Të jesh motra e Adelina Ismajlit dhe t’ia dalësh të krijosh individualitetin tënd, kërkon sigurisht talent, sharm dhe përkushtim; cilësi falë të cilave, më e vogla e familjes Ismajli, ka arritur të lakohet thjesht si Zanfina… Në intervistën e mëposhtme, këngëtarja shpreh veten në dimensione të ndryshme, duke na zbuluar kështu veç talentit profesional, edhe një temperament interesant.
Arjana Bregu: – Zanfina, përshëndetje! Kënga jote, e lançuar së fundi, “Every night” vjen me qëllimin që të dëgjohet “every day”?
Zanfina Ismajli: – (Buzëqesh) Sigurisht që qëllimi i çdo kënge është të shndërrohet në hit dhe ky është edhe qëllimi i këngës sime.
– Komenti i parë që shoqëron videon e sapopublikuar është: “Femra shqiptare më seksi që ekziston”…
– Dëgjoj e lexoj komente të tilla dhe mendoj se çdo femre do t’i pëlqenin këto. Unë për vete jam shumë e kënaqur me pamjen time, sidomos me trupin. E adhuroj trupin tim!
– Është e vështirë të jesh këngëtare në Shqipëri apo përkundrazi, kjo është gjëja më e lehtë për t’u bërë sot?
– Që të dyja këto mund të jenë të sakta, por të jesh këngëtare e mirëfilltë dhe e suksesshme është e vështirë sepse konkurrenca po shtohet çdo ditë e më shumë.
– Çfarë e përcakton drejtimin e asaj që vjen më pas në karrierën e një këngëtareje?
– Po ja, nëse ke një këngë që bëhet hit, duhet të kesh shumë kujdes që këngën e ardhshme ta bësh hit më të madh, në mënyrë që t’ia kalojë këngës së kaluar. Dhe, duhet të sjellësh gjithmonë risi, në mënyrë që të mos dukesh e njëjtë për sytë që të shohin në secilin klip.
– Nëse nuk del me një këngë në treg, pra, nuk je në “qarkullim”, je e shqetësuar?
– Po, zakonisht, po.
– Si ndihesh kur e shikon veten në klipin e radhës? E shijon apo je e stresuar duke gjetur defektet, me frikën nëse do t’i vërë re publiku, apo jo?
– Gjithmonë e shijoj, ndërsa sa u përket defekteve, ato publiku do t’i shohë edhe nëse unë do të tentoja t’i fshihja. Syrit të publikut nuk i ikën asgjë.
– Ç’mendon për “zhveshjet” nëpër klipe?
– Mendoj se trendi hollivudian ka ardhur te ne dhe po përcillet nga shumica.
– Nëse do të të kërkoja të më rendisje karakteristikat e tua si këngëtare…
– Gjithmonë kam bërë këngë të mirëfillta e jo komerciale, edhe pse me këngë të tilla, rruga drejt suksesit është më e shpejtë. Ama, se sa do të zgjasë, nuk ka garanci.
– Për ç’arsye mund të ndodhë ta ndryshosh tani drejtimin e karrierës tënde?
– Gjithmonë me qëllimin që të vij më ndryshe se herën e kaluar. Arti nuk e duron monotoninë.
– Një nga përvojat e tua më të bukura…
– Njeriu mëson nga përvojat, qofshin ato të bukura apo të hidhura. Edhe unë kam të tilla, por s’do të dija, në këtë moment, cilën t’ju tregoja.
– Një risk që e ke marrë përsipër dhe ia ka vlejtur…
– Kur kam filluar të këndoj, e kam ditur se po i hyj një rruge të rrezikshme, ama rreziku ia ka vlejtur 100%.
– Çfarë të lodh?
– Më së shumti, më lodhin gënjeshtrat e njerëzve.
– Nëse dikush të lëndon në një mënyrë ose një tjetër, cila është rruga që zgjedh për t’iu përgjigjur? Ta lëndosh edhe ti, apo ta lësh të kalojë këtë, si të mos kishte ndodhur kurrë?
– Kur lëndohem, zakonisht, bëhem më e egër për një kohë të shkurtër, por jam pak tip hakmarrës dhe, nëse në të ardhmen do të më vinte rasti t’ia ktheja “borxhin”, atëhere do t’ia ktheja.
– Një gjest, një shenjë, një tipar që të duket tërheqës te një mashkull…
– Tipari që më pëlqen më së shumti është qëndrimi, sidomos nëse do të ishte si qëndrimi im.
– Të pëlqejnë meshkujt e qetë, të shtruar apo ata që duket sikur e kanë të shkruar fjalën “rrezik” në ballë?
– Nuk më pëlqejnë tipat e rrezikshëm, edhe pse përgjithësisht, femrat tërhiqen prej tyre. Por, nga ana tjetër, nuk më pëlqejnë as shumë të qetë. Më pëlqejnë meshkujt inteligjentë, që kanë sens humori…
– Do të ishte diçka “e ndaluar” të bije në dashuri me dikë që për nga mosha, mund të kishte qenë babai yt?
– Nuk e besoj kurrë se do të më ndodhte sepse në këtë rast kam një kod moshe…
– Por ja që dashuria nuk njeh kode, thonë. Nëse do të ndodhte, si do ta menaxhoje?
– E sigurtë që nuk do të më ndodhte!
– Cilat janë fragmentet më domethënëse që kanë shenjuar jetën tënde?
– Fëmijëria, kur kam filluar të këndoj, fillimi i luftës në Kosovë, kthimi…
– Një kujtim, dhuratë nga fëmijëria?
– Barbi i parë që ma ka blerë nëna. E kërkoja për një kohë të gjatë sepse në atë kohë në Kosovë nuk kishte dhe, kur më erdhi, gëzimi im ishte i papërshkrueshëm.
– Çfarë e ka zëvendësuar tani frazën “Zanfina, motra e Adelinës?”
– Tani thërrasin emrin tim. (Buzëqesh)
– Ka plot raste motrash që janë krejt e kundërta e njëra-tjetrës. Ti dhe Adelina, kur bini gjithnjë dakord dhe kur, në kontradiktë?
– Unë e Adelina s’kemi qenë kurrë të ngjashme. Kohëve të fundit, biem në kundërshtim për gjëra të zakonshme mes motrash.
– Gjërat i thuhen më mirë motrës, mamit apo një shoqeje?
– Që të trijave.
– Cila është një klishe e dobët që e përdorin meshkujt për të hyrë në bisedë me ty?
– “A je ti këngëtarja?”. (Buzëqesh)
– Ç’këshillë i jep një shoqeje që sapo është ndarë nga i dashuri?
– Do t’i thoja se koha shëron çdo plagë.
– Po të jetoje në një tjetër epokë, cilën do të kishe dashur të përjetoje?
– Shekullin XVI.
– Nga çfarë do të hiqje dorë për dashurinë?
– Do të hiqja dorë nga disa imtësira, por asnjëherë për diçka që për mua ka shumë rëndësi. Njeriu që të dashuron vërtet, nuk të kërkon të ndryshosh.
– Kujtimi që e ruan si të çmuar?
– Ditari im, që e kam shkruar në moshën e adoleshencës.
– Cili është rregulli që e respekton kur bëhet fjalë për paraqitjen?
– Më pëlqen të përqendrohem te sytë…
– Një detaj interesant në klipin e fundit janë flokët e tu të gjatë, që mua më sollën ndërmend një personazh vizatimor, flokët e së cilës kishin fuqi magjike. Nëse edhe flokët e tu do ta kishin këtë cilësi, për çfarë do të doje të shërbente?
– Do kisha dashur të bëhem e padukshme për disa ditë.
– Cilat kanë qenë zgjedhjet më të mira që ke bërë në jetë?
– Që kam filluar këndimin dhe kam kryer Fakultetin Juridik…
– Gjërat ndodhin rastësisht apo gjithçka e ka një arsye?
– Unë besoj në fat dhe mendoj se gjithçka ndodh për një arsye.
– Ne të gjithë bëjmë gabime, por cili është ai që do ta përsërisje me dëshirë?
– (Qesh) S’më pëlqen as të mendoj për gabimet, lëre më t’i përsëris.
– Cili është burimi i të gjitha mëkateve?
– Lakmia!
– Çfarë do të duhej të ishte ilegale dhe nuk është?
– Hëm… Gënjeshtrat dhe lëndimet!
“Every night” (Çdo natë…)
– Lutesh?
– Po.
– Bën dashuri?
– Jo.
– I lan dhëmbët?
– Po.
– Lexon?
– Jo.
– Sheh ëndrra?
– Po.
– Mendon për të nesërmen?
– Po.