In memoriam! SOKOL BLLACA, njeriu që i dha ngjyra zërit
19 Nëntor 1961 – 3 Shtator 2026
Ka njerëz që dalin në ekran dhe bëhen të njohur për publikun. Ka të tjerë që zgjedhin të qëndrojnë pas tij, pas mikrofonit, pas konsolës, në dhomën e montazhit, aty ku një zë, një tingull, një muzikë apo një histori marrin formën e tyre përfundimtare.
Sokol Bllaca ishte një prej tyre. Ai nuk ishte thjesht një radiofonist, regjisor, montazhier apo specialist audio. Ishte një prej atyre profesionistëve të rrallë që, për më shumë se katër dekada, punuan në heshtje për t’i dhënë zë dhe identitet medias shqiptare.
Më 3 shtator 2026, Sokol Bllaca u nda nga jeta, duke lënë pas një karrierë të gjatë, një trashëgimi të pasur profesionale dhe mbi të gjitha, kujtimin e një njeriu që për shumë kolegë ishte më shumë se një bashkëpunëtor: ishte mik dhe mësues. I lindur më 19 nëntor 1961 në Tiranë, rrugëtimi i tij profesional nisi në vitin 1984 në Radio Televizionin Shqiptar. Ishte fillimi i një marrëdhënieje të gjatë me radion, zërin, teknologjinë dhe magjinë e produksionit audio.
Por historia e Sokol Bllacës nuk nisi dhe nuk përfundoi vetëm në një studio. Që në rini, ai u shfaq si një djalë me interesa dhe pasione të shumta. Ishte pjesë e ekipit të atletikës së të rinjve të Dinamos, ku vendosi edhe rekord moshe. Paralelisht, një tjetër pasion i tij ishte shahu, një lojë që kërkon durim, përqendrim dhe një mendje të mprehtë, cilësi që do ta shoqëronin edhe në profesion. Madje, një prej lojërave të tij është pjesë e 250 lojërave më të mira të historikut të shahut shqiptar. Nga radioja tradicionale te radioja “me ngjyra” Vitet ’90 do të sillnin ndryshime të mëdha në median shqiptare dhe Sokol Bllaca ishte ndër profesionistët që do të merrnin pjesë drejtpërdrejt në këtë transformim. Në Radio Tirana ai u bë pjesë e një brezi që kërkonte mënyra të reja për ta bërë radion më moderne, më dinamike dhe më krijuese. Mes projekteve të asaj kohe spikati “Heshtje jo”, një format eksperimental i natës që solli një tjetër frymë në Radio Tirana.
Më pas erdhi “Rruga me Pisha”, radionovela e parë e suksesshme në Shqipëri, e prodhuar nga Radio Tirana në bashkëpunim me BBC. Rrugëtimi i tij profesional vazhdoi me bashkëpunime me Deutsche Welle, drejtimin e Radio “Koha”, emisionin “Klani i Natës” me Arian Çanin dhe shumë projekte të tjera. Ishte një periudhë kur radioja po mësonte të fliste ndryshe. Sokol Bllaca dinte si ta bënte atë të dëgjohej. Gazetari dhe shkrimtari Enkel Demi, një prej njerëzve që e ka njohur nga afër, e përshkruan këtë rol të Bllacës si pjesë të një ndryshimi shumë më të madh: “Bashkë me Sokol Bllacën Radio Tirana në fillim të viteve ’90 bëri shndërrimin e madh, i cili u kthye në themelin e radiove komerciale apo private që janë sot.”
Sipas Demit, Bllaca kishte “një aftësi të rrallë në montazh dhe një vesh absolut”. Dhe pikërisht këtu qëndronte një prej veçorive të tij. Ai e dëgjonte atë që të tjerët shpesh nuk e dëgjonin. Dinamikën e një zëri. “Pauzën” mes dy fjalëve. Kohën e duhur për një muzikë apo nje gong per të shënjuar një pikë kulminante. Ritmin e një historie. Detaje të vogla që në duart e një profesionisti të madh bëhen magji.
Një prej kujtimeve më të bukura për Sokol Bllacën vjen nga regjisori dhe aktori Indrit Çobani. Kur Çobani kishte regjistruar për herë të parë një emision në Radio Tirana, dikush e pyeti nëse e donte “bardh e zi apo me ngjyra”. Ai buzëqeshi, duke kujtuar se ishte në radio dhe jo në televizion. Përgjigjja që mori ishte :“Ka edhe radio ngjyra.” Dhe nëse e donte me ngjyra, i thanë, duhej ta kalonte emisionin “nga duart e Sokol Bllacës”. Çobani priti për orë të tëra para Montazhit 4, ku punonte Koli. Kur ai mbërriti, i tha: “U vonova pak, por emisionet e mira bëhen në darkë!” Emisioni u bë. Dhe, siç kujton Çobani, u bë vërtet “me ngjyra”. Por ai nuk u kthye më në Montazh 4 vetëm për emisionet. U kthye për mikun. “Dhe ndoshta kjo është ajo që do të mbaj mend më shumë”, shkruan Çobani, “se në një vend ku shkoja për të bërë radio, gjeta një mik.” Sot, thotë ai, Montazh 4 do të ketë një karrige bosh. Dhe ai do të ketë një mik më pak.

“Lamtumirë, Koli. Faleminderit për të gjitha ngjyrat.”
Një mjeshtër edhe pas ekranit
Me kalimin e viteve, rrugëtimi i Sokol Bllacës u zgjerua edhe në televizion. Në Top Channel , që shënjon dhe kulmin e arritjeve profesionale te Kolit, ai punoi si regjisor dhe drejtor dublimi, duke qenë pjesë e një numri të madh produksionesh që u bënë të njohura për publikun shqiptar. “SpongeBob”, “Top Gear”, “The Apprentice – Sfida Miliardere”, “Oborri i Fermës”, “Videot Gazmore Amerikane”, Pinguinet e Madagaskarit, Avatarë, 100 Dosjet e FBI-së si dhe një sërë dokumentarë, seriale, filma vizatimorë dhe programe të tjera mbajnë në një mënyrë apo në një tjetër gjurmën e punës së tij. Një prej projekteve ku ai drejtoi realizimin e dublimit ishin dhe telenovelat, “Famë dhe dashuri”, “Për ty”, dhe padyshim Top Gear, produksione të Top Channel, ku një kast aktorësh të njohur shqiptarë huazuan zërat e tyre për personazhet për ta sjellë pranë publikut në gjuhën shqipe. Kjo ishte bota e tij. Një botë ku aktorët mund të ishin përpara mikrofonit, por pas tyre duhej dikush që dinte t’i drejtonte, t’i lidhte, t’i frymezonte, t’u jepte ritëm dhe t’i kthente zërat në personazhe. Koli ishte ai njeri. Pas një rrugëtimi që e çoi nga RTSH në Radio Koha, Radio Klan e më pas në Top Channel, në pjesën e fundit të karrierës Koli u rikthye pikërisht aty ku gjithçka kishte nisur: në Radio Televizionin Shqiptar. Ishte një rikthim në shtëpinë e tij të parë profesionale, së cilës do t’i kushtonte edhe etapën e fundit të një karriere mbi katërdekadëshe. Koli vazhdoi të bënte atë që kishte bërë gjithmonë: të krijonte. Ndër punët e kësaj periudhe do renditeshin radionovela “Dyqani i Lagjes Time”, “Historia e Rock ’n’ Roll-it” si dhe cikli prej 100 emisionesh kushtuar 100-vjetorit të Pavarësisë. Kështu, në një mënyrë thuajse simbolike, cikli profesional i Sokol Bllacës u mbyll aty ku kishte filluar, në RTSH, në radio. Mes zërave, muzikës, montazhit dhe mikrofonit, në botën së cilës i kishte kushtuar një jetë.
Mësuesi i njerëzve të radios
Kontributi më i madh i Sokol Bllacës nuk matet vetëm me emrat e programeve ku ka punuar, matet me njerëzit që mësoi.
Enkel Demi e kujton pikërisht në këtë mënyrë: “Ishte shok shumë i mirë, mësues akoma më i mirë.” Sipas tij, shumë profesionistë i detyrohen Bllacës për ndihmën që u dha në fillimet e tyre dhe për mënyrën se si i mësoi të bëheshin “njerëz të Radios”. Ky është një dimension që shpesh nuk shkruhet në biografi. Njeriu mund të numërojë programet, emisionet, dokumentarët dhe produksionet. Por nuk mund të numërojë dot njerëzit që ka ndihmuar. Dhe Sokol Bllaca la shumë prej tyre pas.
“Mjeshtër i Madh”
Për kontributin e tij të çmuar dhe një jetë të tërë kushtuar profesionit, Sokol Bllaca u nderua nga Presidenti i Republikës me titullin “Mjeshtër i Madh”. Një vlerësim për dekada punë, krijimtarie dhe përkushtimi në median shqiptare. Por ndoshta për ata që e njihnin nga afër, titulli më i rëndësishëm nuk ishte ai që shkruhej në një dekoratë. Ishte ai që i jepej çdo ditë në studio. Koli. Shoku. Mësuesi. Njeriu që dinte ta dëgjonte një zë dhe ta kuptonte se çfarë i mungonte.

Një jetë pas mikrofonit
Sokol Bllaca punoi kryesisht larg vëmendjes së publikut. Nuk ishte fytyra që shfaqej në ekran por dora pas ekranit, zëri pas zërit, mjeshtri pas produksionit.
Për më shumë se dyzet vjet ai ishte pjesë e mijëra orëve radiofonike e televizive, dokumentarëve, serialeve, filmave vizatimorë, programeve dhe produksioneve të ndryshme. Shumë shqiptarë mund të mos e kenë ditur emrin e tij, por kanë dëgjuar punën e tij, kanë dëgjuar zërat që ai drejtoi. Kanë parë produksionet që ai ndihmoi të merrnin formë, kanë dëgjuar muzikën, ritmin, montazhin, dublimin, kanë qeshur me programe, kanë mësuar nga dokumentarë, kanë ndjekur histori. Dhe pas shumë prej këtyre momenteve, ishte një profesionist që punonte në heshtje. Sokol Bllaca.
Sot hesht një zë, por jo trashëgimia.
Më 3 shtator heshti zëri i tij. Por jo puna e tij. Jo kujtimet. Jo mësimet. Jo ngjyrat që i dha radios. Sepse disa njerëz nuk largohen plotësisht. Ata mbeten në atë që kanë krijuar dhe, mbi të gjitha, në njerëzit të cilëve u kanë dhënë diçka nga vetja.
Sokol Bllaca la pas arkiva të tëra me zëra, tinguj, programe dhe histori. La pas kolegë që e kujtojnë me respekt, miq që sot ndiejnë një karrige bosh në Montazh 4 dhe breza profesionistësh që e mbajnë mend si mësues. Por për njerëzit e tij, ai nuk ishte regjisori, montazhieri, radiofonisti apo “Mjeshtri i Madh”. Ishte thjesht Koli, njeriu i tyre. Me humorin e tij, me zërin e tij, me praninë e ti, me gjithçka që nuk mund të zëvendësohet.
Ndoshta ky është edhe paradoksi më i bukur i jetës së tij: ia kushtoi jetën zërit, punoi që zërat e të tjerëve të dëgjoheshin më mirë, dhe tani që zëri i tij ka heshtur, janë pikërisht ata zëra që do të vazhdojnë të flasin për të. Do të flasin arkivat, do të flasin produksionet, do të flasin kolegët dhe miqtë, do të flasin kujtimet. Dhe ndoshta, diku në një studio radioje, një ditë dikush do të dëgjojë një regjistrim të vjetër dhe do të thotë: “Këtë e ka bërë Koli.” Dhe për një çast, ai do të jetë përsëri aty. Pas mikrofonit. Pas konsolës. Në Montazh 4. Duke i dhënë edhe një herë radios ngjyra. Sepse në fund, njerëzit si Sokol Bllaca nuk maten me sa herë janë parë, por me sa shumë kanë lënë pas. Ai zgjodhi të punonte në anën tjetër të dritës, aty ku nuk kërkohej duartrokitje, por përkushtim; aty ku një profesionist i vërtetë nuk ka nevojë të duket, sepse puna e tij flet. Dhe puna e tij do të vazhdojë të flasë: në çdo zë që mori jetë në një studio, në çdo histori që u përcoll përmes radios, në çdo personazh që foli shqip, në çdo tingull që u vendos në vendin e duhur dhe në çdo kujtim që do të rikthehet një ditë me fjalët: “Sa bukur ishte…”
Disa njerëz ikin nga jeta, por nuk ikin nga kujtesa. Sokol Bllaca ishte një prej tyre.
Lamtumirë, Koli.
Faleminderit për gjithçka që le pas dhe që, përmes punës tënde, na tregove se edhe heshtja mund të ketë zë… dhe se radioja, në duart e duhura, mund të ketë edhe ngjyra.
U prehtë në paqe shpirti yt i madh prej Artisti!







