Një hap i ri për letërsinë shqiptare!

Poetja dhe piktorja Adelina Pali hedh themelet e Festivalit Kombëtar Letrar “Nën Dritën e Fjalës” , tashmë një ngjarje e përvitshme që do të zhvillohet në zemër të Tiranës! Festivali Kombëtar Letrar “Nën Dritën e Fjalës” synon të sjellë në vëmendje fuqinë e fjalës artistike në zemër të kryeqytetit, si pjesë e vitit simbolik ku Tirana mban titullin “Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut“. Ky festival premton të sjellë zërin e fjalës së shkruar më pranë publikut dhe të krijojë një urë mes autorëve, lexuesve dhe artdashësve nga mbarë vendi. Në këtë intervistë ekskluzive për Intervista.al, Adelina ndan me ne historinë e festivalit kombëtar letrar “Nën dritën e fjalës”, frymëzimin që qëndron pas tij dhe mënyrën se si fjala mbetet një udhërrëfyes në jetën dhe krijimtarinë e saj. Nga organizimi i festivalit te përvoja si producente dhe krijuese letrare, Adelina flet për emocionet, sfidat dhe për shpresën që ky festival mbart për autorët e rinj.

– Adelinë, çfarë të frymëzoi të krijosh festivalin kombëtar letrar “Nën dritën e fjalës” dhe çfarë mendon se e dallon nga aktivitetet e tjera letrare në vend?

-Më frymëzoi nevoja për të krijuar një hapësirë ku fjala të mos jetë thjesht një akt shkrimi apo leximi, por një përvojë e gjallë mes njerëzve. “Nën dritën e fjalës” lindi si një dëshirë për të vendosur letërsinë në qendër të vëmendjes publike, jo vetëm si art, por si dritë, si reflektim dhe si lidhje mes brezave. Ajo që e dallon këtë festival është mënyra sesi bashkon zëra të rinj dhe emra të njohur, duke krijuar dialog të sinqertë mes tyre në një atmosferë përtej formalitetit.

– Na trego pak më shumë, a është vendosur ku do mbahet, ç’do ketë skaleta në program?

-Po, festivali do të mbahet diku në qendër të Tiranës ku do ju njoftojmë në një rast të dytë! Programi është i ndarë në disa pjesë: interpretime poetike, një hapësirë dedikuar të rinjve krijues, muzikë.

– Cili është momenti më i paharrueshëm ose më emocional që ke përjetuar deri tani gjatë organizimit të festivalit ‘Nën dritën e fjalës’?

-Ishte një mesazh që mora nga një vajzë e re që më shkruante: “Ky festival është arsyeja pse guxova të dërgoj një poezi timen për herë të parë përballë dikujt.” Ky moment më kujtoi pse e nisa gjithë këtë…për të krijuar mundësi, për të thyer frikën e parë, për të ndezur një dritë të brendshme që shpesh mbetet e fshehur.

– Çfarë do të doje që pjesëmarrësit e festivalit “Nën dritën e fjalës” të marrin me vete, përtej emocioneve letrare?

-Do të doja të marrin me vete ndjesinë se janë parë, dëgjuar, kuptuar. Që fjala e tyre ka peshë, dhe se nuk janë vetëm në këtë rrugëtim krijues. Dhe nëse marrin me vete edhe një lidhje të re, një frymëzim të vogël, apo një dëshirë për të shkruar sërish…atëherë festivali ka arritur qëllimin.

– Në procesin tënd krijues, cili është momenti kur “fjala” fillon të ndriçojë: gjatë idesë, shkrimit apo leximit nga publiku?

-Besoj se ndriçimi fillon në atë çast të papritur kur ndien se fjala që ke shkruar nuk është më vetëm e jotja…kur ajo nis të rezonojë me dikë tjetër. Edhe pse ideja ndizet në heshtje dhe shkrimi është një akt i brendshëm, është leximi nga publiku që i jep fjalës dritën më të plotë.

– Si ndikon përvoja jote si producente në mënyrën se si e ndërton një poemë apo një projekt letrar? A ka paralele mes prodhimit të një eventi dhe ndërtimit të një poezie?

-Ka më shumë ngjashmëri nga sa duket në pamje të parë. Si producente mësohesh të shohësh strukturën, ritmin, emocionin që ndërtohet gradualisht, njësoj si në një poezi. Një poezi, ashtu si një event, ka një hyrje që të fton, një kulm emocional, dhe një dalje që mbetet në mendje. Të dyja kërkojnë ndjeshmëri dhe përkushtim ndaj detaji

– Në mendimin tënd, çfarë i mungon sot skenës letrare shqiptare dhe si mund të krijohen hapësira të reja për autorët e rinj?

-I mungon ndoshta më shumë hapësira e sinqertë për të dëgjuar zërat e rinj, pa i gjykuar apo filtrar. I mungon një kulturë më e thellë leximi dhe një komunitet më i fortë që nuk e sheh letërsinë si garë, por si bashkëndarje. Hapësirat e reja mund të lindin nga bashkëpunimi kur autorët, lexuesit, institucionet dhe mediat punojnë bashkë për t’i dhënë fjalës vendin që meriton.

-Nëse do ta përshkruaje “fjalën” si një personazh në jetën tënde, çfarë do të ishte ajo: një mik/mikeshë, një dritë, një sfidë apo një udhërrëfyes?

-Fjala për mua është një udhërrëfyes që ndonjëherë bëhet mikeshë e ngushtë, ndonjëherë sfidë, por gjithmonë e vërtetë. Është ajo që më zgjon netëve pa gjumë dhe ajo që më qetëson kur gjithçka tjetër është në heshtje!

“Fun Corner me Adelinën”

– Nëse fjala do të kishte një ngjyrë, cila do të ishte dhe pse?

-Ngjyrë vjollcë…sepse mbart thellësinë e mendimit dhe hijet e emocioneve të paprekura.

– Çfarë zakonisht nuk i tregon publikut, por e bën gjithmonë para një eventi letrar për fat të mirë?

-Gjithmonë vendos dorën mbi zemër dhe pëshpëris një fjali: “Bëhu dritë, jo vetëm fjalë.” Është rituali im i vogël.

– Librin e kujt do të doje ta kishe shkruar ti vetë?

“Një zemër e mbushur me diell” nga Khaled Hosseini, për ndjeshmërinë dhe fuqinë që mbart në çdo fjali.

– Çfarë këngësh të frymëzojnë gjatë të shkruarit?

-Më frymëzojnë këngë të qeta me piano ose violinë… si kompozimet e Ludovico Einaudi ose Agnes Obel. Fjalët lindin më lehtë në heshtjen melodike.

– Nëse do të mund të ftoje një autor ose poete nga e kaluara në festival, kë do të zgjidhnit?

-Do të ftoja Migjenin. Do doja të dëgjoja si do e lexonte ai poezinë e vet sot, në një kohë tjetër, por me të njëjtat plagë njerëzore.

– Kafe apo çaj kur shkruan? Pse njëra, pse tjetra?

-As çaj, as kafe…Verë! Kur pi verë, fjalët rrjedhin më lehtë…kur ke një gotë me kuptim, fjalët vetë bëhen gota. Dhe kjo gotë, mbushet plot ndjesi.

Vera më jep ndjesinë e qetësisë dhe më lejon të rrëshqas mes mendimeve.

– Tre fjalë që përshkruajnë më së miri stilin tënd poetik…

-Introspektiv, emocional, i thellë…

– Nëse “fjala” do të ishte një udhëtim, ku do të të çonte ajo?

-Në një vend ku qetësia dhe e vërteta bëhen një… ndoshta një fshat i vogël buzë detit, ku gjithçka përrreth thuhet pa zë, dhe ndjehet në shpirt!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here