Kantautori Eugent Bushpepa, i njohur për talentin dhe stilin unik në muzikë, ishte i ftuar në “A live show”, me Ledion Liçon, nga ku ndau me publikun të pathëna nga jeta e tij profesionale, por edhe personale.
Ndër të tjera, Genti ka rrëfyer edhe gabimin më të madh që ka bërë ndonjëherë në jetën e tij, që është hapja e një biznesi. Sipas Eugentit, pas mbarimit të “Eurovisionit” ai kishte pasur në plan të merrej me një album ose të kishte një biznes, i cili nuk i shkoi ashtu siç duhej dhe pati përplasje më karrierën e tij muzikore duke e lënë pas dore.
“Pas Eurovison, kisha dy plane ose do merresha me një album ose me një biznes dhe unë nuk jam tip që mund të hap biznese dhe e kam marrë vesh vonë. Një ndër gabimet më të mëdha gjatë karrierës sime ka qenë hapja e një biznesi ku unë performoja, ishte më shumë një diçka për të afruar njerëzit afër vetes, por që nuk shkoi ashtu si duhej.
Më mori energji të tepërta, më la pa kompozime të reja, edhe pse kisha përballjen e publikut, merrja ngrohtësinë e publikut javë për javë, por nga ana tjetër, nga pikëpamja artistike e të bërit art më la shumë mbrapa. Kështu që, një nga gabimet më të mëdha të jetës time kjo mund të ketë qenë. Ka ndodhur para 3 vitesh, dhe unë që mendoja se isha i pjekur.”