajza të reja indiane kanë shpikur pantallona kundër përdhunimit, ndërsa një firmë franceze po punon mbi një objekt anti-agresion. Kështu, katër studentë amerikanë të Karolinës së Veriut kanë vendosur t’u vijnë në ndihmë vajzave. Ankesh Madan, Stefan Grei Taso, Von Uindheim dhe Tajler Konfrei-Malonei po punojnë mbi një manikyr të aftë të zbulojë drogat e ndryshme në pijet alkoolike. Shumë vajza janë sot viktima të agresioneve seksuale për shkak se marrin, pa e ditur, GHB (lloje droge) ose droga të tjera, të cilat përdhunuesi i hedh në gotën e tyre. Kështu, mjafton të lyesh thonjtë me manikyrin në fjalë para se të shkosh në një klab dhe të zhysësh një gisht në gotën e pijes, për t’u siguruar se nuk rrezikohesh nga asgjë. Nëse manikyri ndërron ngjyrë, këshillohet që përdoruesja e tij ta çojë në bar dhe t’i thotë barmenit ta derdhë në lavaman. Nëse ngjyra nuk ndryshon, atëhere mund ta pini pijen të qetë. Katër të rinjtë kanë një vit që punojnë për projektin e tyre. Ata kanë krijuar një shoqëri të quajtur Undercover Colors dhe kërkojnë fondet e duhura për konkretizimin e idesë së tyre. Në SHBA është shumë i përhapur fenomeni i hedhjes së drogës në pije. Në këtë vend, sipas statistikave, është abuzuar seksualisht me të paktën një në katër vajza dhe ndër viktimat, 25% e tyre kishin gëlltitur substanca ilegale.
Advertisement